Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës

CDU me sekretare të re

CDU me sekretare të re

10:02, 21/02/2018
A+ Aa A-

Merkel sjell një të besuarën e saj si sekretare të përgjithshme të CDU-së. Pas kësaj mendohet të qendrojë një kurs i ri.

Edhe Angela Merkel ka qenë një herë, prej vitit 1998 deri në vitin 2000, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokristiane, CDU. Ky post jo rrallë ka shërbyer si trampolinë për karrierë partiake. Emërimi i Annegret Kramp-Karrenbauerit, e njohur edhe me akronimin AKK, si sekretare e përgjithshme e CDU-së, mund ta vërtetojë edhe një herë këtë teoremë politike. Së paku, kështu kuptohet kjo lëvizje në mediat sociale.

Sigurisht, çfarë thonë mediat sociale, janë spekulime. Por çfarë mund të thuhet me siguri për Kramp-Karrenbauerin, është se ajo është një person i besueshëm i Merkelit. Të dyja kanë pikëpamje të ngjashme politike. Ato përfaqësojnë një CDU moderne, të hapur në aspektin politiko-shoqëror dhe të gatshme për të bërë koalicion edhe me Të Gjelbrit.

Por ato ngjajnë edhe për nga tipi. Të qeta, thuajse modeste para publikut, pa aspak ekzagjerim. Politologu Karl-Rudolf Korte e cilëson këtë brez të ri politikanësh të tipit të Merkel-it, si diçka që përkon me "dëshirën e gjermanëve për qendrureshmëri dhe orientim". Korte e ka përshkruar Merkelin dikur në një intervistë si "disi pa pasion dhe të ftohtë, por serioze dhe autentike në shërbim të zgjedhësve dhe jo të vetes." Ky përshkrim i shkon më së miri edhe Kramp-Karrenbauerit. Por pas këtyre figurave qendron një ambicie shumë e lartë politike.

Një kryeministre e fortë

Merkeli ishte përpjekur prej kohësh ta afronte kryeministren aktuale të republikës së vogël në kufirin franko-gjerman, Saarland. Ajo e njeh prej shumë vjetësh 55-vjeçaren, e cila prej vitit 2010 është anëtare e kryesisë së partisë. Emri i saj është diskutuar madje edhe për presidente të Gjermanisë.

Por ka edhe disa dallime mes dy grave: Kramp-Karrenbauer është katolike dhe nënë e tre fëmijëve, Merkel protestante dhe pa fëmijë. Para pak kohësh Kramp-Karrenbauer mbajti një fjalim humoristik në karneval, diçka që vështirë të përfytyorhet për Angela Merkelin.

Para gati një viti, në mars 2017, Kramp-Karrenbauer i fitoi sërish zgjedhjet në landin e vet, duke e ruajtur postin e saj si kryeministre me një rezultat çuditërisht të mirë për CDU-në: afro 40 përqind. Për herë të dytë ajo krijoi një koalicion me socialdemokratët. Në dhjetor 2017, në një anketim përfaqësues, afro 45 përqind e anëtarëve të CDU-së ishin të mendimit se Kramp-Karrenbauer ishte e përshtatshme për t'u bërë pasardhësja e Merkelit. Miratimi ishte më i lartë se për politikanët e tjerë të CDU-së, për të cilët ishte shtruar e njëjta pyetje.

Rrefuzim ndjaj krahut të djathtë

Në fakt, lajmi që Merkel po e sjell Kramp-Karrenbauerin në Berlin nuk do të kishte çuditur askënd në një situatë tjetër politike. Sepse ishte diçka që pritej. Por, në një kohë që në zgjedhjet federale, ku CDU-ja pësoi humbje të hidhura, ndërsa populistët djathtistë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) dolën me fitore dyshifrore, në CDU u hap debati rreth pyetjes se mos nevojitej ndoshta një orientim i ri politik i partisë. Se a ishte i drejtë kursi i Merkelit për ta shtyrë partinë kah mesi politik?

Diskutimi u gjallërua edhe njëherë këtyre ditëve, kur bisedimet e ngurta për koalicionin e ri qeveritar me socialdemokratët (SPD) përfunduan me një ndarje ministrish që për ndokënd në CDU ishte zhgënjyese. Flitej se Merkel kishe negociuar keq, sepse për shembull, ua kishte lënë socialdemokratëve ministritë e Financave dhe të Drejtësisë. Madje kishte zëra kritikë që kërkonin edhe program të ri parimor për CDU-në. Programi aktual është i vitit 2007 dhe është bazuar në kursin modernizues dhe stabilizues të Merkelit.

Motra bavareze e Unionit Demokristian, Unioni Kristiancocial (CSU), javëve të fundit kishte reaguar ndaj konkurencës së kijuar nga AfD me një zhvendosje drejt kah e djathta: Sekretari i përgjithshëm i saj kërkoi një kthesë të re "konservatore"; një përfaqësuses i krahut të djathtë në CSU, Markus Söder, sipas të gjitha gjasave do të bëhet kryetar partie dhe kryeministër i Bavarisë.

Do të ketë edhe ndryshime të tjera

Reagim i ngjashëm ishte pritur edhe nga politika e Berlinit dhe Merkelit. Zëvendësimi i sekretarit të përgjithshëm të deritanishëm të CDU, Peter Tauber, në fakt nuk ishte ndonjë surprizë. Ai kishte kohë që mungonte për shkak të një sëmundjeje serioze. Por kjo lëvizje kishte edhe shkaqe të tjera: Sepse Tauberi kishte bërë disa gabime politike dhe nuk kishte arritur të dëshmonte shumë forcë politike. Që në fushatën zgjedhore, terreni i mirëfilltë ky për një sekretar të përgjithshëm, Merkel i kishte vënë atij dikë tjetër përballë. Asokohe kjo u kuptua si e shtënë paralajmëruese.

Kohëve të fundit ka pasur spekulime edhe për emra të tjerë. Për shembull, për Jens Spahn-in, i cili në CDU konsiderohet si shpresë e re konservatore. Por lëvizjet nuk kanë përfunduar ende. Merkel ka premtuar se deri në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë që do të mbahet pas një jave, më 26 shkurt, ajo do të prezantojë ndryshimet e kreut partiak. A do t'i marrë në bord edhe kritikët e saj brenda partisë apo do të vazhdojë me rigorozitet kursin e saj?

Ardhja e Kramp-Karrenbauerit sinjalizon se Merkel nuk do që CDU të zhvendoset nga e djathta. Rizgjedhja e saj në krye të partisë në kongresin e ardhshëm të rregullt konsiderohet e gjasshme. Një ndër kritikuesve të Merkelit nga radhët e veta, kryetari i Bashkimit të Ekonomisë, Martin Linneman, ka sinjalizuar am që tani mbështetje: Kramp-Karrenbauer është "personi i duhur për të ribashkuar krahët dhe rrymat e ndryshme në partinë tonë".

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco