Shtator-Tetor, Tatimet gropë 45 mln dollarë

Shtator-Tetor, Tatimet gropë 45 mln dollarë

16:24, 05/12/2017
A+ Aa A-

Tatimet shënuan në tetor një nga rezultatet më negative të shumë viteve në mbledhjen e të ardhurave. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin tetor të ardhurat e mbledhura nga Administrata Tatimore ishin 23.5 për qind më të ulëta se plani.

Sipas të dhënave, nga 13.2 miliardë lekë që ishin parashikuar për t'u mbledhur në tetor, Tatimet kanë arritur të mbledhin vetëm 10.1 miliardë lekë duke i shkaktuar buxhetit një gropë prej rreth 3.1 miliardë lekë ose rreth 30 milionë dollarë.

Të dhënat tregojnë se të gjitha taksat kanë patur ecuri negative, por efektin më të madh e ka dhënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Vetëm në muajin tetor, nga TVSH-ja firuan 10 milionë dollarë më pak se plani i periudhës, ndërsa zëri i dytë me ecurinë më të keqe është Tatimi mbi Fitimin, të ardhurat e të cilit ishin 8 milionë dollarë më pak se plani.

Në muajin tetor qeveria e sapo mandatuar nisi fazën e tretë të aksionit kundër informalitetit. Përgjatë kësaj periudhe Tatimet kanë bërë publike, një sërë rezultatesh, sipas tyre pozitive të aksionit.

Sipas Tatimeve aksioni ka sjellë rritjen e numrit të bizneseve që janë regjistruar si dhe shtim të xhiros së deklaruar. Por siç tregojnë të dhënat zyrtare, të ardhurat në buxhet janë në pikiatë, me një ritëm të thellë negativ.

Muaji i dytë në pikiatë

Ky është muaji i dytë me radhë që tatimet shënojnë mosrealizim në rend dyshifror të planit. Në shtator, Administrata Tatimore mblodhi 13 për qind më pak të ardhura se plani përkatës, ose e shprehur në vlerë gati 15 milionë dollarë më pak.

Së bashku me mosrealizimin e Tetorit, në vetëm dy muaj, Administrata Tatimore ka shkaktuar një gropë të ardhurash në buxhet në masën 45 milionë dollarë.

Qeveria vendosi që edhe vitin e ardhshëm të mos i rrisë rrogat për punonjësit e shtetit, nën justifikimin se nuk ka para pasi duhet të ulë borxhin publik. Por vetëm gropa 45 milionë dollarë e shkaktuar nga Tatimet në dy muajt e fundit, do të mjaftonte për të rritur rrogat për të gjithë punonjësit e shtetit të paktën në masën 5 për qind. 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco