Zgjedhja e Trump për ambasadorin e Izraelit shkakton debate të 'papara' botërore, ja pse

Zgjedhja e Trump për ambasadorin e Izraelit shkakton debate të 'papara' botërore, ja pse

08:38, 17/12/2016
A+ Aa A-

Juristi i çështjeve të falimenteve financiare me preferenca të forta të djathta, David Friedman, është personi i përzgjedhur nga  Donald Trump si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Izrael.Në një deklaratë ku pranon emërimin, zoti Friedman thotë se pret me padurim të marrë detyrën “në ambasadën amerikane në kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit, në Jeruzalem”.

Por  Friedman ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj një prej parimeve kryesore të politikës amerikane në rajon – zgjidhjes së dy shteteve, atij izraelit dhe palestinez, në bashkëjetesë paqësore me njëri-tjetrin. Ai gjithashtu i ka krahasuar hebrenjtë liberalë në SHBA me hebrenjtë që ndihmuan nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zoti Friedman ishte këshilltar i zotit Trump gjatë fushatës, kur zoti Trump tha se do ta zhvendosë ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, një masë që do të krijojë me siguri kundërshti ndërkombëtare, në veçanti nga bota arabe.

Kryetari i bashkisë së Jeruzalemit, Nir Barkat, i tha këtë javë agjensisë së lajmeve Associated Press se ka biseduar me stafin e zotit Trump për zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem. Nga bisedat, zoti Barkat thotë se ka nxjerrë konkluzionin se zoti Trump e ka seriozisht idenë e zhvendosjes.

Image

Edhe në të kaluarën, presidentë amerikanë kanë folur për zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem, por asnjëherë nuk ndërmorën hapa konkrete.

Zoti Friedman mbështet gjithashtu aneksimin e Bregut Perëndimor, diçka që shumica e komunitetit ndërkombëtar e konsideron të paligjshme.

“Ky emërim është i pamatur. Friedman është përtej cakut të kritereve për të cilat duhet të shohin Senatorët amerikanë tek personi që duhet të përfaqësojë SHBA-në në Izrael”, tha Jeremy Ban-Ami, president i “J Street”, një organizatë e majtë pro-Izraelit në SHBA.

Organizata konservatore e hebrenjve amerikanë, “The Zionist Organization for America”, mirëpriti lajmin, duke u shprehur se zoti Friedman ka “potencialin për t’u bërë ambasadori më i mirë që ka dërguar ndonjëherë SHBA-ja në Izrael./voa/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco