Emiri i Katarit bën thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë në Lindjen e Mesme

Emiri i Katarit bën thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë në Lindjen e Mesme

17:37, 17/02/2018
A+ Aa A-

Emiri i Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, bëri thirrje – gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih dje të premten – për një marrëveshje rajonale në fushën e sigurisë në mënyrë që t'i jepet fund trazirave në Lindjen e Mesme dhe për të garantuar një zonë të sigurt më të gjerë rajonale. Në këtë kontekst Emiri theksoi se rajoni i Gjirit ka nevojë për një kuadër të ngjashëm me atë të Bashkimit Evropian.

Ai paralajmëroi se "Lindja e Mesme ndodhet në buzë të greminës dhe se të gjithë duhet të bashkëpunojnë për ta shpëtuar atë nga humnera", duke shtuar se "është koha për të arritur një marrëveshje për siguri më të gjerë për të gjithë rajonin".

Nga ana tjetër, Sheikh Tamim vuri në dukje se kriza Gjirit është "e kotë dhe e stisur nga fqinjët tanë", duke iu referuar vendeve të bllokadës të përfaqësuara nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti. Ai siguroi se Katari "u shfaq më i fuqishëm pas bllokadës së dështuar sesa më parë ", duke cilësuar vendet e bllokadës si "aventurierë" që kanë dëmtuar sigurinë dhe horizontin ekonomik të sistemit GCC-së (Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit).

"Kjo bllokadë e dështuar ka treguar se si vendet e vogla mund të përdorin diplomacinë dhe planifikimin ekonomik strategjik për të luftuar aktet e agresionit nga fqinjët e mëdhenj dhe lakmitarë", tha ai.

Për çështjen e terrorizmit, Emiri i Katarit theksoi se "errësira e terrorizmit i ka hedhur hijet e saj mbi të gjithë botën", dhe shtoi "Duhet t'i japim fund kushteve që ushqejnë vullnetarë për organizatën terroriste "Daesh (ISIS)".

Image

Në këtë drejtim, Sheikh Tamim Al Thani u bëri thirrje të gjitha vendeve në Lindjen e Mesme të pranojnë ftesën për të arritur në një marrëveshje sigurie gjithëpërfshirëse. "I ftoj të gjitha shtetet e rajonit të vazhdojmë të ushtrojmë presion diplomatik për ta arritur këtë synim", tha Emiri.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres tha gjatë konferencës se mbështet ndërmjetësimin e Kuvajtit dhe përpjekjet e SHBA për të zgjidhur krizën e Gjirit, duke theksuar nevojën për më shumë përpjekje për të zgjidhur krizat në Lindjen e Mesme, duke thënë se me përjashtim të Irakut, të gjitha krizat në Lindjen e Mesme po përkeqësohen.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara konsideroi se makthi më i keq që kërcënon Lindjen e Mesme është shpërthimi i një lufte të re mes "Hezbollahut" dhe Izraelit.

Punimet e sesionit të 54 i Konferencës së Mynihut mbi Sigurinë nisën dje të premten dhe do të vazhdojnë deri të dielën.
Në këtë konferencë që është një nga konferencat më të rëndësishme në të cilat diskutohen çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale, marrin pjesë krerët e 21 vendeve dhe qeverive, më shumë se 80 ministra të jashtëm dhe ministra të mbrojtjes, si dhe 600 delegatë të tjerë anembanë botës që përfaqësojnë fusha të ndryshme.

Konferenca tre-ditore do të diskutojë çështje të rëndësishme, veçanërisht situatën në Siri dhe krizën e Gjirit, programin bërthamor të Koresë së Veriut, marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara si dhe marrëdhëniet midis Moskës dhe Brukselit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco