Ngacmimet seksuale në punë ‘shkarkojnë’ themeluesin e ‘Uber’

Ngacmimet seksuale në punë ‘shkarkojnë’ themeluesin e ‘Uber’

04:39, 22/06/2017
A+ Aa A-

Themeluesi i “Uber”-it, Travis Kalanick është detyruar të japë dorëheqjen, pas presioneve nga aksionerët e tjerë.

Largimi i tij vjen në vazhdën e një rishikimi të praktikave të firmës dhe skandaleve, që përfshijnë edhe ankesat për ngacmim seksual.

Javën e kaluar, Kalanick kishte njoftuar se do të merrte pushime pa afat pas vdekjes së papritur të së ëmës në një aksident me varkë. 40-vjeçari do të vazhdojë, megjithatë, të mbetet në bordin drejtues të kompanisë avantgardiste teknologjike dhe të shërbimit taksi, që tani po eksperimenton me makinat pa shofer.

Akuzat për ngacmime seksuale, diskriminim dhe bullizëm i detyruan drejtuesit e saj të pezullonin nga puna 20 pjesëtarë të stafit javën e parë të qershorit. Largimet erdhën pas një raporti të firmës ligjore “Perkins Coie”, të cilën “Uber” e kishte pajtuar të verifikonte shqetësimet e ngritura prej disa punonjësve.

Firma në fjalë po punonte paralelisht me një hetim më të gjerë të nisur nga ish-prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder, ndaj kulturës dhe praktikave të punës në këtë kompani. Situata e krijuar bëri që 5 investitorë madhorë të “Uber”-it të kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të Kalanick, nga posti i shefit ekzekutiv.

“E dua Uberin më shumë se çdo gjë tjetër në botë, - raportohet të ketë thënë ai, - dhe në këtë moment të vështirë të jetës sime personale, e kam pranuar kërkesën e investitorëve për të bërë mënjanë, në mënyrë që Uber të vazhdojë përparimin, në vend që të bllokohet në një tjetër luftë”.

I konsideruar si “start up”-i më me vlerë në botë dhe udhëheqës i garës për transformimin e të ardhmes së transportit, “Uber” u krijua vetëm pak vite më parë, por është shtrirë me shpejtësi befasuese në shumë vende të botës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco