Kompensimi i pronave, 7 mijë dosje të reja dalin në janar

Kompensimi i pronave, 7 mijë dosje të reja dalin në janar

09:34, 17/10/2017
A+ Aa A-

Agjencia e Trajtimit të Pronave, e cila ka marrë në shqyrtim dosjet me aplikimet e viteve 1996-1997, është drejt fundit të përpunimit të rezultateve me vendimet financiare përkatëse. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur për “Shekulli”-n se grupimi i pronarëve që kanë aplikuar për të fituar pronësinë apo kompensimin e tokës së paraardhësve të tyre, përllogaritet të jetë 7000, ndërkohë që vlerësimi ekonomik apo kompensimi fizik për ta do të bëhet sipas skemës së ligjit 133 “Për trajtimin e Pronës”.

Tabela e plotë pritet të dalë në muajin janar të 2018-s; kjo për shkak të volumit të madh të dosjeve që janë marrë në shqyrtim. Po sipas ATP-së, edhe në këtë grupim vihet ré se  ka një numër të madh dosjesh me mangësi në dokumentacion, çka do të thotë se për ta do të dilet me një vendim kompensimi vetëm pasi të plotësohet dosja.  Duke iu referuar faturës financiare të vendimeve të viteve1993-1994 që rezultoi 9 miliardë lekë, kjo shumë mendohet të jetë dyfish më e lartë, të paktën nisur nga numri i dosjeve.

Por, strategjia që do të ndiqet nga ATP me shtimin progresiv të fondit vit pas viti, do të bëjë të mundur përshpejtimin e procesit, me gjasë edhe mbylljen e tij brenda 10 viteve. Për pronarët që lexojnë karshi emrit të tyre vlerësimin financiar, e që tashmë janë lodhur me pritjen e gjatë, ATP jep mundësinë  e kompensimit të shpejtë, përmes të cilit shuma që ndahet është 20-60 për qind më e ulët se vlerësimi.  Lista e gjatë e vendimeve të viteve 1996-1997, pritet të shoqërohet me emra që nuk do të përfitojnë, pasi jo pak prej tyre nuk kanë dorëzuar të plota dokumentet që vërtetojnë pretendimin real të një sipërfaqe toke apo prone.

Kompensimi financiar

Për këtë vit janë vënë në dispozicion 24 milionë dollarë, 95 për qind e të cilave janë ndarë për pronarët e viteve 1993-1995. Pjesa e mbetur e pronarëve që do të zgjedhin të kompensohen financiarisht, do të kenë mundësi të marrin të plotë pagesën dhe jo me këste sikundër është vepruar deri më tani. Për sa i takon afatit të aplikimeve, ai nuk do të jetë i limituar në kohë. Qytetarët mund të paraqiten në çdo moment për të dorëzuar dokumentet.

Kthimi fizik

Përkundrejt kompensimit në të holla, skema e kompensimit fizik do të ketë përparësi. Agjencia e Pronës posedon 23 mijë hektarë tokë bujqësore, për të cilat ka përfunduar më herët edhe vlerësimi financiar. Sipas Agjencisë, për kompensimin fizik janë përcaktuar dy kritere. Kriteri i parë është rendi kronologjik i vendimeve, që do të thotë se, sikurse kompensimi financiar, edhe ky kompensim do të fillojë me vendimet më të vjetra në kohë. Kriteri i dytë lidhet me vendndodhjen e pronës që do të përfitojnë si kompensim fizik. Pra, pronari do të kompensohet me një pronë nga fondi fizik, e cila gjeografikisht është më afër me pronën që i është njohur për kompensim. Në lidhje me dokumentet që duhet të depozitohen, ato nuk ndryshojnë, por mbeten të njëjta, si në rastin e kompensimit financiar, ndryshon vetëm formulari i aplikimit, i cili është specifik për secilin rast.

Ankandi

Një tjetër alternativë kompensimi për pronarët është edhe ankandi, i cili do të zbatohet vetëm nëse pronari paraqet interes pasi vëren se toka e hedhur në ankand plotëson interesin e tij. Kjo formë kompensimi është e hapur për të gjitha kategoritë e tokës të vendosura për kompensim dhe pjesëmarrja në këtë procedurë shmang kriterin e rendit kronologjik të vendimmarrjes më të vjetër. Përmes kësaj procedure një pronar me vendim kompensimi, për shembull, të vitit 2008, mund të përshpejtojë në kohë kompensimin fizik të këtij vendimi pavarësisht datës së vendimit që pret të ekzekutohet.

Informimi mbi dosjen

Informimi mbi dosjen është pjesë e pandarë e këtij procesi. Kështu, të gjithë pronarët me dosje të arkivuar në ATP kanë të drejtë po ashtu të informohen në lidhje me ecurinë e saj. Për ta bërë këtë mjafton vetëm të dorëzojnë pranë agjencisë: kërkesë të posaçme, fotokopje e kartës së identitetit, si edhe kopje të vendimit të dhënë nëse e disponon. Informacioni i kërkuar do të jetë gati në harkun e 10 ditëve.

Kush aplikon

Aktualisht të drejtën e aplikimit e gëzojnë pronarët me vendime para vitit 1996. Duke qenë se për këto familje ka përfunduar vlerësimi financiar dhe është caktuar masa e përfitimit hapi i radhës është ekzekutimi i vendimit, pra ndarja e kompensimit. Nga të dhënat zyrtare të ATP-së mësohet se deri më tani kanë përfituar kompensim financiar dhe fizik në mënyrë të plotë dhe përfundimtare 336 vendime të dhëna në vitet 1993 dhe 1994. Ndarja e parave bëhet duke ruajtur rendin kronologjik të vendimeve, por kjo nuk i privon aq më pak nuk i penalizon pronarët me vendime ’95 që të paraqiten për të aplikuar.

Me ndryshimet e bëra së fundmi nuk do të jetë më e nevojshme që pronarët të shkojnë në gjykatë, apo në njësinë administrative në të cilën kanë banuar deri në vitin 1991. Kjo gjë shmanget pasi për të vërtetuar nëse një vendim është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore nuk nevojitet shkresë zyrtare, mjafton vetëm një deklaratë noteriale, e cila do të ketë të njëjtin funksion.

Nga ana tjetër, as për faktin nëse është përfituar nga ndarja e tokës në 1991 nuk duhet më vërtitim, por vetëm deklaratë noteriale, në të cilën pronari apo përfaqësuesi me prokurë vetëdeklaron nëse ka përfituar nga ndarja e tokës me ligjin 7501. Veç tyre kërkohet që të dorëzohet edhe konfirmim nga Hipoteka për gjendjen juridike të pronës që kompensohet, dëshmi trashëgimie nëse ka ndryshuar rrethi i trashëgimtarëve, prokurë e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, numër llogarie, dokument identifikimi dhe mandat pagese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco