30-vjeçari që pretendon se është djali i paligjshëm i Bill Clinton

30-vjeçari që pretendon se është djali i paligjshëm i Bill Clinton

09:37, 21/10/2016
A+ Aa A-

30-vjeçari Danny Williams, që u bë i famshëm së fundmi në Shtetet e Bashkuara me pretendimin se është djali i ish-presidentit Bill Clinton, jo vetëm që është i bindur për këtë, por sfidon ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë me kryerjen e testit të ADN-së.

Williams deklaroi se është duke përgatitur dosjen për të mbrojtur në një gjykatë të Nju Jorkut pretendimin e vet se Bill Clinton është babai i tij, citon Koha Ditore.

Kjo nuk është hera e parë që qarkullojnë zëra të tillë, madje ata kanë nisur që me lindjen e Danny-t në vitin 1985. Në atë kohë, e ëma e tij, një prostitutë me ngjyrë deklaronte e bindur se Bill Clinton ishte babai i foshnjës së saj, duke dhënë si argument se ai ishte i vetmi ‘klient’ i bardhë me të cilin kishte shkuar në atë periudhë.

Në vitin 1999, revista “Star” përjashtonte mundësinë se Bill Clinton ishte babai i Danny Williams pas një testi ADN të kryer në atë kohë, por të tjerë vunë në dyshim saktësinë e këtij testi.

“Kam arsye të forta të besoj se jam djali i ish-Presidentit Bill Clinton. Unë thjesht kërkoj të vërtetën dhe me respekt kërkoj një test ADN-je nga Presidenti Clinton për të përcaktuar atësinë time. Deri më tani, kërkesat e mia kanë rënë në vesh të shurdhër, ndaj sot autorizova avokatët e mi që të përgatisin një dosje për ta dorëzuar në gjykatën e Nju Jorkut për një test ADN-je të mbikëqyrur prej tyre”, deklaroi vetë 30-vjeçari Danny Williams ditën e mërkurë.

Por pse mbërrin pikërisht tani kjo padi? Disa analistë e interpretojnë si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Clintonëve në prag të 8 nëntorit, kur Hillary kandidon për Presidente e Shteteve të Bashkuara përballë Donald Trump.

Gjithsesi, vetë Danny e mohon këtë. Ai thotë se nuk ka asnjë kontakt me stafin e Donald Trump dhe as ka marrë para prej tyre.

“Kam gjithë jetën time që kërkoj një test ADN-je për të përcaktuar atësinë time. E kam bërë këtë edhe më herët, por vetëm në këtë periudhë mund të siguroj vëmendje maksimale nga mediat”, deklaroi ai.

Në vitin 1990, “The Globe” publikoi një intervistë të Bobbie Anne Williams, mamaja e Danny. Në të ajo rrëfente versionin e saj sesi e kishte njohur Bill Clinton dhe sesi kish nisur me të një raport intim. Ajo deklaronte se për herë të parë u njoh me Clinton kur ky i fundit kishte dalë për vrap në Little Rock në Arkansas. Në atë kohë, Clinton sapo ishte zgjedhur Guvernatori i këtij shteti.

Sipas Bobbie, në takimin e parë ai iu prezantua dhe pak ditë më vonë u rikthye sërish duke paguar 200 dollarë për marrëdhënie intime.

“Pas kësaj patëm rregullisht takime intime, disa herë vetëm ne të dy dhe herë të tjera edhe me partnere të tjera femra”, deklaronte Bobbie në atë kohë për “The Globe”.

Në rrëfimin e dhënë, Bobbie këmbëngul se ku kuptoi se ishte shtatzënë i shkoi Bill Clinton në zyrë duke i thënë se po rriste djalin e tij dhe se përgjigjia që kishte marrë ishte një mohim i prerë.

Ndërkohë, në Facebook 30-vjeçari Danny ka hapur një faqe me emrin Danny Williams-Clinton ku poston vazhdimisht foto krahasuese mes tij dhe Bill Clinton.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco