Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Rama arreston drejtorët e Veliajt

Pol Elyari, poeti i dashurisë, i rezistencës, i antivetmisë

Pol Elyari, poeti i dashurisë, i rezistencës, i antivetmisë

14:12, 17/05/2017
A+ Aa A-

Pol Elyari është një nga poetët bashkëkohorë francezë më të mëdhenj e më të njohur brenda dhe jashtë vendit të vet. Lindi në vitin 1894 dhe vdiq në vitin 1952. Mes jetës dhe krijimtarisë së këtij poeti ka një përkim të ndjeshëm. Evoluimi artistik i Elyarit është në përputhje të plotë me evoluimin e bindjeve ideore dhe angazhimeve shoqërore të tij. Poezia e Elyarit shërben si rast i mirë për të parë vendin e veçantë që zë ai në poezinë bashkëkohore.

Në të njëjtën kohë, nisur nga itinerari poetik i Pol Elyarit, që kryqëzoi në rrugë e sipër unanimizmin, dadaizmin, surrealizmin dhe komunizmin, poezia e tij paraqet interes të veçantë për të reflektuar mbi problemin e ndërlikuar të poezisë “së angazhuar”, çka, pas përmbysjes së totalitarizmit komunist, u përfol dhe vazhdon të përflitet shpesh herë mbarë e prapë në mjediset letrare shqiptare.

ImageVetëm një vit pasi u bë i njohur Raporti i famshëm i Hrushovit mbi krimet e Stalinit, më 1957, shkrimtari francez Zhylien Grak shkruante, ndofta pak si ngutur, se paskëtaj “një pjesë jo e vogël e letërsisë franceze të këtyre 30 vjetëve të fundit, u shndërrua në një sirtar të mbushur me letra dashurie të vyshkura”.

Studiuesi i njohur Henri Lemetr (që e citon këtë gjykim në librin e tij mjaft në zë “L’aventure littéraire du XX-me s.”, 1984, f. 149) shton, për sa i takon Elyarit, se “kjo vlen, në pjesën më të madhe, për vëllimin “Poezi politike”, të vitit 1948, pasuar nga ato, të të njëjtit frymëzim, që Elyari do të shkruaj deri në fund të jetës”. Veçse kjo nuk e pengon kurrsesi këtë studiues, ndër më autoritarët në Francë, të pohojë, në fund të kapitullit kushtuar krijimtarisë së Pol Elyarit, se ai vëren në të, më dallueshëm se gjetiu, “pajtim pozitiv të poezisë moderne me vlerat e larta të poezisë lirike.

Për një periudhë gati dhjetëvjeçare, Elyari ishte një ndër tre-katër poetët më prestigjiozë të surrealizmit, pastaj u tundua për pak kohë nga komunizmi në fund të viteve ‘20, për t`iu rikthyer në vitin 1942, kësaj here përfundimisht, deri sa vdiq, në vitin 1952, një vit para Stalinit. Por ndërsa ky i fundit u nda nga kjo botë duke mbetur më i tmerrshmi nga të gjithë Ivanët e Rusisë, Pol Elyari la pas imazhin e “magut me duar prej drite” (Rene Krevel) apo të “zejtarit të agimit” (Hyber Zhyen). Elyari nuk e përjetoi dramën dhe zhgënjimin e thellë të miliona njerëzve që u mashtruan nga “iluzioni fantastik i shek. XX” (Edgar Moren). Ai jetoi, sipas shprehjes së vet poetit, që sot doemos tingëllon ironike, “nën hijen e engjëjve”.

Që në poezitë e tij të para dallohet prirja e natyrshme për të dalë nga mikrokozmosi i unit të vetmuar, me dëshirën e paepur për t`u bashkuar me të gjithë ata që përpiqen, sikurse shprehet ai, për “emancipimin e plotë të njeriut”.

Ndaj në itinerarin e Pol Elyarit si intelektual dhe poet, cilado qoftë zgjedhja ideologjike apo estetike, përvijohet qartë një kredo poetike e pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Madje dhe futja në partinë komuniste, sipas kritikut Zh-Zh. Broshié, “nuk ishte thjesht ideologjike… por thellësisht njerëzore”. Sepse poeti, i cili “fare i ri, i kish hapur krahët dritës së pastër” dhe që fjala “vëllazërim” e bën kurdoherë të vibrojë në tërë qenien e tij, i mbeti besnik idesë se vendi dhe detyra e poetit janë mes njerëzve të tjerë, me të cilët ndan të njëjtin fat:

“Jetova i lodhur për vete dhe të tjerët
Veç kurrë nuk reshta së shkunduri shpinën
Si timen dhe të vëllezërve më të vuajtur
Ta flakim barrën që na çon drejt vdekjes
Në emër të shpresës luftoj errësirën”.

Madje dhe “kënga e poetit bëhet e pakuptimtë”, thotë ai, nëse padrejtësia dhe tjetërsimi i njeriut nuk marrin fund një ditë. Në këtë përpjekje të përbashkët, vendi i poetit është, sigurisht, në radhët e para :

“Nëse para se të vijë dita duhet të vdesë njeriu
Të parët janë poetët që duhet të vdesin”

Elyari shprehu me forcë të rrallë emocionale në poezinë e tij idenë e domosdoshmërisë së kalimit nga “horizonti i një njeriu, në horizontin e të gjithë të tjerëve”. Ai mbetet si një ndër poetët më të njohur bashkëkohorë që sfidoi mbylljen e njeriut në vetvete dhe i këndoi solidaritetit njerëzor, si kusht i domosdoshëm nëse duam që kjo “botë e mbrapshtë” të ndërtohet “për së mbari”, nëse duam të ketë “drejtësi” dhe “lumturi” mbi tokë. Përsa i takon vetë poetit, ai shpall solemnisht se “nuk ka për të hyrë kurrë në lojën e xhelatëve”, si dhe të atyre që e “shpërbëjnë njeriun”, se ky i fundit duhet të mos pajtohet asnjëherë me të keqen, por t`i kundërvihet asaj, edhe sikur ai vetë ta humbasë betejën, sepse “të tjerë, gjithë të tjerët kanë për ta fituar atë”, sepse përndryshe “ndërtuesit e rrënojave” do të shkatërrojnë e përdhosin gjithçka.

Në këtë sfidë të poetit që i këndon qëndresës njerëzore, ka sigurisht nota naiviteti (të cilat sot i dallojmë më lehtë), por kjo nuk duhet të pengojë për t`i parë gjërat me mendje të kthjelluar e në kontekstin përkatës të asaj kohe kur jetoi e shkroi Elyari. Sepse në zemrën, mendjen dhe poezinë e këtij poeti ka shumë fisnikëri, ndershmëri, besim te njeriu. Dhe sidomos përkushtim të sinqertë. Siç tregon poeti Klod Rua, që e ka njohur Elyarin nga afër, ai kishte një “besim engjëllor”, të qashtër. Në një nga krijimet e fundit, ai deklaron me një çiltërsi prekëse se “është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ardhmen e njerëzimit”.

E pikërisht këtu qëndron rreziku që i kanoset pashmangshmërisht gjithkujt që i përkushtohet tërësisht e pa kushte një ideali, sado i lartë e fisnik qoftë ai. Aq më tepër poetët me “besim engjëllor” si Elyari që e shohin tokën me ngjyra qiellore (kujtoj vargun e famshëm dhe enigmatik “e kaltër toka si portokalle” ). Ndaj, edhe pse kredoja poetike e Pol Elyarit ishte: “Flas për çfarë shoh/ Atë që di/ Dhe është e vërtetë”, kur ai e zëvendëson konceptin e Gëtes mbi “poezinë e rrethanave” (poeti që u bën jehonë ngjarjeve të kohës kur jeton) me poezinë e propagandës në favor të një partie apo ideologjie, sigurisht ajo që sheh, di dhe shpreh poeti mund të jetë dhe e kundërta e së vërtetës. Aragoni pati kohë të kuptonte, Elyari jo.

Vetëm katër vjet pas vdekjes së mikut të tij, në 1956, në poezinë tronditëse “Ti o i marrë”, Aragoni shprehu dramën e çdo idealisti që “flijon zemrën dhe ëndrrat e tij” dhe harron se “deti është tinzar”, se secili nuk do të jetë kurrë gjë tjetër veçse një “shifër llogarie”.

Ndërsa Elyari nuk ngurroi të shkruajë në vitin 1949 se “nga të gjithë poetët që kish njohur, Aragoni ishte ai që i kishte treguar rrugën e drejtë”. Për ironi, thuajse tragjike, do të jetë Aragoni që, po në vitin 1956, do të pohojë se, “ka gabuar rrugë me qindra herë” dhe se ka jetuar “nën hijen e dyshimit”. Parë me këtë sy, rasti i Elyarit vlen si mësim për çdo krijues që, i angazhuar ose jo, brenda ose jashtë një partie politike, të ruajë pavarësinë dhe aftësinë e të gjykuarit me mendje të kthjelluar, për të mos rënë në kurthin e koncepteve utilitariste e propagandistike për letërsinë dhe artin.

Elyari nuk qe i vetmi që u mashtrua dhe gaboi në zgjedhjen ideologjike, apo që shkroi poezi politike “të nevojshme” për partinë, siç është shprehur vetë, ku i këndoi jo vetëm “të nesërmeve të lumtura” ( që kurrë nuk u gdhinë), por dhe kongreseve, madje dhe Stalinit. Edhe Pikasoja, finoku gjenial i pikturës moderne, në 70- vjetorin e lindjes së diktatorit, në vitin 1947, ka botuar në revistën “Lettres françaises”, organ letrar i Partisë Komuniste, një vizatim ku ngre dolli për Stalinin dhe i uron shëndet me gërma të mëdha. Dhe nuk po flas për tjetrin, me rastin e vdekjes, portretin e Stalinit në moshë të re, që poshtë firmës së piktorit , mban datën 8. 3. 53.

Ndaj lipset të shmangen gjykimet e ngutura e sidomos ato ku kriteret ideologjikë lënë në hije, madje pretendojnë se mund të zëvendësojnë kriteret artistikë, si dhe të dallohen vlerat e qëndrueshme nga ato që i merr era e i davarit nëpër skutat e historisë dhe kanë interes vetëm për studiuesit, kur këta marrin përsipër të bëjnë analiza shkencore të mirëfillta.

Rasti i poezisë së Pol Elyarit më duket tepër aktual për problemet që shqetësojnë sot shumëkënd në Shqipëri lidhur me trashëgiminë kulturore të gjysmës së dytë të shek. XX. Kush kujtohet sot ne Francë për anëtarësinë e Elyarit në partinë komuniste, për vjershën kushtuar Stalinit e ato që janë më tepër vargëzime politike se poezi? Përveç studiuesve, vetëm ndonjë maniak biografish. Kurse Elyari është ndër dy tre poetët më të njohur e më të lexuar në ditët tona. Ai ka hyrë në kujtesën kombëtare si poeti i dashurisë, si poeti i Rezistencës, si poeti i antivetmisë, i bashkimit të njerëzve përmes vëllazërimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco