Dorëzohet Mugabe, dorëhiqet pas 37 vitesh

Dorëzohet Mugabe, dorëhiqet pas 37 vitesh

18:12, 21/11/2017
A+ Aa A-

Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe i dha fund krizës politike në vend përmes dorëheqjes së tij të shumë pritur dhe të shumë kërkuar.

Përmes një letre dërguar Parlamentit, Mugabe thotë se ka vendosur të lërë postin dhe këtë e ka bërë vullnetarisht. Letra u paraqit në Parlament nga kreu i tij Jacob Mudenda.

Lajmërimi i dorëheqjes së Mugabes vjen plotësisht papritur dhe pikërisht kur deputetët në Parlamentin e Zimbabves kishin nisur diskutimet e ashpra për mocionin e hetimit të tij. Mugabe refuzoi që të dorëhiqej ditët e shkuara pavarësisht se ushtria mori kontrollin e vendit dhe me mijëra njerëz në rrugë kërkonin largimin e tij.

Fundi i Mugabes erdhi kur ai shkarkoi zëvendësin e tij duke i hapur rrugën drejt pushtetit bashkëshortes Grace Mugabe, por askush në Zimbabve nuk pranoi trashëgimin e shtetit. Ekspertët thonin se Mugabe e ka pasur të qartë fundit e tij që prej fillimit të krizës, por vonoi dorëheqjen në përpjekje për të marrë sa më shumë garanci për veten dhe familjen e tij.

Se sa i ka arritur kjo mbetet për tu parë. Robert Mugabe drejton Zimbabven që prej 1980-ën kur vendi mori Pavarësinë nga Britania dhe krizë politike apo jo, shumë banorë të vendit mendojnë se kishte ardhur koha që ai të largohej.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco