Kori i vajzave të Liceut Artistik bën Berlinin të këndojë shqip

Kori i vajzave të Liceut Artistik bën Berlinin të këndojë shqip

13:29, 26/06/2017
A+ Aa A-

Për herë të parë, një ansambël i madh me rreth 40 vajza të Liceut Artistik “Jordan Misja”, kënduan dhe promovuan vlerat kulturore, artistike, qytetare dhe europiane në Berlin.

Me ftesë të dirigjentes berlineze Sabine Wüsthoff, Kori i Vajzave të Tiranës të Liceut Artistik, i përgatitur me nivel të lartë profesional e artistik nga dirigjentja Ermira Alliu, ishin një surprizë e bukur artistike për publikun e Berlinit.

Në sallën e Lindenkirche, publiku i pranishëm mirëpriti dhe duartrokiti këngët e kompozitorëve europianë si STARS,O Salutaris, Mundi Renovation si edhe këngët shqiptare të shkruara nga Simon Gjoni, Milto Vako etj.

Moment interesant ishte bashkimi i dy koreve dhe këndimi i këngëve nën drejtimin e Ermira Alliut dhe Sabine Wüsthoff, duke krijuar tingëllim dinamik dhe origjinal.

Do të tingëllonin të fuqishme dhe të veçanta këngët nga kompozitori gjerman Robert Schumann si Der Wassermann, Soldatenbraut etj. Kënga e George Gershwin Clap Your Hands, e kënduar dhe e shoqëruar me lëvizje koreografike, do të sillte një përjetim dhe impuls të veçante tek kori madh, duke siguruar një sinkronizim perfekt dhe një tingëllimë origjinale, duke bërë që kori të ishte i shkrirë në një trupë të veçantë artistike.

Kënga “Bie Lodra “ e kompozitorit Milto Vako (njëkohësisht themelues i korit në vitet 1960), do të sillte një përjetim shumë të veçantë sa për intonacionet, aq dhe për ritmin karakteristik të muzikës sonë kombëtare.

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko, do të shprehej i entuziazmuar duke e cilësuar korin e vajzave të Liceut Artistik të Tiranës si “Ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë”, ndërsa vlerësoi së tepërmi këtë zhvillim të ri midis Korit të vajzave të Berlinit dhe Korit të Vajzave të Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Në përfundim të turneut, Presidentja e Korit të Vajzave të Berlinit Nikola von Amsberg do të shprehej me vlerësim të lartë për korin e Tiranës, si kori që këndon më qartë dhe korrekt këngët gjermane, krahasuar me kore të tjera pjesëmarrëse në festivalet internacionale.

Dirigjentja berlineze Sabine Wüsthoff, theksoi se ky bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor e artistik midis dy koreve, është vetëm në fillimin e tij, duke shprehur dëshirën që ky bashkëpunim i parë artistik e historik midis dy koreve, të Tiranës dhe të Berlinit, të vijojë të jetë afatgjatë./atsh

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco