Liri Lubonja i përgjigjet Ismail Kadaresë. Ja çfarë thotë

Liri Lubonja i përgjigjet Ismail Kadaresë. Ja çfarë thotë

17:22, 20/09/2017
A+ Aa A-

Ata dikur kanë qenë miq shtëpie. Ndanin mendime, shkëmbenin dorëshkrime, libra… Miqësi që vazhdoi edhe pas rënies së sistemit komunist. Por sot, koha e ka sjellë të jenë në “llogore” të ndryshme dhe nëpër intervista të shprehen për njëri-tjetrin, si të kishin qenë armiq. Diktatura qe e ashpër për familjen e Todi Lubonjës.

Burgje dhe internime që vuajtën deri në tre breza. Këtë periudhë të vështirë e ka rikthyer në vëmendjen e publikut, një debat mediatik, i nxitur nga botimi i procesverbaleve të deponimeve në hetuesi të ish-të arrestuarit Fatos Lubonja, ku ai përmendte dhe emrin e Ismail Kadaresë si një nga shkrimtarët e preferuar të të atit dhe që i jepte atij libra të huaj. Disa ditë më parë, shkrimtari Kadare ka qenë i ftuar në studion e Eni Vasilit në “News 24”, ku ndër të tjera u pyet edhe për këtë debat dhe rastin “Lubonja”.

Ndër të tjera, Kadare u shpreh për Lubonjën se “Ky ka pasur një nervozizëm, se me këto dokumente që kanë dalë, ai vihet me shpatulla për muri. Ai duhet t’i hedhë poshtë ato, se ai thotë unë s’kam folur me ty, ai thotë, ke folur kundër Enverit. Ka diçka që nuk shkon, mund të mos thotë asnjëri të vërtetën, apo të dy të thonë të vërtetën, të ketë keqinterpretime.

Me sa duket, si letrar i ri pa peshë, mendon se kjo do t’ia ngrejë peshën. Fatos Lubonja nuk është shkrimtar i ri i arrestuar, por është djali i Todi Lubonjës që u arrestua. Fatos Lubonja mund të kërkojë aureolën e vet, por nuk ka të drejtë të shpifë për të tjerët. Nuk ka të drejtë të thotë se unë paskam qenë furnizues i Todi Lubonjës me libra të ndaluar. Unë mund të kem dhënë ndonjë libër të ndaluar. Por i biri thotë që i ka dhënë, kur Todi vetë thotë nuk më ka dhënë”.

Kjo intervistë ka nxitur bashkëshorten e Todi Lubonjës dhe nënën e publicistit dhe shkrimtarit Fatos Lubonja t’i përgjigjet Kadaresë. Ajo tregon për të vërtetën e arrestimit të të birit, si nuk pranuan ofertat për t’u ndarë nga i shoqi, por flet edhe për lidhjet që ka pasur me Kadaretë, miqësinë e tyre që vijoi përmes letrash edhe më vonë dhe u ndërpre kur Fatosi filloi të shprehej për veprat e Kadaresë si “ideologji e regjimit të Enver Hoxhës”.

 

LIRI LUBONJA

Dëgjova me vëmendje, habi dhe revoltë gënjeshtrën, shpifjen e paturpshme në intervistën e dhënë nga Ismail Kadareja në “News 24”, më datë 15 shtator, kundër djalit tim Fatos Lubonja, prandaj dhe vendosa të shkruaj. Dua të jem sa më e qartë dhe e saktë për t’iu përgjigjur një njeriu që vuan nga megalomania dhe jeton me atë madhështinë që ia ushqejnë edhe disa kurtizanë që i sillen rrotull.

Do të shkruaj si nënë e Fatosit, si grua e Todit, si njeri, por edhe si dëshmitare e asaj kohe dhe e atyre ngjarjeve. Si familjare dhe si njeri më vjen të them: si ka mundësi që një shkrimtar, “i madh në rang kombëtar dhe ndërkombëtar”, ia lejon vetes të flasë ashtu?! Si është e mundur që ndërhyn me të tilla gënjeshtra absurde në një dramë të vërtetë familjare, të cilën nuk e jetoi kushdo në ditët e diktaturës? Si nuk ka asnjë gram ndjeshmërie ndaj dhimbjes, vuajtjeve, sakrificave dhe pasojave që patën tre breza të familjes sonë në ato 18 vite, duke filluar nga fëmijët 1-muajsh?

Si mundet të kërkojë të na hapë procese që të kujtojnë proceset që kemi përjetuar në atë kohë? Çfarë shkrimtari është, që s’ka pikë aftësie të futet në lëkurën e të tjerëve? A ka ky njeri të afërm, miq, që t’i thonë se s’mund të shpifë kaq paturpësisht apo e rrethojnë vetëm kurtizanë? E njëjta gjë vlen edhe për kurtizanët që ia trumbetojnë shpifjet duke shkelur edhe ligjet e shtetit, edhe ato morale.

Thonë se duan të marrin dosjet. Po a u lihen dosjet në dorë kësaj kategorie, që s’di se ku ta fus, se më duket më e keqe se persekutorët e asaj kohe? Ne kishim një familje të shëndoshë, ku mbizotëronte shumë, shumë dashuri për njëri-tjetrin, mirëbesim, përkujdesje, veçanërisht për fëmijët dhe kërkonim vazhdimisht që ata të rriteshin sa më të virtytshëm. Pikërisht pse ishim kështu, kur Todi u shpall armik i popullit, nuk e mohuam atë, megjithëse kjo na u kërkua me premtimin se kështu do të sigurohej e ardhmja e pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Refuzuam ta diskutojmë edhe kur Todi na e hapi këtë bisedë. Pranuam të hyjmë në kalvarin e burgjeve dhe internimeve që s’dihej se kur do të mbaronin.

I kuptoj ata që s’vepruan si ne, edhe “shkrimtarin e madh”, që pa pasur asnjë nga këto rreziqe, por vetëm pse donte të udhëtonte në Francë, i ka mbyllur derën së motrës, por kërkoj pak më shumë respekt për këtë zgjedhje tonën. Familja jonë e copëtuar në burgje dhe internim, u qëndroi gjithë atyre të këqijave të 18 viteve të ferrit edhe në sajë të dashurisë familjare. Unë kam në shtëpi vandakun e letrave të korrespondencës familjare midis nesh. Todi dhe Fatosi, njëri në Burrel, tjetri në Spaç, kishin të drejtën të shkruanin dy letra në muaj dhe ata rregullisht një letër na e dërgonin ne dhe një letër njëri-tjetrit. Sa letra ka shkruar nga burgu Todi dhe unë nga internimi drejtuar organeve të diktaturës (Todi edhe vetë Enver Hoxhës) për trajtimin e egër që i bëhej Fatosit në burg, transferimet e vazhdueshme të tij dhe ridënimin?!

Ku e ka gjetur ky urrejtjen midis nesh? Si dëshmitare e ngjarjes, më lëndon që, megjithëse Fatosi i ka shpjeguar rrethanat tragjike të arrestimit të tij, të Todit, të vëllait dhe kunatit të tyre, Kadare bën sikur nuk ka lexuar asnjë rresht. Fatkeqësisht, këtë bëri edhe intevistuesja Fatosin dhe Todin i morën njëri pas tjetrit në shtëpinë tonë në Lezhë, pasi organet e Sigurimit kishin gjetur në shtëpinë e Llazit, vëllait të Todit, të fshehura në mur shkrime me përmbajtje armiqësore të Fatosit dhe disa armë të Todit. Duhet të jesh shumë malinj që shpjegimet që ka dhënë Fatosi në hetuesi dhe gjyq për këto materiale dhe për letrën e mallkuar kundër Enver Hoxhës, e cila iu gjet në shtëpi, që Todi e ka shkruar në sytë e mi, t’i shpjegosh sikur Fatosi urrente të atin. Mua, si dëshmitare, që i di ngjarjet, më mjafton për këtë të lexoj se Fatosi ka marrë përsipër që shkrimet i ka dërguar ai në shtëpinë e Llazit, kurse e vërteta është që Todi i kërkoi Fatosit t’i merrte nga një shok, ku i kishte çuar dhe ia çoi ai Llazit, bashkë me shkrimet e tij për t’i fshehur. Kur vjen puna për letërsinë, Fatosi thotë se Todi pëlqente klasikët si Shekpiri dhe Balzaku, jo modernët, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Edhe emri i Kadaresë, së bashku me emrin e Dritëroit, kuptohet se janë përmendur për të përgënjeshtruar akuzat se Todi nuk e donte letërsinë shqipe të realizmit socialist, por modernistët, dekadentët. E provon këtë edhe fakti se Kadare dhe kurtizanët e tij e hoqën emrin e Dritëroit dhe pohimin “Babai pëlqente Kadarenë e Dritëroin…”, e kthyen sikur kishte thënë: “Babai thoshte se vetëm Kadare shkruan të vërtetën”. A nuk mendojnë se ka edhe ligje për këto manipulime apo kujtojnë se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e pushtetit? Fatosi nuk ka thënë askund se Todi ishte “armik i tërbuar”, “antishqiptar”, siç ka shkruar Kadareja për Todin.

Po ta kishte urryer, edhe mund ta thoshte. As për Kadarenë nuk them se i thoshte nga urrejtja për Todin, por ai duhet të masë fjalët edhe me kutin e vetes kur flet për të tjerët. Nderi i tij e kërkonte që të shpjegonte se pse dhe si u përfshi në fushatën e egër që parapriu arrestimin e Todit. Todi nuk ia ka përmendur dhe nuk i ka mbajtur mëri, sepse ashtu ishte koha, por kur sheh se si transformon ky faktet, nuk mund të mos ia përmend.

“Librat e huaj” thotë Fatosi, ky e bën “libra të ndaluar”. Përse ky ndryshim? E vërteta e librave është që ne lexonim vetëm frëngjisht dhe italisht, ndërsa ai lexonte vetëm rusisht, ndaj nuk mund të përfitonim libra nga ai. Ne i kemi porositur nga Italia dhe Franca nëpërmjet Ndërmarrjes së Tregtimit të Librit asokohe. Sigurisht, dhe miq e shokë të tjerë, njohës të këtyre gjuhëve, na kanë ofruar. Edhe me të mund të kemi shkëmbyer ndonjë libër. Dhe ky nuk konsiderohej ndonjë krim, siç kërkon ta paraqesë ai. Këtë ka thënë edhe Fatosi, duke përmendur edhe Kadarenë që ishte në atë kohë shkrimtari më i preferuar i Todit, por edhe i Enver Hoxhës. Këto dy pohime e bëkan Kadarenë “personazh qendror”, “tepër të rrezikuar” në gjyqet e Fatos dhe Todi Lubonjës, siç tha një nga kurtizanët e tij në Top Channel?

E vërteta është se ai kishte një raport të tillë me Todin, sa veprat e tij ia jepte Todit dorëshkrim; kishte një raport të tillë familjar me ne, sa Fatosi i kishte dhënë një pjesë të shkrimeve të tij, që më vonë iu kapën. Për këto, Kadare kishte biseduar edhe me Todin. Asgjë të tillë nuk rezulton ta ketë thënë Fatosi, edhe pse në ato kushte. Përse Kadareja foli për këto? T’i ketë harruar vallë? E vërteta është se e di shumë mirë se Fatosi është dënuar për shkrime, një pjesë të të cilëve i ka lexuar edhe ai, dhe jo thjesht si biri i Todit. Duhet t’ia ketë thënë edhe një nga ekspertët e këtyre shkrimeve, që u bë mik i tij i ngushtë. Por nuk dua të vazhdoj me gënjeshtrat dhe shpifjet e Kadaresë.

Një mike më tha: “ç’pret nga një njeri, që ka shkruar një libër në vitet e sotme dhe e ka shitur sikur e ka shkruar në vitet 60”. Njerëzit më pyesin: “ç’është kjo urrejtje e Kadaresë ndaj Fatosit.”

Kam tre letra që familja Kadare na ka dërguar nga Parisi pasi lanë Shqipërinë (ishim ende miq). Kadareja i shkruan Todit në letrën e tij të datës 10 tetor 1991:

“Po aq më gëzoi dhe më pëlqeu shumë shkrimi i Fatosit në “Zëri i Rinisë”. Nga Shqipëria, herë pas here, vjen shumë dëshpërim, shumë hidhërim e pezëm. Kështu që valët e ndritshme me shpresë dhe fisnikëri të gëzojnë shpirtin”.

Elena në letrën e saj të kësaj date shkruante:

“Shkrimi i Fatosit në gazetë më ka impresionuar shumë. Mençuria, gjeneroziteti e toleranca që ishin aq transparente, të bënte të mendoheshe thellë për gjithshka theshte ai aty. Është vërtet diçka hyjnore të mendosh që fjalë të tilla i thotë një njeri që sapo ka dalë nga dyert e ferrit. Dhe aq më tepër, të kujtosh se ai i ka shkruar ato kur ishte atje brenda! Disa herë thamë me Ismailin: Si është e mundur? Por, kur mendon se ai është djali juaj, i ju të dyve, atëherë gjithçka bëhet e kuptueshme dhe e mundshme. Jepini atij urimet dhe përgëzimet tona”.

Në letrën e datës 27 tetor ajo shkruan:

“Artikullin e dytë të Fatosit e lexuam mbrëmë. Kur e lexoja, sytë m’u mbushën me lot dhe më dukej se dhe gurët e rrugës mund të lëviznin nga fisnikëria që rrezatonin ato fjalë”.

A do të shkruanin me aq dashamirësi ata të dy për Fatosin, që u qëndroi stoikisht, pa bërë asnjë kompromis 17 viteve burgje (Spaç, Qafë Bari, Ballsh, Burrel, përsëri Spaç e Kosovë e Madhe) prej ku dhe u lirua në mars 1991, sikur Kadare të kishte qenë “personazh kryesor”, “tepër i rrezikuar” nga Fatosi?

Sepse gjyqi i tij ka qenë i hapur dhe Kadaresë do t’i kishte shkuar fjala. Po pse Kadare shpif aq egërsisht e poshtërsisht pa pasur turp kundër Fatosit? Siç e kam shpjeguar në librin tim “Kohë të reja, kujtime të vjetra”, armiqësia ka ardhur për shkak të aktivitetit të Fatosit. Si shkrimtar, gazetar dhe botues i revistës “Përpjekja”, ai ka shkruar e botuar për ideologjinë e veprës së Kadaresë, si ideologji e regjimit të Enver Hoxhës si dhe nuk ka pranuar përpjekjet e tij dhe të kurtizaneve për ta rreshtuar si disident.

Urrejtja e Kadaresë u shtri edhe ndaj nesh. Aq sa nga vlerësimet që i kishte bërë Todit edhe në librat e parë pas ’90-ës, në një nga librat e fundit e cilëson si “Njeriu i ftohët i zyrave”, kurse Agim Meron, edhe ky mik i tij, e trajton edhe më keq, sepse nuk mund t’ia falë Agimit, atë që në librin e tij të kujtimeve, ka thënë një të vërtetë, që Ismaili ia dhuroi Nexhmije Hoxhës dorëshkrimin e librit “Dimri i Madh” dhe jo siç pretendon Kadareja në shkrimet e tij, se ajo ia ka marrë me forcë(!)

Edhe njëherë, i sugjeroj Kadaresë (dhe kurtizanëve të tij) të heqë dorë nga mënyra e ndyrë që ka zgjedhur për t’u paraqitur si kundërshtar i regjimit të Enver Hoxhës duke akuzuar të tjerët. Si shkrimtar pas viteve’90, kemi pritur të na shpjegonte (edhe nëpërmjet jetës dhe veprës së tij) kohën tragjike që kemi jetuar të gjithë në diktaturë, jo të pastronte biografinë, të mburret se vetëm ai ka qenë i lirë dhe të nxijë të tjerët. Tani duket se kjo nuk ka më shpresë të ndodhë. Duket se e kaluara e mban peng më shumë se ç’mendojmë. Por shpresoj që ata që janë më të rinj se ne do të mësojnë se nga e kaluara nuk çlirohesh duke gënjyer dhe duke akuzuar dhe shpifur për të tjerët, por duke kuptuar vetveten dhe kohën që ke jetuar. /Panorama.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Salvo20/09/2017 21:19

Dritëhedhës në gjithçka që lidhet me ngjarjen.

kuksiani20/09/2017 20:58

Respekte per kete embleme te mbijeteses njerzore prej rregjimit komunist!....Gjithshka e shprehur ne perfeksion.Kadare shkrimtar i madh, produkt i oborrit komunist te Enver Hoxhes, lajkatar i tij dhe ideve te tij,por njeri i vogel....

Medlind20/09/2017 19:42

Moj zonje e madhe, Liri Lubonja! fatosi eshte nje intelektual, nje shkrimtar, nje analist, nje gazetar, nje erudit i Shkelqyeshem ndersa Ismaelli eshte nje funderrine nacionale e neveriteshme qe do i dali shpirti per bythe: Ju jeni familje qe i perkisni Krenarise kombetare ndersa ismaelli eshte funderrine qe as pyshtymen sja hedh dot sepse te dhimbset. jeto e qete vitet tuaja te pleqerise sepse e drejta dhe krenaria eshte ne anen Tuaj. me respekt per Fam Lubonja!

Shto koment

Denonco