Presidenti Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për mjedisin

Presidenti Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për mjedisin

21:31, 28/03/2017
A+ Aa A-

Presidenti Donald Trump nënshkroi të martën pasdite një urdhër ekzekutiv për mjedisin, që ndryshon rregulloret për mjedisin të nënshkruara gjatë administratës së ish presidentit Obama. Ky hap po e rindez debatin dy partiak lidhur me ndikimin e aktivitetit njerëzor tek klima në Tokë, dhe shton shqetësimin për prishjen e një numri traktatesh botërore të klimës.

"Ne do t'u kthejmë punën minatorëve tanë dhe do të prodhojmë qymyr të pastër" - tha gjatë ceremonisë së nënshkrimit zoti Trump.

“Shumë njerëz janë të mendimit se kjo do të ishte diçka katastrofike”- i tha Zërit të Amerikës në një intervistë laureati i Çmimit Nobel, holandezi Paul Crutzen. “Gjithshka që është arritur mund të shkatërrohet, prandaj mendoj se shumë shkencëtarë nuk kanë për ta pëlqyer këtë vendim.”- tha Crutzen, fitues i Çmimit Nobel të Paqes të vitit 1995, për punën e tij kërkimore për të shpjeguar boshatisjen e shtresës së ozonit të Tokës.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha të martën se ky vendim i presidentit do t’i krijojë mundësinë kompanive që të përdorin lirisht “burimet tona të mëdha energjitike”.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha gazetarëve se zoti Trump synon të theksojë dy pikësynime kryesore të mbrojtjes së mjedisit: nxitjen e prodhimit të energjisë në Shtetet e Bashkuara dhe idenë se faktorët ekonomikë janë arsyeja kryesore për marrjen e urdhërave ekzekutive. “Mënyra më e mirë për të mbrojtur mjedisin është zhvillimi ekonomik i vendit” - tha zyrtari.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se urdhëri i Presidentit kërkon që Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të rishikojë të gjitha rregulloret e përcaktuara në Planin për Energji të Pastër.

Presidenti Trump e ka cilësuar vazhdimisht si të pavlefshme politikën e paraardhësit të tij për klimën. Gjatë fushatës elektorale për president ai i cilësoi nismat e Presidentit Obama për energji të pastër “jo të mënçura”, pasi sipas tij, rregulloret çojnë në “mbylljen e vendeve të punës”.

Propozimi për buxhetin i zotit Trump për 2018 ul fondet për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit me 31 për qind, duke përfshirë një shkurtim pothuajse të plotë të fondeve për kërkime në këtë fushë.

Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit kanë reaguar të alarmuar ndaj politikave të zotit Trump për klimën, duke u shprehur se ato po e çojnë vendin në rrugën e gabuar. /zeriamerikes/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco