Ja kush janë studiuesit e nominuar për çmimet shkencore kombëtare

Ja kush janë studiuesit e nominuar për çmimet shkencore kombëtare

11:25, 20/04/2017
A+ Aa A-

Akademia e Shkencave ka publikuar emrat e studiuesve të nominuar për çmimet shkencore kombëtare vjetore, që do të ndahen më 21 prill, në një ceremoni të posaçme.
 
I. Të nominuar për Çmimin shkencor kombëtar vjetor “Çabej”, që jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave shoqërore-albanologjike, këto vepra:

1. "Fjalëtore shqip-gërqisht gërqisht-shqip", Dhori Qirjazi
2. "Zhvillime të mjeteve gramatikore të shqipes", Ethem Likaj 
3. "Mitet e historiografisë arbëreshe", Matteo Mandalà
4. "Arbërit e Jonit", Pëllumb Xhufi
 
I.
1. Dhori Qiriazi, Fjalëtore shqip-gërqisht, gërqisht-shqip dhe ndihmesa të tjera leksikografike, Tiranë 2014.
Vlerësohet si një prej studimeve më të rëndësishme në fushën e filologjisë së tekstit. Pas një pune prej disa dekadash, studiuesi ka arritur të rindërtojë fjalorin shqip-greqisht dhe greqisht shqip të Thimi Mitkos, duke shfrytëzuar mbi 5 mijë skeda dorëshkrim të këtij autori historik, me emrin e të cilit lidhen fillimet e Rilindjes shqiptare. Përveçfjalëtores dygjuhëshe, studiuesi ka bashkuar mijëra njësi frazeologjike të shqipes dhe kalkimet e tyre në greqisht. Me botimin e kësaj vepre ndryshon rrënjësisht historia e leksikografisë dhe leksikologjisë shqiptare dhe po ashtu edhe përfytyrimi për fillimet e romantizmit. Vepra të tilla, që shenjojnë sakrifikimin e autorësisë vetjake për t’u dhënë frymë trashëgimive më të hershme shqiptare, janë gjithnjë e më të pakëta. Studiuesi ka përgatitur gjithashtu një parathënie të gjatë, me vlerën e një monografie, ku personaliteti i Thimi Mitkos, i pari që hartoi një fjalor që jo shqiptarët të mësonin greqisht, por grekët të mësonin shqip, ndriçohet plotësisht.
 
2. Ethem Likaj, Zhvillime të mjeteve gramatikore të shqipes, studim monografik, Tiranë 2014.
Ky studim i përket një disipline në të cilën ka pasur dhe ka pak kontribuues, për shkak të vështirësive objektive të saj. Është një studim monografik me karakter sintetizues në fushën e morfologjisë historike të shqipes, duke iu referuar dy sistemeve bazë të saj, sistemit emëror dhe sistemit foljor. Këtë çështje autori e ndjek prej një periudhe hipotetike indoeuropiane, nëpër periudhën e proto-shqipes deri në njësimin e mjeteve të eptimit të gjuhës së sotme, me referencë mjetet e paravendosura dhe ato të pasvendosura, duke përfshirë dhe historinë e gramatikalizimit të formanteve të shqipes, stabilizimin e paradigmave emërore e foljore dhe mbërritjen në gjendjen e sotme si gjuhë analitike-sintetike.


     
    3. Matteo Mandalà, Mundus vult decipi, Mitet e historiografise arbereshe, Tiranë 2016.
    Studim monografik që i kushtohet udhës së krijimit të miteve kombëtare të arbëreshëve, me qëllim që të kronologjizohet dhe të historizohet ky proces, duke ndërlidhur kujtesën e kryehershme të arbëreshëve me zhvillimin e tyre në shekujt pas-mesjetarë. Është konsideruar një prej studimeve më të rëndësishëm në fushën e antropologjisë strukturore-kulturore të albanologjisë. Botës i pëlqen të mashtrohet, siç do të ishte titulli shqip i kësaj vepre, ka rëndësi jo vetëm në vetvete, por dhe sepse ka krijuar një shembull me rëndësi metodologjike për studimet shqiptare, me karakter emancipues për mendimin shqiptar, për dy arsye: 1. Çliron mitet arbëreshe e shqiptare prej romantizmit tradicional; 2. U bëhet pritë prirjeve të sotme dekodifikuese të miteve shqiptare, që qëndrojnë në themelin e albanologjisë (duke përfshirë edhe mitin e Gjergj Kastriotit), me qëllim shkatërrimin e tyre. Autori provon se mitet shqiptare nuk janë ngritur në dëm të tjetrit, dhe kjo është arsye e mjaftueshme për të ndalur tek çsekretimi e historizimi i tyre, pa shkuar më tej.
     
     
    4. Pëllumb Xhufi, Arbërit e Jonit, studim monografik, Tiranë 2016.
    Monografia u kushtohet shekujve të Mesjetës të Arbërve jonianë, njohur dhe si Shqipëria e Poshtme. Në studimet albanologjike shqiptare dhe të huaja, duke përfshirë edhe autoritete të tilla si Milan Šufflay, Constantin Jire?ek, Ludëig Thaloczy, Lucia Nadin, Oliver Schmitt e Alain Ducellier, interesimi për historinë mesjetare të arbërve ka pasur si një limes lumin Vjosë. Monografia Arbërit e Jonit plotëson për herë të parë shpërpjesëtimin e trashëguar në këtë dije, duke tejkaluar kufizimet e deritashme të kësaj shkence qoftë në aspektin konceptual, qoftë në atë hapësinor. Vepra mbështetet në burime të reja, të pakëshilluara deri më sot, kryesisht perëndimore. Autori saktëson rast pas rasti shtrembërimet e historisë së arbërve të nën-Vjosës, si dhe çmonton manipulimet romantike me përcaktimet që gjenden në burime për etnicitetin e besimin.
     
     
     
    II. Të nominuar për Çmimin shkencor kombëtar vjetor “Radovicka”, që jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave natyrore-teknike, këto vepra:
    1. "Ujërat termale dhe minerale të Shqipërisë", Alfred Frashëri, Romeo Eftimi
    2. "Bazat dhe metoda klinike e trajtimit të dhimbjes fantomë", Apostol Vaso 
    3. "Polimorfizmi gjenetik i sistemit HLA në popullatën shqiptare dhe roli i markuesve imunologjikë dhe imunëgjenetikë në realizimin e transplantove dhe diagnozën e sëmundjeve autoimune", Genc Sulçebe
    4. "Pasuritë ujore të Shqipërisë", Niko Pano
     
     Romeo Eftimi, Alfred Frasheri
    "Ujërat termale dhe minerale të Shqipërisë"
    Vepra e parë mbi ujërat minerale të vendit, ku përshkruhen të gjitha burimet e njohura natyrore termale dhe minerale si dhe ato të zbuluara nga shpimet e thella të kërkimit të naftës e të gazit, si dhe burimet e industrializuara. Pasuria më e madhe e këtij studimi janë analizat kimike të ujërave, falë të cilave autorët përkufizojnë tre tipet e ujërave termo-minerale të Shqipërisë. Studimi analizon veçoritë sasiore dhe cilësore të grupeve kryesore të ujërave termale e minerale, sistemet ujëmbajtëse që i ushqejnë ato, faktorët që kontrollojnë formimin e cilësive fiziko-kimike si dhe grumbullimin dhe riprodhimin e rezervave të tyre. Karakterizimi i ligjësive të formimit të ujërave termale dhe minerale jepet nga autorët në lidhje të ngushtë me ndërtimin gjeologjik dhe karakteristikat hidrogjeologjike të përgjithshme të Shqipërisë.
     
     Apostol Vaso
    "Bazat dhe metoda klinike e trajtimit të dhimbjes fantomë"
     
    Një ndër botimet e rralla shqiptare për dhimbjen kushtuar bazave dhe metodave klinike të trajtimit të dhimbjes Fantomë; shqyrton një problematikë pak të studiuar, që lidhet me problematikën e sëmundjes së dhimbjes kronike është ndjeshmërinë dhe dhimbjen e gjymtyrës së munguar, një perceptim i veçantë dhe i komplikuar që shfaqet në rastet e intervenimeve kirurgjikale të amputimit të gjymtyrëve dhe rezeksionit të organeve të brendshme, si dhe në mungesat kongenitale të tyre.
      
    Genc Sulçebe
    "Polimorfizmi gjenetik i sistemit HLA në popullatën shqiptare dhe roli i markuesve imunologjikë dhe imunëgjenetikë në realizimin e transplantove dhe diagnozën e sëmundjeve autoimune"
     
    Studim i realizuar për herë të parë në Shqipëri mbi polimorfizmin gjenetik të sistemit HLA në popullatën shqiptare dhe rolin e markuesve imunologjikë dhe imuno-gjenetikë në realizimin e transplanteve dhe diagnozën e sëmundjeve autoimmune; vepër që synon t’i hapë rrugën krijmit të kushteve për kryerjen e transplanteve edhe në Shqipëri; ku realizohet krahasimi i distancave gjenetike midis popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me popullatat e tjera europiane, si dhe studimi i lidhjeve midis aleleve HLA dhe disa sëmundjeve autoimune në Shqipëri.
     
     
    Niko PANO
    Pasuritë Ujore të Shqipërisë, Tiranë 2015

    Vepra shkencore Pasuritë ujore të Shqipërisë, një studim i gjerë dhe kompleks, është rezultat i kërkimeve gjysmëshekullore për resurset hidrike të Shqipërisë, të realizuar me metoda bashkëkohore, me kontribut tëshquar për shërbimin hidrometeorologjik në fushën e pasurive ujore të Shqipërisë me ndikim teorik e praktik në kërkim - zhvillim, si dhe në fushën e arsimit e të edukimit të kërkuesve të rinj.
     
     
    III. Të nominuar për Çmimin shkencor kombëtar vjetor për kërkuesin e ri më të suksesshëm, në fushën e shkencave shoqërore-albanologjike, këto vepra:
    1. "Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës", Andi Rëmbeci, Sokol Çunga
    2. "Arbërorët" (ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shek.XI-XV), Gjon Berisha
    3. "Antropologji e Kanunit", Nebi Bardhoshi
     
    1. Andi Rëmbeci dhe Sokol Çunga, Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës (Kodiku i Korçës), Athinë 2012.
    Është një botim specifik, në të cilin bashkohen disa kompetenca: të njohjes së historisë së krishterimit, të paleografisë dhe historisë së shkrimeve dhe dorëshkrimeve, të gjuhës greke mesjetare, të metodave të transkriptimit dhe transliterimit, të hermeneutikës. Për dorëshkrimin që i është kushtuar vepra Akademia e Shkencave ka shprehur interesim kërkimor qysh në vitin 1981, kur Petraq Pepo u ngarkua të bvnte një përzgjedhje burimesh në dobi të historisë së Shqipërisë, që u vu në qarkullim për përdorim të brendshëm. Libri përmban studimin introduktues, tejshkrimin dhe përkthimin, si dhe riprodhimin anastatik. Bën pjesë në botimet e luksit. Shenjon një arritje në fushën e tekstologjisë kritike biblike-ungjillore dhe përbvn një shembull për vënien e burimeve kishtare, sidomos të kodikëve kronografikë (regjistra) në funksion të ndriçimit të historisë kombëtare.

    2. Gjon Berisha, Arbërorët (ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shekujve XI-XV), Tiranë 2015.
    Çështje themelore e kësaj monografie është ndikimi i pozitës së ndërmjetme gjeorajonale dhe gjeofetare të dheut të Arbërit prej shekujve më të hershëm të lindjes së etnosit shqiptar nga shek 11 deri në fillimet e sundimit osman. Autori trajton pozicionin kishtar
    te arberoreve dhe lidhjet e orientimet e tyre fetare me ato politike. Kjo çështje bëhet për herë të parë objekt më vete prej historisë së Shqipërisë, duke spikatur si faktorë të identitetit dhe të fatit historik të arbërorëve ndarjet administrative kishtare, rivalitetin e dy kryqendrave kishtare për dominim, luhatjet e shqiptarëve midis tyre sipas interesave pragmatikë, ndikimin e skizmës së madhe në skizmat e shpeshta të krerëve të zotërimeve arbërore. Studimi i referohet hapësirës historike protoshqiptare, që qe djepi i popullit shqiptar por dhe krahinave kishtare fqinje nëndanubiane. Autori perfshin ne analizen e vet te gjitha trojet shqiptare qe aso kohe njesoheshin me provincat administrative e kishtare te Prevalit, Dardanise, Epirit te Ri, dhe Epirit te vjeter.
     
    3. Nebi Bardhoshi, Antropologji e Kanunit, Tiranë 2016.
    Studim monografik në fushën e antropologjisë strukturore, me të cilin nis një traditë e re kërkimesh rreth së drejtës së pashkruar shqiptare, duke tejkaluar me rreptësi romantizmin, traditë e krijuar prej shkollës historike-monumentalizuese të një aradhe dijetarësh të huaj, që i identifikuan shqiptarët si popull kanuni, idealizuan prapambetjen e tyre, propozuan konservimin e saj, e donin këtë vend kryesisht për të shkuarën e tij, duke madhështuar primitivitetin. Kjo traditë shkencore, e rikthyer vrulltas në dekadat e fundme në formën e një post-romantizmi të rrezikshëm, përgjatë një shekulli është pëlqyer e lartësuar edhe prej vetë shkencës albanologjike, duke pranuar primitivitetin në emër të lashtësisë, prapambetjen në emër të autoktonisë. Autori ndahet prej kësaj tradite, duke preferuar metodën gjenealogjike, që e çon autorin në ndryshimin e gjendjes së deritashme të dijes, qoftë për truallzimin historik të së drejtës së pashkruar shqiptare, qoftë për të quajturin anonimat të saj, qoftë për raportet me të drejtat e shkruara.  
     
     IV. Të nominuar për Çmimin shkencor kombëtar vjetor për kërkuesin e ri më të suksesshëm, në fushën e shkencave natyrore-teknike këto vepra:
    1. "Integrating antimicrobial therapy ëith host immunity to fight drug-resistant Infections: Classical vs Adaptive treatment", Erida Gjini 
    2. "Molecular Evolution of Pyroglutamylated RFamide peptide and Orphan G Protein Coupled Receptor", Rigers Bakiu
     
    Erida Gjini
    "Integrating antimicrobial therapy with host immunity to fight drug-resistant Infections: Classical vs Adaptive treatment"
     
    Studim matematikor për dinamikën e infeksioneve rezistente për një problematikë aktuale sot në botë, pjesë e kërkimeve globale mbi rezistencën antimikrobiale në rritje, si një sfidë përballë njerëzimit. Me anë të analizës dhe simulacioneve kompjuterike arrihet të kuptohen mekanizmat e parametrave kyçe të trajtimit antibiotik për evitimin e seleksionimit të rezistencës në bashkëpunim me sistemin imunitar; shpjegohen parametrat kryesorë dhe si e kur një regjim përshtatës ndryshon nga trajtimi klasik, duke sjellë njohuri të reja në debatin e vazhdueshëm të kontrollit të rezistencës. Duke theksuar ndjeshmërinë e rezultateve të trajtimit të bilancit midis ndërhyrjes së jashtme me antibiotikë dhe mbrojtjes endogjene natyrore, studimi bën thirrje për vëmendje më empirike në proceset e imunitetit.
     
    Rigers BAKIU
    "Molecular Evolution of Pyroglutamylated RFamide peptide and Orphan G Protein Coupled Receptor"
     
    Monografia Evolucioni molekular i peptidit RFamide i piroglutamilizuar dhe receptorit jetim të proteinës G të çiftëzuar, si studim shkencor i bazuar në metoda bioinformatike dhe molekulare për të evidentuar aspektin evolutiv në strukturën dhe funksionin e dy bashkëvepruesve (peptidi 26RFa dhe receptori GPR103) është një kontribut i dobishëm në kuptimin e mekanizmave të rregullimit të aktivitetit të lëvizjes, gjumit dhe të efektit mbrojtës në sëmundjen Alzheimer.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco