Skandali farmaceutik në Greqi, Komision për hetimin e ish-ministrave

Skandali farmaceutik në Greqi, Komision për hetimin e ish-ministrave

12:29, 22/02/2018
A+ Aa A-

Pas një seance plenare maratone që ka zgjatur gati 20 orë, Parlamenti grek ka aprovuar me shumicë votash krijimin e një komisioni të shqyrtimit paraprak, për hetimin e skandalit të madh ekonomik të gjigantit farmaceutik “Novartis” në të cilin përfshihen 10 emra të fuqishëm të politikës greke, konservatorë dhe socialistë, që kanë shërbyer në ministritë kyçe të Shëndetësisë dhe Financës prej 2006-s deri në vitin 2015.

Propozimi që paraqiti mazhoranca qeveritare është pranuar nga 218 prej 300 deputeteve të pranishëm pasi ata të Demokracisë së Re kanë refuzuar të votojnë.

Kështu para një komisioni prej 21 deputetësh do të hetohen individualisht në bazë të dosjes që ka sjellë në Parlament organi i Prokurorisë, dy ish-kryeministrat, Antonis Samaras dhe Panajotis Pikrammenos si dhe tetë ish-ministrat, midis tyre Komisioneri Europian Dimitris Avramopoulos, nënkryetari i Demokracisë së Re Adonis Gjeorgjiadhis, ish-lideri i Pasok, Evaggelos Venizelos, dhe Guvernatori i Bankës së Greqisë Janis Strunaras.

Edhe njëherë salla e Parlamentit u shndërrua në një arenë akuzash politike nga deputetët e të gjitha partive që në thelb kanë pranuar ekzistencën e skandalit, ndërsa të implikuarit kanë refuzuar çdo akuzë. Kryeministri grek Alexis Tsipras ka deklaruar se grekët duhet të dinë të vërtetën ndaj dhe qeveria e tij po ndihmon të zbardhet ky skandal i cili përllogaritet të ketë shkaktuar dëme në buxhetin shtetëror më shumë se 12 mld euro në vit.

Rasti i Novartis në Greqi është pjesë e një skandali global të kolosit zviceran farmaceutik që akuzohet për praktikat e korruptimit të zyrtarëve të lartë dhe mjekëve në mënyrë që të mbizotëronte në tregun e barnave, duke rritur çmimet e tyre ndaj individëve dhe sistemit publik shëndetësor dhe duke përfituar miliarda euro nga fondet kryesisht te skemave te sigurimeve shoqërore.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco