Një mbrojtje bërthamore evropiane dhe një Gjermani atomike?!

Një mbrojtje bërthamore evropiane dhe një Gjermani atomike?!

14:27, 10/12/2016
A+ Aa A-

Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan në numrin e saj të datës 10 dhjetor për një lëvizje në rreth të ngushtë mes drejtuesve europianë për të rishikuar strategjitë e mbrojtjes bërthamore. Sipas revistës, që citon diplomatë, drejtuesit europianë nuk e kanë përmendur idenë në asnjë prej takimeve të NATO-s, duke këmbëngulur që çështja të qëndrojë me çdo kusht larg debatit publik.

Kjo nismë ende në embrion, ka marrë udhë nga fitorja e Donald Trump dhe qasjet e tij për të rishkuar de facto kontratat e anëtarësisë në Aleancë. Mbajtja larg mediave dhe publikut e kësaj ideje që synon të realizojë mbrojtjen bërthamore të Europës pa ndihmën dhe garancitë e arsenalit amerikan, është bërë siç shkruan revista, për të mos hapur “kutinë e Pandorës” që do të çonte në fundin e NATO-s përpara, ose paralel me ato që mund të prodhojë politika e Trump.

“Është një gjë e mirë që më në fund kjo po bisedohet. Çështja e së ardhmes mbrojtjes bërthamore të Europës është problemi kryesor që nuk po adresohet në debatin për sigurinë e kontinentit. Nëse garancia bërthamore amerikane bie, atëherë do të jetë e rëndësishme të qartësohet sesi do të mbrohemi në të ardhmen”, citon revista Jan Techau, drejtori i Forumit Holbrooke në Akademinë Amerikane në Berlin.

Skenari i parë që parashikohet është ndërtimi i mekanizmit mbrojtës bazuar në arsenalin britanik dhe atë francez. Revista referon edhe një shkrim të para disa kohëve në “Foreign Affairs” ku sugjerohej se përgjegjësia e strategjisë së mbrojtjes bërthamore përmes frenimit, i kalon Gjermanisë. E cila duhet të bazohet mbi arsenalin e Britanisë dhe Francës.
Nuk është e qartë si do të ecet me këtë ide, sa kohë ajo sfidohet nga të paktën dy momente: së pari largimi i Britanisë nga BE-ja formalisht është një boshllëk edhe në siguri. Për më tepër që Britania e Madhe ende nuk ka folur nëse marrëdhënia e saj e veçantë me SHBA-të do të jetë e mundur edhe me Trump.

Së dyti është refuzimi i gjermanëve për të marrë nën përgjegjësi mbrojtjen bërthamore. Kjo si pasojë e një fryme pacifizmi që buron nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e konsideron “të pamendueshme” një “bombë gjermane”
“Gjëja e fundit që na duhet tani”, citohet shkrimi nga “Der Spiegel” si një qasje që duhet mbajtur shënim.

Po kështu kreu i Konferencës së Mynihut, Wolfgang Ischinger shprehet se “do të ishte një gabim katastrofik nëse ky diskutim do të niste në Berlin”, çka do të thotë se kontrata e pas luftës mes gjermanëve dhe rusëe kalon nga shmangia e çdo përballjeje të re apo edhe çdo premise që çon në keqllogaritje. Dhe kjo, pas bashkimit të Gjermanisë mund të garantohet vetëm nëse Berlini refuzon dhe jep garanci që nuk do të vijë në posedim të armës bërthamore.
Debati është hapur tashmë formalisht për shkak të Trump. Europa po thirret në përgjegjësi të cilave nuk mund t’u ikë më në botën që po vjen. Sesi do t’i marrë këto përgjegjësi dhe se çfarë mekanizmash garantues do të japë, do të përcaktojë edhe sigurinë, paqen e saj, por edhe një stad të ri të raporteve me historinë e afërt politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco