Tri ditë me 'Rock am Ring' ndaj terrorizmit

Tri ditë me 'Rock am Ring' ndaj terrorizmit

14:34, 02/06/2017
A+ Aa A-

Gjermani, 2 qershor.  Rreth 80 mijë adhurues të muzikës do të marrin pjesë në “Rock am Ring” që mbahet fundjavën e ardhshme në pistën e garave në Nürburgring, në afërsi të Maleve Eifel në perëndim të Gjermanisë, raporton DW, transmeton sot “Koha Ditore”. Festivali ishte mbajtur në këtë lokacion prej vitit 1985 deri më 2014, derisa në dy vitet e kaluara ishte zhvendosur në “Mending Air Base”.

Por për shkak të nevojës për investime më të mëdha në lokacionin e ri, organizatorët kanë vendosur të rikthehen në skenën e vjetër, ku para tri dekadash kishin shkelur mjeshtërit e muzikës rock si David Bowie, Iggy Pop, Bob Dylan, Joe Cocker, Bon Jovi dhe “Guns N'Roses”. Hard-rockerët gjermanë “Rammstein” janë kryetitull i ngjarjes triditëshe dhe do të performojnë në mbrëmjen hapëse të festivalit, sonte (e premte), më 2 qershor. Më tepër se 80 bende do të shfaqen në tri skenat e ngritura në Nürburgring. Mes tyre edhe “Die Toten Hosen”, “System Of A Down”, “Beatsteaks”, “Five Finger Death Punch”, “Frank Carter & The Rattlesnakes”, “Suicide Silence”, dhe “Slaves”.

Si kundërpërgjigje për sulmet terroriste në Manchester, “Rock am Ring”, njësoj sikur festivali i muzikës metal “Wacken Open Air”, që mbahet në veri të Gjermanisë, ka ndaluar përdorimin e shisheve të ujit dhe mbajtjen e çantave – uji do të jepet falas gjatë evenimentit. Edhe pse ky veprim ka shkaktuar kritika të adhuruesve të festivalit, që janë publikuar nëpër internet, organizatori i festivalit, Marek Lieberberg, ka thënë se për shkak të konsultave të afërta me autoritetet, kanë vendosur t’i shtojnë masat e sigurisë, veçmas pas sulmeve shkatërruese në koncerte muzikore që kanë ndodhur së fundi në Paris dhe Manchester.

“Nuk ka siguri absolute në një shoqëri të lirë”, i ka thënë Lieberberg “RP Online” sa i përket rregullave të reja të sigurisë. “Por ne po bëjmë gjithçka që e kemi nën kontroll për të mbrojtur vizitorët tanë, sa më shumë që të jetë e mundshme”. Festivali “Rock am Ring” zgjat deri më 4 qershor./Koha.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco