Skicat e “njeriut fluturues” dhe “urës portabël” të Leonardo da Vincit do të materializohen në një ekspozitë, që hapet të enjten në qytetin belg, Bryzh.
Edhe pse skicat e piktorit të famshëm janë kthyer më herët në realitet trepërmasor (3D), organizatorët thonë se kjo është ekspozita më e madhe e këtij lloji.
Për të parën herë, 100 makina të shpikura nga mjeshtri italian i epokës së Rilindjes janë realizuar duke përdorur skicat që ai i ka krijuar vet. Disa dizajne 500-vjeçare si aeroplani njerëzor i ngjashëm me zogun janë krijuar në përmasa reale, të tjerët janë modele në shkallë më të vogël, të bëra me dru, tela apo materiale të tjera të kohës.
Skicat e Leonardo da Vincit kanë qenë të shumta dhe avantgarde. Edhe pse ai nuk ishte i pari që kishte skicuar disa prej tyre, ia doli të bënte përmirësime domethënëse. Armatimet ishin një temë e zakonshme e punës së tij, me një numër mekanizmash të parashikuara, ndër të cilët një helikopter, një avion, nëndetëse dhe ura, para se këto të fundit të bëheshin të zakonshme.
© SYRI.net