Merkel: Me hidhërim të thellë qendrojmë pranë viktimave të sulmit pervers në Barcelonë

Merkel: Me hidhërim të thellë qendrojmë pranë viktimave të sulmit pervers në Barcelonë

12:22, 18/08/2017
A+ Aa A-

Kancelarja Angela Merkel i shprehu qeverisë në Madrid ngushëllimet e saj dhe theksoi, se "është pranë popullit spanjoll në këto momente të vështira", shkruan zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert në twitter. "Me hidhërim të thellë ne qendrojmë pranë viktimave të sulmit pervers në Barcelonë."

Nga Deutsche Welle

Zëvendëskancelari dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Sigmar Gabriel u shpreh "i tronditur thellë" dhe u transmetoi ngushëllimet viktimave dhe të afërmve e miqve të tyre. "Ne nuk do t'i përulemi terrorit, ai nuk do të na ndajë ne," tha Gabriel.

Ngjashëm i shpreh edhe kandidati për kancelar i partisë socialdemokrate,  Martin Schulz. Ai shkruan, se është "i shokuar dhe i indinjuar" për lajmet nga Barcelona. "Një sulm burracak ndaj vlerave tona", tha Schulz më tej. Edhe ministri i Brendshëm Thomas de Maizière shprehet "i tronditur thellë për lajmet e tmerrshme". Sërish terrori ka "treguar anën e shëmtuar të tij, ne solidarizohemi me popullin spanjoll", thekson ministri, i cili është përgjegjës për sigurinë dhe luftën kundër terrorit në Gjermani. Kolegu i tij Heiko Maas, ministër i Drejtësisë e quajti sulmin "pervers". Ai e ka prekur qytetin mesdhetar "në mes të zemrës së tij".

"Hidhërim dhe shtangie", kështu reagon kryetarja e partisë 'Alternativa për Gjermaninë' Frauke Petry duke nënvizuar konsekuencat politike. "Lajmet nuk përballohen", shkruan ajo në twitter. Europa ka nevojë për ndryshime, "ne duhet të përballemi me realitetin".

May dhe Macron, Tusk dhe Trump

Brenda pak orësh reaguan të paktën në twitter - një sërë politikanësh drejtues në Europë, Theresa May dhe Emmanuel Macron (ky i fundit shkruan madje edhe spanjisht në twitter". Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk reagoi po ashtu. Mesazhi ndërkombëtar i euopianëve është i njëzëshëm: "Ne jemi bashkë, ne qëndrojmë bashkë".

Tërheq vëmendjen reagimi i shpejtë nga SHBA-ja lidhur me slmin në Spanjë. Fillimisht ministri i Jashtëm Rex Tillerson i ofroi ndihmën e vendit  të tij Spanjës. "Terroristët në mbarë botën duhet ta dinë, se SHBA dhe aleatët tanë janë të vendosur, t'ju gjejnë dhe t'ju nxjerrin juve para drejtësisë", tha ai në një konferencë shtypi. Më vonë presidenti Donald Trump në emër të SHBA-së dënoi sulmin terrorist. "Ne do të ndihmojmë, sido që të jetë e nevojshme", shtoi ai. "Be tough & strong, we love you", përfundon mesazhi i tij./DW

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco