FOTO/ Ceremonia, Presidenti Bujar Nishani dekoron ikonat e ekranit shqiptar

FOTO/ Ceremonia, Presidenti Bujar Nishani dekoron ikonat e ekranit shqiptar

15:38, 24/02/2017
A+ Aa A-

Presidenti Bujar Nishani ka vlerësuar aktorët e mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Në një ceremoninë solemne të zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm artistë dhe aktorë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, regjisorë e skenaristë, familjarë dhe personalitete të artit e kulturës, presidenti Bujar Nishani vlerësoi aktorë të mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kreu i Shtetit i akordoi Dekoratën e lartë shtetërore:

Sulejman Pitarkës - (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi për njërin nga të parët e artit skenik shqiptar, bashkëkontribues në fillesat e Teatrit Kombëtar, duke vënë në shërbim të roleve dhe interpretimeve e të zhvillimit të teatrit e kinematografisë në Shqipëri talentin, kulturën, dijen, urtësinë, punën e tij të palodhur që e bënë një shprehës të përkryer mjeshtërie të lartë dhe përkushtimi të pashoq.”;

Sandër Prosit - (pas vdekjes) “Në vlerësim të thellë shtetëror për njërin nga bashkëthemeluesit e parë të Teatrit Kombëtar, i cili kontribuoi denjësisht që në fillimet e jetës së këtij institucioni, duke vënë në themelet e artit skenik e duke sakrifikuar me vetëmohim për kinematografinë shqiptare talentin e rrallë, kulturën e gjerë autodidakte, punën dhe përkushtimin e tij të pashtershëm.”;

Kadri Roshit - (pas vdekjes) “Në vlerësim të artistit të madh, i cili me interpretimet e tij të shumta në kinematografi, u shndërrua në një nga figurat kryesore dhe mbresëlënëse të artit skenik e të filmit shqiptar, dhe memories historike të kulturës shqiptare.”;

Violeta Manushit - (pas vdekjes) “Me mirënjohje për forcën dhe larminë e interpretimeve të saj të përkryera në skenën teatrore dhe rolet e saj të paharrueshme kinematografike, në saje të të cilave ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme si njëra prej aktoreve më të dashura e më ndikuese në zemrat dhe mendjet e artdashësve shqiptarë”;

Ndrek Lucës - (pas vdekjes) “Me mirënjohje për një artist të lindur e gjenial, i cili me interpretimet e tij të shumta aq të vlerësuara nga artdashësit tanë, ka lënë gjurmë të paharrueshme në artin skenik e kinematografik modern shqiptar.”;

Margarita Xhepa - “Si mjeshtre e përkryer dhe interpretuese e rrallë e artit skenik dhe atij kinematografik të vendit tonë të personazheve aq të spikatura jetësore, e cila për dekada me radhë ka portretizuar karaktere të panumërta dramatike e aq të dashura, duke mbetur përjetësisht e gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë.”;

Robert Ndrenika - “Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar.”;

Tinka Kurti - “Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana” e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore.”

    Fjala e presidentit Bujar Nishani:

     “Kam privilegjin sot si President i Republikës, që në emrin tim personal dhe të Institucionit që përfaqësoj, por edhe në emër të komunitetit të madh të artistëve, të njerëzve të artit e kulturës, e mbi të gjitha të shqiptarëve, të nderojmë përmes kujtesës disa prej tyre, por edhe të mirënjohjes e falënderimit edhe përmes pranisë të disa të tjerëve, një kast aktorësh të shkëlqyer dhe origjinalë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

    Kontributi i këtyre personalitete është i shtrirë gjatë në kohë dhe nga pikëpamja artistike i ka fillesat e tij që nga filmi i parë shqiptar ‘Tana’ ku ishin të pranishëm në moshë shumë të re në atë kohë me interpretimet e tyre mjeshtërore Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi Marie Logoreci, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Esma Agolli e shumë e shumë të tjerë, të cilëve nuk ua përmend dot emrin të gjithëve, por tek i përmend e kupton se çfarë dimensioni të madh kulturor, artistik, profesional njerëzor kanë mbajtur.”

    Nuk është aspak e lehtë që të përmbledhësh në një fjalë ceremoniale dekadat dhe vitet e punës rolet e panumërta, djersën, mundin, talentin, kontributin, arritjet artistike e kulturore, interpretimet magjepsëse të këtyre gjigantëve të skeëns dhe të ekranit e të kulturës sonë kombëtare, që më madhështore si dimension kanë pikërisht atë që sot e kësaj dite janë e duken të freskëta. Dhe jo vetëm në kujtesën e atyre që e kanë dashur dhe e duan teatrin, filmin, por në panteonin e asaj që përbën krenarinë e trashëgimisë sonë kombëtare të kulturës.

    Në ditët e sotme mund të themi se kinemaja dhe teatri shqiptar gjenden padashur midis nostalgjisë së një kinemaje e teatri kombëtar, të lindur e zhvilluar në disa kushte të caktuara, dhe së ardhmes në ndërtim e sipër, gjithmonë pa i humbur tiparet dhe karateristikat tona artistike dhe kulturore kombëtare. Por sidoqoftë unë besoj se këto personalitete që përmenda si dhe shumë e shumë artistë të tjerë, të cilët kam kënaqësinë e veçantë të jenë sot në sallë këtu dhe gjenden çdo ditë me dinamikën e tyre në skena e teatro, edhe në fusha e sheshe xhirimi, edhe mbi tryeza të kompozimit e të krijimit, të cilët përditë e më shumë e kanë frymëzuar dhe vazhdojnë ta frymëzojnë shoqërinë tonë janë vlera të qenësishme e të patjetërsueshme. Tek rolet e intepretuara, tek dhuntitë e rafinuara por edhe tek dimensioni i madh njerëzor, pa të cilin kolori kulturor do ta kishte të vëshitrë të rrezatonte të gjithë atë ndriçim që e kanë bërë jo vetëm përmes ekranit, por edhe mes skenës, por edhe përmes jetës së përditshme si njerëz, si prindër, si gjyshër, si miq, si shokë, si të afërm, si shqiptarë. Jam i bindur dhe do ta them me shumë sinqeritet, por i palëkundur në këtë bindje, se ikona të tilla të filmit dhe artit, nëse do të kishin pasur rrethana, fatin dhe shansin të ishin diku gjetkë, në infrastrukturën e Holliudit, apo në fokusin e kameramave të regjisprëve të mëdhenj botërorë, padyshim që sot do të ishin ikona botërore të kinematografisë. Por ne jemishumë të kënaqur që i patëm këtu në Shqipëri edhe që e ndihmuan një vend, një popull, një komb të tërë jo për ta zbukuruar, jo për ta sheqerosur procesiin e kohës, por për ta kuruar edhe për ta mbajtur shpresën dhe dimensionin e civilizimit aty në inkubatorin e shpirtit të tyre. Edhe ia dolën që në momentin e duhur shqiptarët ta kishin jo si një improvizim këtë dimension që ata u falën, që ua mëkuan, por ta kishin si një pjesë vërtet të tyren, brenda shpirtit, brenda qenësisë, brenda vetëdijes së tyre, brenda gjallesës së tyre, dhe jo vetëm të rriteshin me të, por edhe të mbijetonin. Sot ndoshta është e vështirë për brezin e ri, por edhe e pamerituar ndoshta për brezin pak më të shkuar për të kuptuar, ose më mirë për të mos harruar se sa e vështirë ishte rrugëtimi i tyre njerëzor në raport me dimensionin e madh artistik dhe kulturor e profesional e mjeshtëror. Edhe kjo tendencë për të harruar këtë disproporcion të madh është një dëm që të gjithë ne do të bënim, nëse nuk do të reflektonim me përgjegjësinë që duhet dhe me dimensionin shtetëror, institucional e më pas të transmetuar te filli i ndjesisë shoqërore.

     

    Piktori i famshëm Henri Matise dikur ka thënë: ‘Artisti nuk mund të jetë kurrë një i burgosur! I burgosur? Një artist nuk duhet të jetë kurrë i kyçur në vetvete, peng i stilit, i famës, i lidhur nga vargonjtë e suksesit.’ Dhe këta kolosë të artit dhe kulturës shqiptare që për mua do të thotë dimension civizilimi, nuk kanë qenë kurrë të tillë! Ata nukmund të ishin të tillë! Sepse ata suksesin e kishin të lidhur sa me dhuntinë që Perëndia ukishte dhënë, aq edhe me shpirtin njerëzor që i mëkuan gjatë gjithë jetës së tyre.”

    “Përpjekjet dhe arritjet e mjeshtrave të mëdhenj të kinematografisë sonë përfaqësojnë dimensione të patjetërsueshme të artit, kulturës dhe emancipimit tonë në tërësi. Vlerat e trashëgimisë së tyre janë dhe do të jenë gjithmonë ushqim shpirtëror dhe mendor pa të cilin jam i sigurt, se çdo komb, sado të lashtë dhe të pasur që mund ta ketë trashëgiminë e vet, nuk mund të ecë dot përpara, aq më tepër Shqipëria jonë e vogël. Jam i bindur se bashkësia e çmuar e artistëve, e pajisur me kurajë civile, nuk do ta harrojë pas asnjë çast misionin e shenjtë që ajo mbart mbi supe, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë maksimale njerëzore. Ndaj edhe sot, besoj se duke u përpjekur, pasi unë e konsideroj përpjekje institucionale në kuadrin e përgjegjësisë pa diskutim, duke u përpjekur me vullnet dhe dëshirë të mirë, që dritat e prozhektorëve këtë radhë t’ua kthejmë sërish disa prej atyre që e meritojnë maksimalisht vlerësimin dhe nderimin dhe mirënjohjen  respektin:  – artistëve të mëdhenj Sulejman Pitarkës, Sandër Prosit, Kadri Roshit, Violeta Manushit, Margarita Xhepës, Ndrek Lucës, Robert Ndrenikës, Tinka Kurtit, të cilëve me dekoratën e lartë shtetërore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ne unjohim kontributet, u vlerësojmë vlerat, i falënderojmë për krijimtarinë, dhe i përulemi me mosharresë për interpretimet e tyre të papërsëritshme.

    Ndoshta është pak vonë për të vlerësuar këto figura kaq të veçanta e të papërsëritshme të artit e të kulturës me atë çka u takon në të vërtetë,  por më mirë vonë se kurrë. Kjo plejadë e shkëlqyer artistësh meriton pa kurrfarë mëdyshjeje vendin e saj më të mirë në panteonin e praruar të artit e të kulturës mbarë shqiptare. Do të dëshiroja të adresoja se duhet të na shërbejnë këto figura të përmasave kombëtare, madje edhe ndërkombëtare kulturore, artistike e shoqërore si një burim frymëzimi veçanërisht për brezat e rinj të artistëve shqiptarë, por në tërësi të brezave të rinj, të gjeneratës që po krijojmë, që edhe ata t’i përkushtohen me po aq pasion, po me aq çiltërsi, po me aq vërtetësi, po me aq idealizëm karrierës së tyre, përpjekjeve të tyre, jetës së tyre njerëzore dhe profesionale.”

    “Gjithçka keni bërë e keni arritur në skenë, patjetër edhe me ndihmën e pakursye të familjeve tuaja, të të afërmve e të miqve tuaj, e keni bërë siç ka e shkruar dikur edhe O’Henri: ‘Nga dashuria për artin!’ Dhe vetëm për këtë arsye, do të ishte nderimi dhe mirënjohja më e madhe për ju do të ishin duartrokitjet pambarim që u keni marrë spektatorëve duke iu përcjellë shërim dhe emancipim mijëra të tjerëve. Sikur edhe vetëm për këtë ju dhe të gjithë kolegët tuaj, artistët e tjerë do t’ju konsideronin të paaritshëm në shpirt dhe në zemër. Ndaj duke përfituar nga privilegji që kam dhe të adresohem në këtë ceremoni këtyre njerëzve, dua t’ju them vetëm faleminderit! Ju faleminderit dhe të gjithëve jetë të gjatë dhe të mbeteni përherë ashtu siç jeni: monumente jo vetëm të kujtesës, por në tërësi të kulturës dhe civilimit shqiptar! 

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco