Mafia kalabreze, pse askush nuk përballet me një prej mafieve më të rrezikshme të botës?

Mafia kalabreze, pse askush nuk përballet me një prej mafieve më të rrezikshme të botës?

09:32, 17/07/2017
A+ Aa A-

4 korrikun e shkuar, qindra policë dhe karabinierë morën pjesë në një nga operacionet më të mëdha kundër Ndrangetës, mafies kalabreze, që rezultoi me 116 arrestime.

Mes të arrestuarve përfshihen kryebashkiakët e dy qyteteve italiane. Të gjithë të ndaluarit akuzohen për trafik droge dhe armësh, vrasje, grabitje dhe gjobvënie. Megjithatë, vërtetimi i përfshirjes në krim të personave të arrestuar do të jetë akoma më i vështirë se ndalimi i tyre.

Të ardhura multi- milionëshe

Me origjinë nga Italia e Jugut, Ndrangeta është aktualisht një nga organizatat më të fuqishme kriminale në botë, “tentakulat” e të cilës janë zgjatur deri në Amerikë, Evropë dhe Australi.

Sipas Institutit të Kërkimeve socialo- ekonomike, Demoskopika, Ndrangeta  ka gjeneruar të ardhura po aq sa “Deutsche Bank” dhe “McDonald” së bashku, në vitin 2013.

Gjithashtu, studimet e vitit 2015 tregojnë se Ndrangeta ka të ardhura vjetore rreth 50 miliardë euro, që përkthehen në 2.5% të PBB të Italisë. Ato vijnë kryesisht nga trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe krimeve tradicionale si gjobvënie dhe zhvatje.

E pushtetshme dhe e pakapshme

Organizata ka nisur aktivitetin e saj kriminal në shekullin e XIX, por fitoi famë në vitet 1960 dhe 1970, kur anëtarët e saj filluan të rrëmbenin njerëz të famshëm.

Rasti më i përfolur ka ndodhur në vitin 1973, pas rrëmbimit të nipit të manjatit të naftës Paul Getty, John Paul Getty III. Familja e tij mori tre kërkesa për para në këmbim të lirimit të tij.

Getty nuk pranoi të paguajë derisa mori në zarf veshin e nipit të tij. Në fund, ai u lirua.

Nëntë anëtarët e klanit u arrestuan pas rrëmbimit, por vetëm dy prej tyre u burgosën.

Në mesin e viteve ‘80, Ndrangeta krijoi një rrjet botëror të narkotrafikut. Aktualisht grupi kontrollon deri në 80% të kokainës në Evropë.

Pasquale Condello, një nga liderët e Ndrangetas, i arrestuar më 19 shkurt, 2008.

Pse është e paarritshme?

Ndrageta është një klan familjar, gjë që e bën të vështirë hetimin e kësaj organizate. Zgjerimi i saj global vjen për shkak të besnikërisë absolute dhe “omerta-s” (ligji i heshtjes). Thyerja e këtij ligji është njësoj si të tradhtosh familjen dhe dënohet me vdekje.

Sipas ritit, tradhtarëve u presin gjuhën, u vendosin një gur në gojë dhe pasi vriten, u lënë këpucët bashkë me kufomën.

Falë “omertas” Giuseppe Giorgi, një nga drejtuesit e kësaj organizate, u bë “i padukshëm” për 23 vjet. Por më në fund, kreu i Ndragetës u arrestua 2 qershorin e shkuar dhe tani e presin 28 vjet dhe 9 muaj burg.

Disa fakte të pabesueshme për sunduesit e rinj të botës së krimit

1- Ndrangheta është formuar që në vitin 1860 nga një grup siçilianësh të përzënë nga ishulli e tyre të vendlindjes.

Grupi vepronte kryesisht brenda rajonit të Kalabrisë derisa një luftë mafioze brenda organizatës la 300 të vdekur. Një luftë në vitin 1980 mbaroi me 700 të vdekur.

– Grupi u bë një lojtar i madh në tregun e drogës në vitet 1990.

Arsyeja? Një rënie e mprehtë e çmimit të heroinës (fusha e tyre) i detyroi ata që të hynin në tregun e kokainës. Ndërsa kartelet kolumbiane preferuan më mirë të bënin biznes me ta sesa me homologët e tyre siçilianë.

– Sipas zyrtarëve italianë, Ndrangheta përllogaritet se kontrollon 80 për qind të trafikut të kokainës në Evropë dhe besohet se ka investuar në ndërtim në Itali, Belgjikë, SHBA dhe Gjermani.

– Janë të njohur për metodat e tyre brutale

Në vitin 1991, tre anëtarë të organizatës vranë një kasap në rajonin Taurianova në mes të ditës. Ia prenë kokën me një nga thikat e tij dhe e përdorën kokën e prerë për praktikë në mes të sheshit kryesor të fshatit. Ky është vetëm një nga rastet.

– Asnjë dëshmitar kundër tyre

Përpara 2008 ishin mbi 1,000 të penduar (informatorë) nga Cosa Nostra siçiliane, 2,000 nga Camorra e Napolit dhe vetëm 42 Ndrangheta kalabreze. Pra, autoritetet nuk kanë patur fat për të bërë që pjesëtarët e ‘Ndraghetas të spiunojnë njëri-tjetrin, për shkak se të gjithë pjesëtarët e kësaj mafie janë familje në kuptimin e plotë të fjalës, ndryshe nga Cosa Nostra që pranon edhe të huaj si “familje”.

-Mbajnë lidhje gjaku

Organizata mban lidhje gjaku mes anëtarëve të saj, duke përdorur shpeshherë martesat. “Vetëm një familje ka bërë mbi katër martesa me një familje tjetër të njëjtë”, ka treguar një ekspert për Guardian. Duke qenë se anëtarësimi në ‘Ndragheta është i kufizuar tek të afërmit, bosët përpiqen që të maksimizojnë numrin e pasardhësve të tyre.

– Parakaluan Cosa Nostra-n në trafiku e drogës

Ilaria Meli, kërkuese e Observatorit të Krimeve të Organizuara në Universitetin Statale në Milano thotë se Ndrangheta hyri më shpejt se Cosa Nostra në trafikun e drogës. Strategjia e tyre solli miliarda dollarë në arkën e grupit mafioz.

– Gabimet e Cosa Nostra-s

Ngritja e “Ndrangheta-s” u ndihmua edhe nga gabimet strategjike të mafias siciliane. Në fund të viteve 1980, “Cosa Nostra” nisi një politikë “antishtet”, që kulmoi me vrasjen e dy gjykatësve kryesor të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992. Qeveria reagoi duke zhvendosur ushtrinë në Siçili dhe duke miratuar një ligj të ri që lejonte mbajtjen në izolim të kriminelëve që kishin lidhje me mafien. Kjo gjë dëmtoi interesat e “Cosa Nostra-s” jashtë Siçilisë dhe ata nisën të riorganizoheshin vetëm pas disa vitesh.

– Si e pësojnë ata që dalin kundër

Grupi ka një strukturë hierarkie të panegociueshme. Kur Carmelo Novella, kreu i Ndrangheta-s në Lombardi u përpoq të vepronte në mënyrë të pavarur, ai u vra në vitin 2008 nga një prej drejtuesve të mafies në Kalabri.

– Hierarkia

Gradët në hierarki të çdo bande kriminale të Ndrangheta-s janë të ndryshme. Hierarkia është kjo:

Giovane d’onore (I ri nderi). Nuk është një gradë e vërtetë. Më shumë ka të bëjë me “të drejtën e gjakut”, një titull që merret në momentin e lindjes dhe që i takon fëmijëve të ndrangetistëve dhe më pas mund të marrin titullin “Uomo d’onore” (Burrë nderi);

Picciotto d’onore (Ushtar nderi). Është grada e parë e vërtetë e ‘karrierës’ ndrangetiste. Bëhet fjalë për një ekzekutor urdhrash, që duhet t’u bindet plotësisht urdhrave të atyre që janë më lart në hierarki në mënyrë që të marrë përfitimin. Ushtarët, në praktikë, janë këmbët ose më mirë trupi i kapove të bandave kalabreze.

Sgarritsta (Bosat e vegjël) janë persona që përdoren për mbledhjen e ryshfeteve;

Santista (I shenjti). Ai që merr këtë gradë do të thotë se ka përparuar shumë në fushën e krimit, pra e merr atë për merita kriminale.

Quintino (i Pesti) është grada më e lartë që një ndrangetist mund të arrijë. Kjo i atribuohet një numri të kufizuar mafiozësh që njihen për përgjegjësitë e tyre të mëdha në organizatë dhe që mbajnë një tatuazh një yll me 5 cepa.

Associazione (Shoqata). Për këtë gradë Pino Scriva flet për herë të parë. Përfaqëson pushtetin më të lartë të Ndrangheta-s dhe zgjidhet kolektivisht. Në këtë nivel arrijnë kapot e familjeve që përfshihen në një numër të madh degësh, kanë aleancë dhe mbrojtje politike, dhe që janë të aftë të ndikojnë jo vetën në krahinën dhe zonën e tyre, por edhe në organizatat jashtë vendit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco