Imami i Al-Aksas: SHBA me Jerusalemin bëri një shpallje lufte

Imami i Al-Aksas: SHBA me Jerusalemin bëri një shpallje lufte

12:26, 12/12/2017
A+ Aa A-

Sipas imamit të Xhamisë Al-Aksa dhe njëherësh kreut të autoritetit islam të Kudsit (Jerusalemin), Ekrima Sabri, vendimi i javës së kaluar i administratës amerikane për ta njohur Kudsin (Jerusalemin) si kryeqytet të Izraelit është i barabartë me një “shpallje lufte”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për AA, Sabri pohoi se protestat e fundit në mbarë botën ndaj hapit të SHBA-ve tregojnë se Kudsi (Jerusalemi) “nuk i përket vetëm palestinezëve, por të gjithë muslimanëve”. Më tej, ai vazhdoi të bëjë thirrje deri te palestinezët dhe banorët e Kudsit (Jerusalemit) që “me çdo kusht” të mbrojnë qytetin e shenjtë.

“Arroganca amerikane nuk do të arrijë asgjë. Qëndrimi ynë buron nga besimet tona”, u shpreh Sabri, duke shtuar se, “Negociatat ose çfarë do lloj i procesit të paqes tani janë jashtë çështjes, sepse SHBA-të tashmë kanë vendosur qëndrimin e tyre mbi Kudsin (Jerusalemin), duke kundërshtuar vetveten dhe duke zgjedhur luftën”.

Pavarësisht kundërshtimit të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të mërkurën e kaluar njoftoi vendimin e tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.Sipas presidentit Trump, Departamenti Amerikan i Shtetit tashmë ka filluar përgatitjet për të zhvendosur ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Zhvendosja dramatike në politikën e SHBA-ve ngjalli demonstrata në territoret palestineze dhe në disa vende muslimane.Jerusalemi mbetet në thelb të konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit, teksa palestinezët shpresojnë se Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, mund të shërbejë si kryeqyteti i një shteti palestinez.

Gjatë fushatës së tij elektorale vitin e kaluar, presidenti Trump në vazhdimësi kishte premtuar zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Jersalem dhe njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të shtetit hebraik.

Në muajin prill, Moska njoftoi njohjen e Jerusalemit Perëndimor si kryeqytet të Izraelit, duke shprehur shpresën se gjysma lindore e qytetit mund të shërbejë përfundimisht si kryeqyteti i Palestinës.

Trump, posaçërisht në njoftimin e tij të javës së kaluar, theksoi se administrata e tij ende nuk ka marrë një qëndrim lidhur me “kufijtë specifikë të sovranitetit izraelit në Jerusalem”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco