BE do të padisë Hungarinë, Poloninë e Çekinë për mospranimin e emigrantëve

BE do të padisë Hungarinë, Poloninë e Çekinë për mospranimin e emigrantëve

16:47, 08/12/2017
A+ Aa A-

Komisioni Evropian do të padisë Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për refuzimin e marrjes së azilkërkuesve.

Komisioni, organi ekzekutiv i BE, akuzoi tre vendet për "mosrespektimin e detyrimeve të tyre ligjore ".

Gjykata me qendër në Luksemburg mund të shqiptojë gjoba të rënda.

Në vitin 2015, BE përcaktoi një plan për shpërndarjen e kuotave të emigrantëve dhe refugjatëve, pas fluksit të lartë të tyre.

Ky veprim ishte një përpjekje për të lehtësuar presionin mbi Greqinë dhe Italinë, ku mbërritën shumica dërrmuese e emigrantëve.

Megjithatë, Republika Çeke ka pranuar vetëm 12 nga 2000 azil-kërkuesit,  të cilët u ishte caktuar, ndërsa Hungaria dhe Polonia nuk kanë marrë asnjë.

Komisioni filloi proçedurat e shkeljes kundër tre shteteve në qershor dhe i paralajmëroi ata muajin e kaluar se mund të ndërmerreshin veprime të mëtejshme.

Komisioni ka vendosur të shkojë në fazën tjetër të proçedurës së shkeljes dhe t'i referojë tre shtetet anëtare në gjykatën e drejtësisë të BE.

Pas njoftimit të së enjtes, Kryeministri çek Andrej Babis i tha BBC se vendi i tij do të vazhdojë të kundërshtojë skemën e zhvendosjes.

Ai tha se sistemi i kuotave kishte ushqyer ndjenjën anti-migrante dhe kishte luajtur në duart e të djathtës ekstreme.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Konrad Szymanski, gjithashtu tha se qeveria e tij ishte "gati për të mbrojtur qëndrimin e saj në gjykatë".

Në vitin 2015 shtetet e BE ranë dakord të shpërndajnë 160,000 azilkërkues  mes tyre,  bazuar në madhësinë dhe pasurinë e secilit vend, megjithëse, Rumania, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria votuan kundër pranimit të kuotave të detyrueshme.

Komisioni gjithashtu po merr Hungarinë në GJED për ligjet e saj mbi arsimin e lartë dhe OJQ-të.

Qeveria e krahut të djathtë po kërkon të miratojë një ligj të arsimit të lartë që mund të mbyllë Universitetin e Evropës Qendrore, i themeluar nga financuesi dhe filantropisti Xhorxh Soros.

Soros ka një marrëdhënie të tensionuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Komisioni tha se ligji arsimor i Hungarisë "kufizon në mënyrë disproporcionale universitetet e BE dhe jo në BE në operacionet e tyre dhe duhet të rishikohet në përputhje me ligjin e BE".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku08/12/2017 17:20

BE ka rënë totalisht nën influencën korruptive të Përbindëshit Soros i cili e manovron si manekin/buratin. Vazhdimi në këtë rrugë do çojë në shpërbërjen e pashmangëshme të saj.

Shto koment

Denonco