Dhuna në Mianmar, Suu Kyi: Nuk i trembem kontrollit ndërkombëtar

Dhuna në Mianmar, Suu Kyi: Nuk i trembem kontrollit ndërkombëtar

11:52, 19/09/2017
A+ Aa A-
Liderja de fakto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi ka deklaruar se qeveria e saj nuk i druhet një kontrolli ndërkombëtar për rolin e saj në menaxhimin e krizës së popullsisë rohingia.

Ky ka qenë reagimi i parë i saj në lidhje me dhunën që ka përfshirë shtetin verior Rakhine, që ka detyruar rreth 400 mijë myslimanë rohingia të emigrojnë drejt Bangladeshit.

Suu Kyi është përballur me kritika të shumta sa i takon përgjigjes së saj ndaj krizës, por ajo ka deklaruar se shumica e myslimanëve nuk janë larguar nga shteti dhe se aktet e dhunës kanë marrë fund.

Në fjalimin e saj në Parlamentin e Mianmarit, Suu Kyi tha se ndjente keqardhje për njerëzit e përfshirë në konflikt dhe se qeveria ishte e angazhuar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për të gjitha komunitetet.

Liderja e Mianmarit, që ka vendosur të bojkotojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork që nis më vonë gjatë javës, tha megjithatë se dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të informohet për atë që po bëhet nga kabineti i saj.

Shteti Rakhine është përfshirë nga trazirat dhe dhuna sporadike prej vitesh, por kriza aktuale filloi në gusht me një sulm të armatosur ndaj postoblloqeve të policisë ku mbetën të vrarë 12 persona. Për sulmin u fajësua grupi i ri militant Ushtria Shpëtimtare Arakan Rohingia.

Rohingiat janë një popullësi të cilëve u mohohet nënshtetësia dhe të drejtat e barabarta nga qeveria e Mianmarit, që thotë se ata janë emigrantë ilegalë nga Bangladeshi dhe shihen me përçmim nga shumica e popullsisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco