FOTO/ Zbulohet amaneti i albanologut të shquar Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri

FOTO/ Zbulohet amaneti i albanologut të shquar Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri

10:06, 02/10/2017
A+ Aa A-

Shkrimtarja dhe poetja Flutura Açkla pasi ka sjell lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të albanologut të shquar Robert Elsie, ka zbuluar edhe amanetin e tij të fundit. Këtë ajo e transmeton nëpërmjet një letre dërguar ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe Kryeministrit, Edi Rama.

“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,

Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kulturën shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”, shkruan Flutura Açka.

Robert Elsie u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Ai ishte një nga studiuesit e palodhur, i specializuar në letërsinë dhe folklorin shqiptar, një albanolog i shquar, kontributi i të cilit është mjaft i vyer.

Vdekja e tij është vërtet një humbje jashtëzakonisht e madhe për albanologjinë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco