'Profeti nga Praga' i Ramadanit, fituesi i Çmimit “Kadare”

'Profeti nga Praga' i Ramadanit, fituesi i Çmimit “Kadare”

08:07, 29/05/2017
A+ Aa A-

Shkrimtari Musa Ramadani është fitues  i Çmimit Letrar “Kadare”. Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand  me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

“Çmimi Kadare” 2017 u akordua nga Instituti Europian “Pashko”, me mbështetjen e UET. Juria në përbërje të Bashkim Shehut-kryetar, Mirela Oktrova, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Ylljet Aliçkaj e kanë vlerësuar dorëshkrimin e Musa Ramadanit si më të mirin për këtë vit.

Çmimi i madh  u shpall sot me rastin e ditëve letrare të Razmës. Vlen të theksohet se ky çmim asnjëherë nuk i është dhënë ndonjë autori nga Kosova dhe ka vlerën 10 mijë euro.

Romani në dorëshkrim i Musa Ramadanit i titulluar “Profeti nga Praga” është roman për fatin e artistit në përgjithësi dhe shkrimtarit Franc Kafka në veçanti.

Shkrimtari hebre-gjerman-çek, Franz Kafka, pas 41 vitesh nga humbja, në 82 vjetorin e ngjizjes, krejt befas rishfaqet në vendlindjen e tij. Vizione krejt të vonuara, copëza reminishencash nga takimet me mikun e humbur, kthimi në shtëpinë e lindjes, fanitjet, kujtimet fëmijërore etj. bëhen objekt trajtimi të këtij romani.

“Profeti nga Praga” ka elemente dokumentare, i ndërtuar pjesërisht mbi shenjat biografike të Kafka-s, por edhe metafizike dhe mistike. Mbi të gjitha, procedimi i romanit në fjalë është realizuar sipas strukturës së skenarit të një filmi të metrazhit të gjatë, ku Ramadani shtrin vokacionin e tij narrativ prej pikëvështrimesh të ndryshme narratologjike.

Krejt narracioni ndodh në kohën e tashme, përmes së cilit Kafka si njeri, si shkrimtar dhe si personazh  rikthehet në moshën që ka vdekur, duke kërkuar vendet që i ka dashur, një rinjohje kjo me miqtë, librat, të dashurat dhe familjarët. Ai herë del në rolin e narratorit, herë në  rolin personazhit, duke e veshur romanin kështu me një tis të madh fiksional, por gjithnjë duke i ruajtur të sakta referencat kontesktuale, si: emrat e njerëzve, rrugëve, lokaleve, librarive, muzeumeve dhe toposeve të tjera, një empiri kjo autoriale e Ramadanit alla Umberto Eco, e provuar me kërkimet e tij për Lavjerrësin e Fukosë.

“Profeti nga Praga”, edhe pse në dukje fokusohet te një personazh, rreth tij sillen shumë storje për artin, kulturën dhe letërsinë evropiane.  Autori, me erudicionin e tij na ofron një  prozë që i ngjan një enciklopedie letrare me referenca të llojllojshme nga Talmudi, Zohari e Tora e deri te librat në gjuhën çeke, gjermane dhe hebraike. Duke qenë i tillë në të gëlojnë format dramatike, muzikore, letërsia epistorale, imazhet kinomatografike për t’i dhënë konturat e një romani sintezë të kulturës dhe letërsisë së përbotshme, e që figurativisht ka intencë të paraqesë edhe fatin e artistit në botën shqiptare.  Strukturalisht, romani kapërthen tri plane: Kafka si rrëfimtar i jetës së tij, Kafka në relacion me qarqet letrare e kulturore të Pragës dhe Kafka në relacion me familjen. Pra, sintetizimi është tri llojesh: jetësor, i dijeve  dhe i zhanreve letrare.

Aty parakalojnë portrete të njohura të jetës, të  kulturës dhe letërsisë, të historisë dhe politikës, ku përballën kujtesa me harresën, dashuria me urrejtjen, liria me dhunën, sidomos kur rreket të trajtojë fatin e hebrenjve alkimistë, vuajtjen dhe revoltën e tyre.

Profeti nga Praga është një vepër që hyn në raport me pikturën dhe figurat gjeometrike, të cilat kanë bazë strukturimin e një vepre kubiste. Zgjedhja e përdorimit të shenjave muzikore si: cresendo dhe decresendo, është shenjë e kulturës së gjerë autoriale, çfarë këtë roman e bën edhe më të pranueshëm për lexues profilesh të ndryshme./(Gazeta Observer)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco