Politika imponuese dhe preferencat seksuale të njerëzve - Nga Silvi Bakiri

Politika imponuese dhe preferencat seksuale të njerëzve - Nga Silvi Bakiri

15:55, 21/09/2017
A+ Aa A-

Ka disa, ose shumë gjëra që janë krejtësisht ç’fokusuese, irelevante (pa një ndikim real) dhe ndonjëherë, edhe destruktive në një politikë. Një ndër më kryesoret është ndërfutja e seksit si element taboo-je, kryesisht përmes grupimeve që mbrojnë "të drejtat e njeriut", duke politizuar në këtë mënyrë shtratin, intimitetin; atë pjesë të jetës sonë që duhet të zhvillohet veçmas çdo trendi, moralizimi apo ndikimi.

Me pak fjalë, pyetja që parashtrohet shumë sinqerisht është: Pse duhet ta shoh unë si qytetar a votues si të rëndësishme preferencën seksuale të dikujt? Pse duhet që një politikë qeverisëse, e cila faktikisht dhe juridikisht nuk ka asnjë lidhje me seksualitetin, në asnjë dritëhije të saj, të bëhet komanduese dhe diktuese e jetëve të njerëzve jashtë politikës, por që përcaktohen nga politika.

A nuk është paradoksalisht po aq bizantine "shqyerja" e kufijve të politikës deri pas kufijve të shtratit sa ç'është edhe vetë konservatorizmi strikt që hyjnizon një shtrat? Ndoshta edhe më shumë se bizantine.

Nuk di në mund të ketë injorancë dhe prepotencë më të tmerrshme se sa t'i sugjerosh tjetrit, me stil viktimizues, sjelljet e tij seksuale duke i orientuar edhe instinktet? A nuk janë këto gjëra tepër personale, për të ndërtuar politika socializuese mbështetur mbi seksin? Më tepër se kaq: janë personale dhe thellësisht individuale. Dhe çfarëdo që cenon individualitetin tim nuk mund të jetë asgjë përveçse dhunë.

Përse nuk krijohen grupime njerëzish me integritet?

Përse nuk krijohen grupime njerëzish që kanë arritur shumë, pa qenë nevoja të përdorin sajesën apo mashtrimin? A nuk janë shumë më frymëzues këta shembuj?

Përse duhet të seksualizohet një politikë kur ajo mund të merret së pari dhe së fundi me të drejtat e qenieve njerëzore si qenie, pastaj si seksualitet? Me probleme shumë evidente si: skllavëria moderne, feminizmi apo shfytyrimi i institucionit të familjes.

Gjithçka që i bën historitë tona të prekshme nga një publik, i cili mund të ketë pasur gjithashtu histori të ngjashme do të ishte relevante dhe njëkohësisht e bukur. Gjithçka që tejkalon një studio televizive do të ishte gjithashtu relevante për një politikë të mirë dhe që me mjaft gjasa le shenja të mira gjatë...

"Unë jam grua dhe e quaj veten grua." më thoshte dikush.

Atëherë, përse të mos kuptojmë fillimisht se sa e vështirë dhe e ndryshme është të jesh grua në Shqipëri, me grua në perëndim? A nuk do të ishte kjo një mikropolitikë, dakord me një tingullim jo aq snob, por gjithsesi një domosdoshmëri për t'u trajtuar seriozisht në një shoqëri e cila gëlon nga vese të mykura patriarkale, ku vajzat vendosen në sfilata konkurrence për t'iu dorëzuar një bashkëshorti të pasur apo ku burrat i japin privilegjin vetes të shkelin me të dyja këmbët motrën, të dashurën apo gruan, vetëm pse janë burra?

A nuk janë të gjitha këto më sipër problematikat tona të vërteta? Dhe shumë më tepër relevante për politikën e brendshme dhe të jashtme.

Unë nuk dua të di se ç'bën në shtratin tënd, por në jetën tënde, si njeri, me të drejta përtej preferencave seksuale!

Kjo është politike dhe realisht e lidhur me jetët tona.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco