Wall Street Journal: Për të pasionuarit pas arkitekturës, ky qytet ballkanik është sekreti i ruajtur më mirë

Wall Street Journal: Për të pasionuarit pas arkitekturës, ky qytet ballkanik është sekreti i ruajtur më mirë

10:17, 03/09/2017
A+ Aa A-

Një kapsulë e vërtetë kohore e Perandorisë Osmane, qyteti shqiptar i Gjirokastrës mund të jetë më intriguesi për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë, shkruan «Wall Street Journal».

Nga Cathryn DRAKE

Gjirokastra, në jug të Shqipërisë, mund të mos jetë destinacioni i parë që të vjen në mendje nëse vendos të bësh një udhëtim në Europë këtë fundverë. Por ky qytet kodrinor prej 66 mijë banorësh është jashtëzakonisht tërheqës dhe me çmime të përballueshme, si dhe dy orë me makinë larg nga plazhet e bukura të bregdetit shqiptar. Ende nuk jeni të bindur? Një kapsulë e vërtetë kohore, Gjirokastra shërbeu si qendër tregtare për rreth 500 vjet nën Perandorinë Osmane (1385-1912) dhe si skenë për një «Game of Thrones» të vërtetë.

Vendosni aty një kështjellë mesjetare, një bunker nëntokësor të epokës komuniste dhe një «avion spiunësh» të SHBA-së, dhe Gjirokastra mund të jetë vërtetë qyteti më i vogël intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë. Gjatë fundjavës që kalova në Gjirokastër, qëndrova në Shtëpinë Babameto që ndodhet mu nën kalanë e madhe gotike. Megjithëse strehimi është i thjeshtë (madje edhe dhomat private kanë tualete të përbashkët), struktura është komplet e kundërta. Një shtëpikullë osmane e shekullit të XIX, me kolona elegante dritaresh dhe ambient të brendshëm të ngrohtë prej druri, Babameto është një nga restaurimet e shumta historike të ndërmarra në dekadën e fundit nga Fondacioni jotimprurës Gjirokastra. Pas mbërritjes sime në Babemeto, takova drejtorin ekzekutiv të fondacionit, Sadi Petrela, dhe soditëm panoramën përtej mureve të kopshtit: pallate përrallore në kodrat përreth, një minare e shekullit të ‘18 që rri pezull mbi çatitë prej argjile dhe, më tutje, kreshtat malore. Fondacioni ka qenë në krye të mbi 50 projekteve, përfshirë rehabilitimin e rrugëve me kalldrëm dhe restaurimin e pazarit në Qytetin e Vjetër, të quajtur «Qyteti prej guri» falë qindra ndërtesave të gurta. Projekti më i madh mund të jetë Shtëpia Zekate, një rezidencë e vitit 1811, tani një muze. Ndërsa unë dhe zoti Petrela ecnim drejt Zekates, në anën tjetër të qytetit, ai u ndie i detyruar, sipas zakonit vendor, të bisedonte me këdo që njihte – pothuajse të gjithë. Vura re pak turistë të huaj gjatë vizitës sime në Gjirokastër. Pas disa ditësh, gratë që qëndronin në pragun e shtëpive dhe burrat që pinin kafe turke në kafene më përshëndesin sikur të isha vendase. Shtëpia e Zekateve llimisht i përkiste një zyrtari të lartë të kryekomandantit Ali Pasha. Ali Pasha pushtoi Gjirokastrën dhe e bëri atë një fortesë kundër regjimit osman. E ndërtuar gjatë kësaj kohe trazirash civile dhe banditizmit të pamëshirshëm, Zekati u ndërtua si një kështjellë, me mure të trasha guri, dyer të rënda të përforcuara dhe dritare të vogla. Në lagjet e banuara, në katet e sipërme të shtëpive ndodhet salloni i pritjes me divan të ulët ngjitur pas murit, tavanet e lartë prej druri të gdhendur dhe një oxhak madhështor i stolisur me motive lulesh që përsëriten në afresket e murit. Pasi u kthyem me zotin Petrela në Zekate, u ulëm për kafe me Zekatët, çiftin e moshuar që ka trashëguar dhe menaxhon shtëpinë. «Ndërtesa e vogël ku ata jetojnë tani ishte dikur për shërbëtorët», thotë Petrela. Pasi regjimi komunist shtetëzoi rezidencën, familja Zekate u varfërua.

Faktikisht, komunistët morën shumë ndërtesa historike në Gjirokastër; pas rënies së regjimit, në vitin 1991, të gjitha ndërtesat iu kthyen familjeve që i kishin zotëruar ato. Fondacioni nuk po punon vetëm për t’u kthyer këtyre ndërtesave lavdinë e tyre të mëparshme. Pjesë e çdo projekti është një plan biznesi që shpreson të rikthejë në atdhe anëtarët e familjeve, shumë prej të cilëve janë larguar për të kërkuar punë jashtë vendit. Shtëpia Babameto, për shembull, do t’i dorëzohet pronarëve vitin e ardhshëm, pasi ajo gjeneron të ardhura të mjaftueshme si hotel për të paguar kostot e rinovimit. «Ne dëshirojmë t’u tregojmë pronarëve se këto shtëpi mund të prodhojnë para dhe se ata mund të kenë një të ardhme premtuese», thotë Petrela. Edhe e kaluara komuniste e Gjirokastrës po ruhet. Të nesërmen, zoti Petrela më ftoi të vizitoja Muzeun e Luftës së Ftohtë, i cili u hap në 2014 pas betejave të ndryshme burokratike. Muzeu përfshin një bunker me labirinte të ndërtuar në fshehtësi në vitet 1970 dhe i zbuluar vetëm dekada më vonë. Ky rrjet i ngushtë tunelesh ndërlidh rreth 80 dhoma, të cilat ende janë të etiketuara me funksionet e tyre zyrtare dhe të mbushura me mobilie metalike të ndryshkura. Evolucioni i kalasë së madhe që ngrihet mbi bunker mishëron peripecitë e historisë ballkanike. Ali Pasha dhe Mbreti Zog, sundimtari shqiptar në llim të shekullit të ‘20, e zgjeruan strukturën gjatë mbretërimit të tyre dhe e përdornin atë si burg, ashtu sikurse nazistët dhe komunistët, të cilët gjithashtu e përdorën atë si dhomë torture deri në vitin 1963. Tani, e transformuar në Muzeun Kombëtar të Armatimeve, ajo strehon një koleksion mbresëlënës të artilerisë së Luftës së Dytë Botërore, përfshirë një aeroplan të spiunazhit amerikan të kapur në vitin 1957. «Kur e ndërtuam muzeun në kala, u akuzuam nga qeveria për korrupsion dhe se ishim nostalgjikë të komunizmit», thotë Petrela. «Por kjo është padyshim një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë.» Kalaja shërben gjithashtu si një hapësirë festive. Në mbrëmjen që u gjeta aty, në skenën e jashtme u organizua një koncert i grupit të tunxhit Fanfara Tirana dhe i këngëtarit popullor Hysni Zela – një bashkim i ritmeve të sinkronizuara të Ballkanit të shoqëruar nga klarineta. Unë iu bashkova valles në rreth që nisi spontanisht mes publikut të të rinjve, dhe ia dola mjaft mirë. Valëvitja e perdes me dantella më përshëndeti teksa zgjohesha në shtëpinë Babameto të nesërmen në mëngjes. Teksa shihja ndërtesat osmane që spikasnin në kodra, më erdhi në mendje një fragment i shkruar në vitin 1933 nga shkrimtari britanik i udhëtimeve Patrick Leigh Fermor. Gjirokastra, shkruante ai, është «njëkohësisht tepër e vjetër dhe krejt e re dhe fare e panjohur». Pothuajse 100 vjet më vonë, përshkrimi i tij është ende i vërtetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco