Historiani gjerman: Fjalimi i Trump, një manifest frikësues i egocentrizmit nacional

Historiani gjerman: Fjalimi i Trump, një manifest frikësues i egocentrizmit nacional

13:52, 22/01/2017
A+ Aa A-

«Një fjalim inaugurues aq dëshpërues të një presidenti amerikan bota nuk e ka përjetuar kurrë:më 20 janar 2017 mbase mori fund përgjithmonë», thotë historiani gjerman Heinrich August Winkler. 

Heinrich August Winkler është njëri prej historianëve më të rëndësishëm europianë. Gjermani 78-vjeçar, profesor shumëvjeçar në Universitetin Humboldt të Berlinit, është autor i vepre të jashtëzakonshme: «Historia e Perëndimit» në katër vëllime. Ai po ashtu ka shkruar librin mbase më të rëndësishëm mbi historinë gjermane («Rruga e gjatë drejt Perëndimit»).

Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane «Blick» sipas Dialogplus, Winkler ka folur për gjendjen e Perëndimit pas inaugurimit të Donald Trumpit si kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Winkler ka goditur sidomos fjalimin e parë të Trumpit si president i SHBA-ve. «Fjalimi ishte një manifest frikësues i egocentrizmit nacional, i proteksionizmit ekonomik, demagogjisë sociale dhe mendimit të ekzagjeruar për vetveten. Asnjë fjalë për pajtimin e brendshëm të vendit të tij të përçarë thellë, për përgjegjësinë e SHBA-ve ndaj politikës botërore, për solidaritetin me aleatët dhe miqtë e lirisë në mbarë botën, për të drejtat e njeriut, në frymën e të cilave janë themeluar Shtetet e Bashkuara më 1776. Një fjalim inaugurues aq dëshpërues të një presidenti amerikan bota nuk e ka përjetuar kurrë. : më 20 janar 2017 mbase mori fund përgjithmonë».

Winkler tha se nëse Amerika ia kthen shpinën vlerave të përbashkëta transatlantike, gjë që duket e mundshme nga Trumpi, atëherë kjo do të ishte një kthesë e madhe historike. Historiani gjerman është skeptik që Gjermania mund të luajë rolin e shtetit që mbron vlerat perëndimore. «Do të ishte një akt i çmendurisë gjermane nëse vendit tonë do t’i jepej roli i Zëvendësamerikës. SHBA-të janë të pazëvendësueshme».

Winkler tha se është e mundshme që Trump të shkarkohet nëse atë e mbulojnë skandalet e së kaluarës dhe proceset gjyqësore të papërfunduara.

Duke folur për emigracionin botëror, Winkler nënvizoi se Merkel nuk ka gabuar kur ka vendosur t’i pranojë refugjatët që mbetën në Hungari në verën e vitit 2015, por ai tha se asnjë demokraci perëndimore nuk mund t’i zgjidh në territorin e vet problemet e botës së tretë. Winkler është i bindur se e ardhmja e Bashkimit Europian varet nga rezultati i zgjedhjeve të sivjetshme presidenciale në Francë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco