Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

‘Fake News dhe sfida në media’, takim i gjerë e me diskutime sot në AMA

‘Fake News dhe sfida në media’, takim i gjerë e me diskutime sot në AMA

20:02, 03/10/2017
A+ Aa A-

Këshilli i Ankesave, strukturë kryesore e AMA-s në përmbushje të disa prej objektivave kryesore që vijnë nga ligji 97 /2013 “Për median audio dhe audiovizive në Republikën e Shqipërisë” për Kodin e Transmetimit por edhe rregulloreve të tjera të nxjerra nga AMA për përmirësimin e peizazhit mediatik organizoi sot një konferencë me temë: “Fake news dhe sfida për të vërtetën në media”.

Monika Stafa, Kryetare e Këshillit të Ankesave, në hapje të aktivitetit theksoi qëllimin e diskutimit të kësaj teme. Sipas saj, zhvillimi i teknologjisë, digjitalizimi i jetës ka anën e vet të errët: shkarjen nga profesioni i gazetarisë dhe një nga pasojat e këtij deformimi është dhe fenomeni fake news.

Kryetari i AMA-s Gentian Sala, përshëndeti konferencën dhe falënderoi palët për bashkëpunimin e palodhur me qëllim lajmin e vërtetë. Ai vuri theksin tek bashkëpunimi me aktorët e medias dhe rolin gjenerues që ka AMA në këtë debat.

Ndërsa Adelheid Feilcke, një gazetare e njohur e DW (Deutche Welle), aktualisht shefe e Departamentit të Gjuhëve Evropiane në DW, solli përvojën gjermane në betejën ndaj lajmeve të rreme. Ajo tregoi se frika nga fake news gjatë fushatës zgjedhore në Gjermani ishte e madhe, edhe pse u konstatua se nuk pati ndonjë rast të bujshëm. Sipas saj, manipulimi i fakteve apo opinionit, sidomos nga mediat që supozohet të ishin të vëzhguara nga Rusia, konsideroheshin si mundësi destabiliteti.

Nga ana e tij, profesori Mark Marku solli në vëmendje deformimet më të zakonshme që i bëhen lajmit:

-në nivel shoqëror: media nga pushtet i katërt po kthehet në instrument i pushteteve të tjerë;

-në nivel komunikimi: gazetaria si nënsistem u brendashkruhet sistemeve të tjerë të komunikimit, si PR, publiciteti apo marketingu politik, etj;

-në plan profesional: cenohet pavarësia dhe liria e ushtrimit të profesionit të gazetarit.

Anëtari i AMA-s dhe pedagogu i gazetarisë Zylyftar Bregu, e sheh fake news si sfidën për të vërtetën në media. Facebook apo fakebook?! Vetë rrjeti social Facebook konfirmon se janë rreth 83 milionë adresa false, ose fake profile. Kjo situatë është një shtrat i mirë për ta kthyer Facebookun në fakebook.

Për pedagogun e Departamentit të Gazetarisë në UT Ervin Goci më shumë se çështje respektimi i etikës nga një media, kemi të bëjmë me një krizë të përgjithshme të sistemit të mediave, një krizë besimi mbi informimin në tërësi.

Eksperti i medias Rrapo Zguri u përqendrua tek “seeing is believing”, si dhe problematikat që lidhen me manipulimin e imazhit televiziv. Pjesë e panelit ishte dhe Ilda Londo, nga Instituti Shqiptar i Medias, eksperte e njohur e medias, solli në vëmendje alternativën “media literacy” (edukim-aftësim të medias) si një barrikadë ndaj fake news.

Media dhe informacioni, sipas Londos, janë të rëndësishme në një shoqëri demokratike, pasi supozohet t’u japin mundësi qytetarëve të marrin pjesë në vendimmarrje të rëndësishme, duke ndikuar pozitivisht në fuqizimin dhe kontributin e tyre në shoqëri. Duke u ndalur tek politikat arsimore në vend, Londo tha se ende jemi larg një situate të pranueshme.

Ajo adresoi kritere dhe koncepte të aplikuara në fushën e ‘media literacy’ në botë, duke supozuar se kjo alternativë është një armë e fortë njohjeje në morinë e informacionit me të cilin përballen qytetarët ditët e sotme.

Për Lutfi Dervishi, një tjetër ekspert i njohur i medias, fenomeni fake news ka dhe anën e mirë. Ai nxit mendimin për t’u rikthyer drejt bazave të gazetarisë profesioniste. Dervishi, si dhe referuesit e tjerë, përmendën tri mënyra për të dalluar ose shmangur informacionin e rremë; procesin e verifikimit të lajmit ne disa burime si dhe kontrollin për të prodhuar lajmin e vërtetë në gjithë këtë proces.

Fake news fatkeqësisht ia ka dalë të depërtojë në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale. Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Këshilli i Ankesave në AMA po punojnë në disa drejtime me qëllimin ndërgjegjësimin e të gjitha palëve për lajmin dhe rëndësinë e informimit objektiv të publikut. Kjo konferencë shumë interesante do të pasohet edhe nga një botim i të gjithë referateve që do të jetë i arritshëm për specialistët e fushës dhe për publikun e gjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco