Shkencëtarët britanikë zbulojnë një 'thesar' nënujor në Atlantik

Shkencëtarët britanikë zbulojnë një 'thesar' nënujor në Atlantik

14:33, 25/04/2017
A+ Aa A-

Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar një “thesar”, kryesisht të formuar nga teluri dhe minerale të rralla, në një mal nëndetar në oqeanin Atlantik.

Zbulimi i kësaj shtrese mineralmbajtëse, rreth 500 km larg ishujve Kanare, nxori në pah se ky formacion nëndetar është “çuditërisht i pasur”.

I njohur si Mali Detar i Tropikut, ai është rreth 3.000 m i lartë dhe ka një pllajë të madhe në majë, e cila shtrihet rreth 1.000 m nën sipërfaqen e oqeanit.

Grupi shkencor i Qendrës Kombëtare e Oqeanografisë në Britaninë e Madhe (NOC) njoftoi se kampionet e mbledhura nga ky mal nëndetar janë 50.000 herë më të pasur me telur sesa resurset tokësore.

Sipas NOC-së, kampionet janë gjithashtu të pasura me elementë të rrallë, të cilat përdoren në turbinat e erës dhe në fushën e elektronikës.

“Shpresonim të gjenim sasi të mëdha mineralesh në malin nënujor, por kurrsesi nuk prisnim të bënim një zbulim të këtyre përmasave. Këto shtresa janë çuditërisht të pasura dhe kjo është ajo çfarë i bën këta shkëmbinj në mënyrë të pabesueshme specialë dhe të çmuar nga perspektiva e burimeve”, deklaroi Bram Murton, kreu i grupit shkencor të Qendrës Kombëtare e Oqeanografisë në Britaninë e Madhe.

Dr. Murton theksoi se rezerva e telurit të llogaritur prej tyre në këtë mal nëndetar është 2.670 tonë, gati sa 1/12 e totalit aktual në të gjithë botën.

Teluri përdoret gjerësisht në prodhimin e paneleve diellore të sofistikuara, kështu që zbulimi i NOC-së ngre një pyetje të vështirë nëse promovimi dhe stimulimi i energjisë së rinovueshme mund të inkurajojë industrinë minerare në shtratin e detit./TRT

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco