Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

E majta dhe e djathta / Rolet janë përmbysur, për faj të arrogancës të së majtës

E majta dhe e djathta / Rolet janë përmbysur, për faj të arrogancës të së majtës

23:33, 22/01/2017
A+ Aa A-

 

Nga Slavoj Zizek

Si të zbulojmë politika në shkallë të jerë, përballë çështjeve më të rëndësishme të botës së sotme, nga ekologjia tek biogjenetika  deri tek kapitalizmi financiar? Eshtë e qartë se kemi nevojë të rigjejmë mekanizma të gjerë transnacionalë kontrolli, dhe mekanizma efikasë ndërhyrjeje, të kapërcejmë fiksimin e të majtës për vetëorganizimin lokal dhe marrëdhënien e drejtpërdrejtë me bazën, në drejtim të një organizimi më eficient dhe të gjerë, në nivel shtetëror dhe mbishtetëror.

Përse kjo është kaq vendimtare sot? Sepse zgjedhja sot është gjithnjë e më pak, ajo mes ëndrrës liberaldemokratike të Fukujamës nga njëra anë, dhe komunizmit nga ana tjetër. (A e dini që – dhe ma ka thënë vetë ai – që as edhe Fukujama vetë nuk është më fukujamist? Me gjendjen e re të gjërave – pasojat e marra të pavarësisë së tepruar të kapitalit financiar, katastrofat ekologjike etj – ka braktisur tezën e tij të realizueshmërisë së ëndrrës liberal-demokratike). Mendoj se është ky mësimi që duhet të nxjerrim, nga shpërthimi i madh i populizmave, që jemi duke parë. Jo vetëm Trump, por Brexit, Marine le Pen, e deri tek partia konservatore nacionaliste e Kaczynskit në Poloni, aktualisht në pushtet. Eshtë e qartë që hapësira për to u krijua nga dështimi i të majtave: me të majtë tani nënkuptoj mbetjet e socialdemokracisë, e majta institucionale, apo e majta liberale, që ndoshta as nuk duhet ta quajmë të majtë.

Eshtë e qartë se kjo ka ndodhur në SHBA. Donald Trumpi është një simptomë e Hillary Clintonit, në kuptimin që paaftësia e partisë demokratike për t’u zhvendosur majtas krijoi hapësirën e zënë prej Trumpit. Nuk dua ta quaj Bernie Sandersin komunist, por është e qatë se klasat e ulëta, duke mbështetur atë, shprehën një pakënaqësi autentike popullore që më pas, establishmenti i të majtës liberale nuk ishte në gjendje ta përfshinte, dhe që u kanalizua drejt të djathtës populiste. Dhe nuk ndodh vetëm në SHBA. Për mua, shembulli ndoshta më tragjik, është ai i Polonisë. Partia E Drejtë dhe Drejtësi e Jaroslav Kaczynskit. Vitin e fundit, qeveria ka ulur moshën e pensionit, ka nisur transferime të mëdhaja sociale, për shembull për nënat, ka bërë më të aksesueshëm arsimin dhe kurat mjekësore. Për punëtorët kanë bërë më shumë se çdo qeveri e majtë. Natyrisht, këto shoqërohen edhe me racizmin dhe nacionalizmin e tyre. Dhe Marine Le Pen premton se Franca do të bëjë të njëjtën gjë.

Edhe tek Trumpi vihen re elemente të kësaj pseudo të majte protofashiste. Trumpi premton në SHBA atë që askush, në të majtë, nuk do të ëndërronte ta propozonte: mijëra mliarda dollarë për vepra të mëdha publike për të rritur punësimin, e kështu me radhë. A nuk është ky paradoksi ekstrem, që shkakton gradualisht këtë polaritet të ri? E majta liberale zyrtare është ekzekutuesja më e mirë e politikave të kursimit, edhe pse ruan karakterin e saj progresist në luftërat e reja sociale antiraciste dhe antiseksiste; nga ana tjetër, e djathta konservatore, fetare dhe anti imigrim, është e vetmja forcë politike që propozon ndryshime të konsiderueshme sociale për të mbështetur seriozisht punëtorët. Bëhet fjalë për një situatë të pabesueshme. Për të bërë një minimum politike të majtë, të paktën në kuptimin e saj tradicional, duhet të jesh nacionalist i djathtë, dhe për të ndjekur politikat e rreptësisë fiskale, duhet të jesh i majtë i moderuar.

Mendoj se në SHBA, kjo dekadencë arrogante e të majtës mishërohet më së miri nga një fenomen që quhet skajor, por që unë e konsideroj simptomë: popullariteti ekstrem mes elitave intelektuale, i llojit të ri të zhanrit televiziv, që përzien shfaqjet me komentin politik me humorizëm, që nga e përditshmja e Xhon Stjuart, deri tek Xhon Oliver. Praktikisht, ajo që bëjnë, është që vënë në lojë njerëzit e zakonshëm, populistët. Në vend të përballen me problemet reale, ajo që bëjnë është që mishërojnë arrogancën e elitave liberale. Në SHBA vihet ri ky konfigurim i marrë: njerëzit e varfër votojnë, në pjesën më të madhe, për Trumpin dhe për super të pasurit, dhe e majta liberale zyrtare i poshtëron duke vënë në lojë idiotësinë e tyre.

Cili është konkluzioni që mund të nxjerrim nga kjo situatë kaq absurde? Duhet të braktisim ëndrrën komuniste? Duhet t’i lëmë edhe një tjetër mundësi “fukujamizmit të së majtës”? Jo. Pikërisht për shkak se shpërthimi i fundit i populizmit të së djathtës është simptomë e dështimit të të majtës liberale moderne, detyra jonë nuk mund të kufizohet në luftimin e Trumpit dhe Le Penit. Nëse do ta bënim, do të ishte njësoj si ajo që ndodh në mjekësi e që quhet “eleminim i simptomave”: je i sëmurë, ndien dhimbje, merr qetësues, por sëmundja është prapë aty. Kritikat ndaj Trumpit janë vetëm kura simptomatike: detyra e vërtetë është që të analizojmë se çfarë nuk ka funksionuar në të majtën e moderuar e liberale. Jemi ne që duhet të ndryshojmë, ne që ende konsiderohemi të majtë. Duhet të gjejmë mënyrën t’u drejtohemi punëtorëve, duke kapërcyer korrektësinë politike. Eshtë kjo tragjedia jonë, por në të njëjtën kohë, edhe shpresa jonë. Cilat janë krizat tona më të mëdha sot? Ekologjia, që është një problem i të mirave të përbashkëta, të kërcënuara. Edhe kriza financiare lidhet me to. Pronësia intelektuale ka të bëjë me të mirat e përbashkëta simbolike. Biogjenetika ka të bëjë me zotërimet tona gjenetike: kush do i kontrollojë, kush do të udhëheqë zhvillimin? Dhe kriza e refugjatëve vë në lojë të mirat e përbashkëta elementare të njerëzimit.

Së dyti, duhet të kapërcejmë logjikën heroike të shtetit-komb. Si e shohim të shkruar edhe tek Hegeli, zhvillimi ekstrem i idesë së heroizmit patriotik është lufta. Kjo për mua është esenca e komunizmit: kapërcimi i shtetit-komb dhe logjikës së tregut dhe rigjetja e të mirave të tjera të përbashkëta. Eshtë e qartë se për të gjithë ne bëhet fjalë për një çështje mbijetese. / Në shqip nga www.bota.al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco