30 amerikanë në Shqipëri në 1943 dhe një amanet pas 52 vitesh

30 amerikanë në Shqipëri në 1943 dhe një amanet pas 52 vitesh

09:35, 22/02/2017
A+ Aa A-

Në shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri ishte përhapur lajmi aq i mirëpritur se aleatët anglo-amerikanë do të zbarkonin këtu. Kjo siç dihet nuk ndodhi, veçse opinioni ishte përgatitur. Por gjithë kjo shpresë nuk shkoi fare kot. Sado pak, (simbolike) një togë ushtarakësh amerikane të shëndetësisë do të zbarkonte, ndonëse pa dashje.

Me 8 nëntor 1943 në Çestije të Belshit, në Elbasan, bie një avion amerikan transporti Dakota C-53. Avioni ishte nisur, bashkë me dy të tjerë, nga Katania e Siçilisë në drejtim të Barit të Italisë. Por për shkak të një stuhie, që e zuri në rrugë, ish ndërprerë ndërlidhja me bazën dhe pas 5 orë fluturimi të shqetësuar mes reve, ish gjetur një vend i sheshtë ku avioni u ul me zhurmë. Kish rënë në Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët.

Këta pasi e kishin gjuajtur kur kishte kaluar mbi Kuçovë, u sulën menjëherë drejt vendit ku kish rënë. Por, para tyre, kishin arritur banorët e fshatit Cestije dhe një grup partizanësh, të cilët e dogjën avionin dhe i morën pasagjerët dhe ekuipazhin në mbrojtje. Njëri syresh, që më vonë doli se ishte Hasan Gina, qëndronte majë një kali të bardhë, mbante një gunë të zezë, një pushkë në sup, një gjerdan fishekësh në gjoks dhe dy granata dore i vareshin te rripi i mesit.

“Amerikano! Amerikano!” thirri ai. Rrëmbeu dorën e djathtë të Jensen dhe e tundi “Ky dukej ai tip burri që ia vlente ta takoje. Hasan Gina, do të shkruante më vonë Peter Lucas, ishte ose një original ose një Marion Brando i ri në rolin e tij në një film të mirë lufte. (Rrumpalla, 2008) Hasan Gina dhe grupi i tij i partizanëve që komandonte e shpëtuan dhe e shoqëruan grupin e amerikanëve në një pjesë të udhëtimit në Shqipërinë e Jugut.

Ditar dhe kujtime të Agnes Jensen. Libri ndodhet në Bibliotekën tonë kombëtare në Tiranë.

Avioni amerikan kishte pasur në bordin e tij 30 vetë, prej tyre 13 infermiere të skuadrës së evakuimit ajror, (të gjitha nëntogere*) 13 sanitarë (burra) dhe ekuipazhi prej 4 vetësh. Patën fat që nuk u dëmtuan në rënie (vetëm një plagosje të lehtë në gju), po edhe më shumë që kishin rënë në një zonë të kontrolluar nga partizanët. Këta, bashkë me banorët e Çestijes, i morën me vete, i fshehën dhe i mbajtën në shtëpitë e tyre. Kur erdhën nazistët gjetën avionin e djegur.

Por amerikanët nuk mund të qëndronin aty, do të lëviznin. Dhe nuk ish e lehtë t’i shmangeshin kontaktit me armikun. Në të gjithë rrugën që ata përshkuan nëpër Shqipëri u shoqëruan dhe u siguruan nga forcat partizane dhe populli.

800 milje për 62 ditë nëpër Shqipëri

“Për 62 ditë 29 kolegët e mi dhe unë u shmangeshim menjëherë patrullave armike, ndërsa endeshim në këmbë në malin e ashpër, zvarriteshim në shi, në llohë bore ose nën diellin e shndritshëm, gjithmonë në kërkim të ushqimit dhe të banesës. Ne vazhdimisht ishim përballë fatkeqësisë së dizenterisë, plagëve të mbushura me qelb, hepatitit dhe trupit me morra” do të shkruante për këtë ngjarje pas 49 vjetësh, më 1992, njëra nga personazhet kryesore të kësaj “aventure shqiptare”, ish nëntogerja Agnes Jensen Mangerich.

Nga Belshi, grupi 30 vetësh i amerikanëve arriti në Beratin e lirë, asokohe, ku populli në të dy anët e rrugës i duartrokiste ata që po hynin në qytet. Qëndruan aty gati dy javë. Me porosi të qarkorit të Partisë Komuniste (Kahreman Yllit) me grupin e amerikanëve shkoi si përkthyes mësuesi Kosta Stefa. Pritja e Beratit ishte shumë miqësore.

Por në një nga ditët gjermanët sulmuan Beratin. Grupi i amerikanëve u tërhoq me luftë prej aty dhe kaluan në Përmet. Gjithnjë të shoqëruar nga grupe partizane që ia dorëzoni njëri tjetrit grupin e amerikanëve. Deri edhe çobanët ndihmonin. Po në Berat kishin mbetur tri infermiere amerikane, të cilat kështu u shkëputën nga grupi kryesor.

Për grupin e amerikanëve ishte vënë në dijeni edhe misioni anglez që ndodhej në Korçë dhe togerit Geri Dafi të këtij misioni, iu ngarkua detyra të shoqëronte edhe ai këtë grup drejt bregdetit. Kjo duhet të ketë ndodhur rreth 30 nëntorit 1943. Togeri anglez kish mundur të informonte me radio shtabin e tij në Kajro për fatin e grupit amerikan.

Për ta ishte informuar Presidenti i SHBA, Ruzvelt, i cili kishte kërkuar veçanërisht gjetjen dhe evakuimin e grupit të vajzave dhe djemve të rënë në Shqipëri dhe e monitoronte çdo ditë situatën e tyre. Për këtë AAF- ja amerikane kishte nisur për Shqipëri një oficer të OSS (Shërbimi i zbulimit strategjik, paraardhës i CIA-s), që të lidhej me grupin dhe t’i nxirrte prej këtu.

Ky oficer i zbulimit strategjik ishte pikërisht kapiteni 24 vjeçar Llojd Smith. Ky do të qëndronte në zonën e bregdetit shqiptar të Jonit në pritje të lidhjes me grupin. Në rrethin e Gjirokastrës grupi bëri një pushim. U mendua dhe u provua që grupi të evakuohej nga ajri.

Por kur u bënë gati anglezët për t’i marrë, kjo u bë e pamundur meqë gjermanët kishin pushtuar zonat përreth dhe aerodromin e Gjirokastrës. Kështu ulja e aeroplanëve në tokë paraqiste rrezik. Nga Italia anglezët dërguan dy skuadrilje avionësh, të cilët fluturuan mbi Gjirokastër. Oficeri britanik e pruri grupin e amerikanëve pranë aerodromit, por meqë atje gjendeshin dy makina të blinduara në rrugën kryesore, tamam matanë lumit, ai me të drejtë refuzoi të jepte sinjalin për aeroplanët që të uleshin, pavarësisht nga lutjet histerike të grupit që shoqëronte (B. Tilman “Atje ku njerëzit dhe malet takohen” f.142).

Me togerin britanik Geri Dafi: dy infermiere të entuziamuara nga shpëtimi

Me 6 janar grupi amerikan kishte arritur në zonën e bregdetit. Në Kallarat e Tërbaç, kujton LLojd Smith, na pritën aq mirë sa s’ka. Aty Smith takoi Hodo Meton, ish mësues, agjent i OSS amerikane. Janë të lodhur dhe të uritur i thashë. “Mos ki merak“ më tha. Rrugës së bregdetit i shoqëruan gjashtë shqiptarë, të ndarë dy nga dy në tre grupe, duke lëvizur natën e me shumë kujdes nga shtëpia e Xhelil Ymer Çelës në Dukat në atë të Jeronim Dunit e të Jani Markos në Dhërmi,pastaj në Vuno sa dolën në Gjongjilekë. Këtu një anije naftëmbajtëse angleze i mori pas mesnate dhe i dërgoi në Bari të Italisë.

Kishin ecur mbi 800 milje për 62 ditë nëpër Shqipëri. Smith,i graduar major që në janar, nga suksesi i operacionit të parë, do të vinte përsëri në Shqipëri në mars për të evakuar tri infermieret e mbetura pas në Berat.

Mesazhi amanet

Historia interesante e 30 amerikanëve në Shqipëri që shpëtuan mrekullisht në sajë të ndihmës së partizanëve dhe të popullit, ose ndryshe “aventura shqiptare” e tyre, që spikat për dramacitetin e saj, por që flet shumë për pritjen miqësore aq karakteristike të shqiptarëve, mbeti e panjohur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.

Madje përkthyesi i anglishtes, Kosta Stefa, nga qyteti i Beratit, (në shtëpinë e të cilit dy javë kishte qëndruar Agnes Jensen),pas çlirimit qe pushkatuar i akuzuar si agjent i SHBA. Ndërsa në SHBA njerëzit flisnin dhe shkruanin me simpati për popullin shqiptar dhe forcat partizane që u shpëtuan jetën vajzave dhe djemve të tyre. Më 1946 Tilman, që kishte qenë në Shqipëri me 1943, dhe ishte takuar me grupin e vajzave në Gjirokastër, në dy faqe të një libri që botoi shkruante dhe për këtë ngjarje.

Foto e gjeneral-major Ralph Royce

Më 1986 në Shqipëri kish ardhur gazetari i mirënjohur amerikan me origjinë shqiptare Peter Lucas, i cili kishte kaluar gjithë itinerarin e kohës së luftës të grupit të amerikanëve. Për këtë ai shkroi në shtypin amerikan dhe botoi një libër për ngjarjen.

Në tetor 1995 ai do të shoqëronte në vizitën e saj në Shqipëri Agnes Jensen Mangerich me të bijën,Karen Anne dhe të birin, Jon Riçhard. E pritur miqësisht, ish nëntogerja e ushtrisë amerikane (më 1995, 81 vjeçe) bëri një vizitë në disa nga vendet ku kish kaluar, nga Elbasani në Berat, dhe ish emocionuar nga takimet me njerëz që kishin jetuar ngjarjen.

Tepër prekës kish qenë takimi me miken e saj në Berat, Eleni Stefa, bashkëshorten e ish përkthyesit të kohës së luftës. Të dyja kishin pushtuar njëra tjetrën ndërsa u rridhnin lotët çurg. “E takova miken time dhe e ngushëllova për vdekjen e të shoqit, Kostës ,ish përkthyesit tonë. Kam ndjerë një dhimbje të madhe, nuk di si ta shpreh”,do të thoshte Jensen.

Në një ceremoni të bukur në Ministrinë e Mbrojtjes, Komisioni Qendror i Statusit të Veteranit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare i akordoi Agnes Jensen Librezën e Nderit të Veteranes së Luftës së Popullit Shqiptar, të cilën ajo e mori me shumë emocion dhe tha se do ta mbante si gjë të shtrenjtë në shtëpinë e saj. Vajzës dhe djalit u thoshte: “Shqipëria është vendlindja ime e dyte”.

Me të shkuar në SHBA, Jensen u tregonte me krenari të tjerëve Librezën e Nderit të Veteranes se Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Madje ajo ishte ftuar edhe në një pritje që kish dhënë ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Uilliam Peri, në të cilën “të gjithë ishin shumë të interesuar të dëgjonin për ceremoninë e nderit (në Shqipëri) dhe të shikonin Çertifikatën time të nderit te veteranes” do të më shkruante Ajo më pas.

Një zbulues amerikan dhe një vrimë plumbi e ruajtur 52 vjet në tavan

Vizita e Jensen Mangerich në Shqipëri dhe shkrimet e Peter Lukasit kishin zgjuar edhe një amerikan tjetër. Në shtator 1996 do të vinte në Shqipëri Llojd Smith.Pyetëm historianë dhe veteranë të Luftës se mos dinin gjë për të, por askush nuk jepte një përgjigje. Menduam se do të ishte ndonjë nga amerikanët e grupit të avionit që ish rrëzuar në Çestije të Elbasanit.

Por nuk ishte ashtu. Llojd Smith, ish kapiten i zbulimit strategjik amerikan ish nisur nga komanda e tij më 1943 të vinte në Shqipëri për të rënë në kontakt me grupin e vajzave dhe të djemve. Shërbimi i tij kishte qene “top sekret”.

Edhe Smith, më 1996, plot emocion dhe energji bëri një vizitë në zonat e bregdetit ku kishte qene gjatë Luftës. Madje i mirëpritur në po atë shtëpi nga djemtë e nipërit e tyre. Tepër i kënaqur nga pritja, por edhe zhbirues si një zbulues profesionist.

Në njërën nga këto shtëpi në një natë janari të vitit 1944, i zoti i shtëpisë i kish dhënë në dorë një pushkë, e cila tek po e shihte, i kishte shkrepur dhe plumbi kishte shpuar tavanin. Kur po ia tregonte më 1996 të birit, (që kish qenë i vogël atëherë) ai i thotë: ”Po, tamam ashtu, ja dhe vrima e plumbit në tavan që nuk e kemi prishur”.

Llojd Smith, i befasuar, por dhe shumë i kënaqur, ngrihet dhe e përqafon.

Llojd Smith, veteran i Luftës së Dytë Botërore, veç një albumi me foto nga kjo Luftë ( në të cilin kish zënë vend dhe ngjarja e grupit të 30 amerikanëve në Shqipëri) kishte sjellë një dokument interesant, një mesazh të Komandantit të Forcave Amerikane në Lindjen e Mesme, gjeneral majorit Ralf Rojs, drejtuar popullit shqiptar ku vlerësohej ndihma dhënë vajzave,burrave dhe ekuipazhit të avionit. Po e japim të plotë sot në gazetën DITA këtë dokument **:

Mesazhi i gjeneralit Ralph Royce drejtuar popullit shqiptar

SHTABI I FORCAVE TË ARMATOSURA TË SHTETEVE TË BASHKUARA NË LINDJEN E MESME.

Kajro,  Egjypt

20  Janar  1944

Majorit  Llojd  Smith,

Nëpërmjet raportit tuaj, gjeneral majori Ralf Rojs, komandant i Forcave amerikane ne Lindjen e Mesme ka qenë i informuar për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ndihmën që i është dhënë grupit të infermiereve amerikane  dhe aviatorëve që u ulën në Shqipëri. Gjeneral Rojs ka kërkuar që t’u bëhet vlerësimi i mëposhtëm këtyre njerëzve në emër të Ushtrisë së SHBA:

“Si komandant amerikan i teatrit të Lindjes së Mesme kam dëshirë të shpreh vlerësimin tim për ndihmën dhe drejtimin e bërë nga ju grupit të infermiereve amerikane dhe aviatorëve të mbetur në vendin tuaj. Evakuimi i tyre i sigurt i detyrohet shumë bashkëpunimit miqësor të popullit tuaj. Për këtë ne u jemi shumë mirënjohës.”

Në momentin më të parë ju duhet ta çoni këtë mesazh në vendin e duhur.

Paul West – Nënkolonel i Këmbësorisë.“

”Një natë u gjendëm në një dhomë me Enver Hoxhën”

Peter Lucas ka shkruar se gjatë udhëtimit të tyre nëpër Shqipëri, një pjesë të grupit e kishte takuar vetë Enver Hoxha. (P.Lucas) ”Një natë u gjendëm në një dhomë me Enver Hoxhën”, do t’i shkruante Lucasit Harold Hayes, njëri nga ish sanitarët e grupit.

Peter Lucas në Shqipëri

Këtë gjest të partizanëve shqiptarë “që bënë veçse detyrën e tyre të bashkëluftëtarit dhe të aleatit” Enver Hoxha do ta përmendte në fjalën e tij para Konferencës së Paqes në Paris,më 21 gusht 1946 .(Më pas ngjarja nuk do të kujtohej më në këtë kontekst,ndërsa përkthyesi i grupit, Kosta Stefa, do të vritej, Hasan Gina, më vonë ,do të dënohej me burg pse kish folur kundër partisë.)

Ndërsa megjithë përpjekjet mesazhi i gjeneralit Rojs nuk u bë e mundur të vinte në Shqipëri. Vetëm pas 52 vjetësh, kur kish siguruar një fotokopje të deklasifikuar së fundi nga Arkivi i Ushtrisë së SHBA, koloneli në pension, Smith e solli këtë dokument në Shqipëri, duke plotësuar një detyrë dhe një amanet.

Kjo ngjarje interesante e ndodhur 73 vjet më parë ishte një mesazh miqësie në kohë lufte. Ajo flet më së miri për për ndjenjat miqësore të popullit shqiptar për SHBA, por edhe për lidhjet e bashkëpunimin në kuadrin e koalicionit të madh Antifashist Botëror.

Më 2012 historiani amerikan Bernd Fischer botoi librin “Shqipëria 1943-1945” në të cilin u botua Raporti dokumentar në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë,shkruar më 1945 nga misioni special i Departamentit te shtetit në Tiranë. Në këtë raport gjejmë një vlerësim edhe për rastin e shpëtimit të infermiereve amerikane e të aviatorëve.

Disa nga infermieret amerikane pas shpëtimit

Në pikën 2 “Qëndrimi i shumicës dërmuese të popullit shqiptar“ shkruhet: “Ai ka demonstruar ndjenjat e tij thellësisht miqësore ndaj demokracive perëndimore në shumë mënyra dhe në shumë raste. Pjesëtarët e trupave ushtarakë aleate që u gjenden në tokën shqiptare patën kujdësin dhe u mbrojtën nga njerëzit e thjeshtë të këtij vendi dhe nga grupet e rezistencës,që iu dha një ndihmë dhe një mbrojtje të tillë duke rrezikuar edhe jetën e tyre.”

Më poshtë Raporti prek drejtpërdrejt rastin e infermiereve amerikane kur shkruan “tridhjetë të tjerë mundën të shkonin për dy muaj nga njëri fshat në tjetrin në Shqipërinë Qendrore e Jugore, ku gjetën kujdesin dhe mbrojtjen e duhur pa u tradhtuar” (Shqipëria 1943-1945”f.108) Për ngjarjen ka botuar kujtimet e saj Agenes Jensen: “Albanian escape” (Shpëtimi në Shqipëri) dhe kohët e fundit ka botuar një libër Cate Lineberry: “The secret rescue” (Shpëtimi sekret).

Vitet e fundit kjo temë e shpëtimit të infermiereve amerikane në Shqipëri është parë të trajtohet edhe ne vendin tone ne faqet shtypit te shkruar,në internet, në radio e TV. Ne ndonjë rast bie në sy një vlerësim i njëanshëm,sikur shpëtimin e tyre gjatë dy muajve  e kishte bere  kapitenit Llojd Smith, (i cili per hir te se vërtetës, sic e thosh edhe vete, kishte qëndruar ne pritje aty ne bregdet)

Ata qe i shpëtuan, kontribuuesi kryesor, ishte populli shqiptar, forcat e tij te Luftës  antifashiste, partizanet qe i gjetën, i siguruan dhe i shoqëruan për dy muaj dhe ia dorëzuan kapitenit Smith në bregdet, ku ai po priste. Madje kane kontrubuar edhe disa balliste, sic përmendëm  me lart Hodo Meton. Edhe  ne ëmesazhin e tij, gjeneral-majori Ralf Rojs, komandant i Forcave amerikane në Lindjen e Mesme:,e konfirmon këtë ndihme dhe këtë rol: “Evakuimi i tyre i sigurt i detyrohet shumë bashkëpunimit miqësor të popullit tuaj”./ Sali Onuzi-kolonel në rezervë, ish-drejtor i Departamentit të Veteranëve te Luftës (1995-2001)./Dita

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco