Kuratori Ardian Isufi: 'Piramida si Muze për Terrorin Komunist, jo në shërbim të politikës'

Kuratori Ardian Isufi: 'Piramida si Muze për Terrorin Komunist, jo në shërbim të politikës'

17:44, 24/01/2017
A+ Aa A-

Për herë të parë brenda ambienteve të Piramidës ka pasur mundësinë që të hyjë pas hapjes së saj, në fund të viteve ’80-të. Por, ende edhe sot e kujton se si ky objekt mori të gjithë energjinë e shtetit shqiptar gjatë asaj kohe. “Kam qenë fëmijë, por e kam parë se si të gjithë u instrumentalizuam nga koha”, rrëfen artisti Ardian Isufi gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”. Megjithatë, ai këmbëngul ndaj faktit se, sot gjithçka që ka ndodhur në atë kohë duhet parë me sy realist dhe të paanshëm. Piramida, sipas dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura, është një nga simbolet, me të cilat nuk mundet që thjesht të zbavitesh, por nëpërmjet saj duhet që të merresh dhe me mea culpa-n. Vetëm kështu një pjesë e madhe e historisë, e ngjarjeve edhe e dëshmive të personazheve realë, të cilët jetuan gjatë diktaturës komuniste do të çonin në vend mesazhin e duhur, që duhet të përcjellë sot ai objekt. Profesor Isufi shpjegon se, modelet ku në muze të ndryshëm nëpër botë bashkëjetojnë të gjithë zhanret e artit ekzistojnë, prandaj kjo gjë nuk është çështje modeli, por është çështje e thelbit. “Përfundimet e diskutimeve vijnë si opinione, që lidhen më shumë me faktin sesi do ta përdorë politika këtë objekt, sesa lidhen me memorien e së vërtetës, që duhet të ketë objekti për vendin tonë”. Ndërsa, propozimet e para për të ardhmen e Piramidës kanë nisur me një arkitekt të huaj (Winy Mass), profesori shprehet se, nuk mundet që një arkitekt të fillojë punën thjesht se di faktin që në të do të ndërtohet një qendër arti shumëfunksionale. Kjo gjë, sipas tij, duket e vrazhdë dhe e cekët në përdorimin e këtij objekti. Prandaj, Isufi i mëshon idesë se Piramida (1988) duhet që të jetë një Muze i Terrorit Komunist dhe brenda tij të ekzistojë një qendër shumëfunksionale; kulturore dhe teknologjike me dy agjenda; një për muzeun dhe një për qendrën shumëfunksionale.

Zoti Isufi, pas vendimit të qeverisë që Piramida të funksionojë, si qendër shumëfunksionale arti kanë nisur edhe propozimet e para nga arkitekti Mass për rikonstruksionin e saj... Por, mendimi juaj për rivitalizimin apo rikonstruksionin e saj, cili është?

Së pari, para diskutimit të arkitektëve thelbësor është funksioni dhe fokusi përfundimtar, që duhet të ketë Piramida. Unë nuk e shikoj si një qendër arti bashkëkohor, por qendrën e artit e shikoj të integruar brenda objektit. Prandaj mendimi im përfundimtar për të është që të kthehet në Muze të Terrorit Komunist. Nëse fillimisht Piramida u ndërtua, si një muze i diktatorit, mendoj se sot duhet që të jetë një muze i diktaturës. Kjo gjë ka të bëjë me qasjen fillestare, pas kësaj mund të flitet për mënyrën se si do të integrohet edhe arti. Shërbimi i parë i këtij muzeu të madh është që sjell në kujtesë atë që duhet.

Mendoni se për këtë gjë duhet të ishte ngritur një grup pune i pavarur?

Për këtë gjë mendoj se duhet që të ishte ngritur një grup pune, i cili duhet të studionte edhe të analizonte me kujdes formatin, që duhet të marrë ajo godinë duke i dhënë të kundërtën e funksionit, që ajo ka pasur për të dëshmuar dhe kontribuar më shumë në të gjitha aspektet, atë kulturor, por padiskutim edhe në aspektin historik dhe politik. Brenda saj mund të jetë një qendër arti ashtu sikundër ndodh në të gjithë botën. Ju kërkoni që të ruhet kujtesa historike, qoftë edhe nëpërmjet artit.

Por, duke nisur nga hapja e saj aktivitetet, që janë bërë brenda në të herë pas herë kanë qenë të pakta... mendoni se kjo ide mund të interpretohet edhe sikur ju dëshironi që ky objekt të shfrytëzohet për të dhënë atë kohë dhe atë histori me një realizëm?

Unë personalisht kam marrë pjesë në një aktivitet të rëndësishëm të komunitetit Europian, si kurator, pavarësisht se nga pabesia e Ministrisë së Kulturës u tërhoqa nga ky projekt. Por, pata rastin që ta analizoj këtë objekt. Fatkeqësisht, por në të njëjtën kohë edhe fatmirësisht, mund të them se Banka e Shqipërisë dhe Piramida, janë dy objekte që njihen si të tilla më shumë në një aspekt ndërkombëtar. Pra, unë jam shumë dakord që ne duhet ta shfrytëzojmë këtë lloj objekti ku elementi, që ai ka pasur para viteve ’90-të është shkatërruar totalisht. Ne kemi të bëjmë sot me një objekt, i cili në vetvete ka humbur shumë elementë, që do të ishin pjesë konkrete e artefakteve të hapësirave, jo vetëm të objekteve. Por, kjo nuk do të thotë që ky objekt të shfrytëzohet për të dhënë atë kohë dhe atë histori me një realizëm. Çështja jonë, që na rri gjithë kohës si peng është që ne gjithmonë e marrim në konsideratë historinë. Edhe sot kur përpiqemi që ta shohim me realizëm të ri, e marrim, si një shkak pasoj apo si një hije e kohës së shkuar. Edhe sot modeli që ne përdorim për historinë tonë, është modeli i kohës së komunizmit dhe ky do të ishte kontributi i parë për të dhënë një model të ri, një model të ri nëpërmjet Muzeut të Terrorit Komunist. Ka pafund ngjarje, histori dhe qëndrime politike diktatoriale që lidhen me izolimin, me dhunimin e të drejtave dhe lirive të individit, prandaj ky muze duhet që t’i brendashkruajë patjetër. Sot, të flasësh për artin nuk është më një estetikë e thjeshtë. Të flasësh sot për artin, flitet për antropologjinë, për kontekstin social-shoqëror dhe arti kontribuon këtu, jo vetëm në krijimin e hapësirës së këtij muzeu, por edhe me tema të veçanta, që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në mënyrë indirekte.

Si mundoni se do t’u shërbejë brezave që do të vijnë në të ardhmen Piramida?

Brezit të ri i shërben, jo vetëm në formën e ekspozimit, por i shërben me arkivat që duhet të ketë ky muze. I shërben me takimet që mundet të ketë në një forum dialogu, ku mundet të ketë personazhe të huaj dhe shqiptarë, të cilët flasin dhe rrëfejnë, por edhe që dëshmojnë. Por, që lidhet edhe me konceptin kulturor, se çfarë do të thotë komunizëm i një vendi të caktuar. Kjo mundet që të dalë edhe përtej saj, sepse ka shumë edhe shumë gjëra konkrete, të cilat mundet që të lidhen me muzeun, por edhe që i atashohen muzeut, sepse ndihmojnë për të pasuruar me informacion dhe me dialog të ri, apo me një format të ri kulture, sesi ne duhet që t’i qasemi historisë. Edhe Muzeut i Gjetheve ( në ndërtim e sipër) konsiston pak a shumë në këtë ide; t’u përcjellë njerëzve atë që ka ndodhur në të kaluarën... Çdo gjë që po ndërtohet sot, qoftë bunkartet apo Muzeu i Gjetheve, po ndërtohen në forma skematike. Unë po flas për një gjë të vërtetë reale. Këto lloj muzesh sot po ndërtohen më shumë në shërbim të politikës së ditës, sesa të atij konteksti madhor për të cilin unë diskutoj. Në një farë mënyre mundet të jenë të tilla, por duhet që të drejtohen mirë drejt historive të vërteta dhe jo në mënyrë butaforike rreth disa ngjarjeve apo informacioneve dhe statistikave të kohës. Por, gjithsesi edhe sikur të ndërtoheshin mirë në kuptimin profesional edhe historik, Muzeu i Gjetheve apo bunkartet përsëri kanë nevojë, sepse jemi kaq të mangët në qëmtimin real dhe të detajuar, për të gjithë atë që ka ndodhur me terrorin komunist, saqë do të shërbente shumë edhe Piramida, si një muze i ri, mbi të gjitha duke dhënë edhe një mesazh. Një mesazh, sepse ky muze u ndërtua për kultin e diktatorit, por në fakt atje duhet të ndërtohet kulti i humanizmit. Ky është thelbi i asaj çka mendoj. Përtej gjërave dhe objekteve të vogla, që mund të organizohen nga qeveria, e shikoj në një aspekt edhe më afatgjatë, sesa thjesht të bërit të një muzeu për një hark kohor katërvjeçar, e shikoj si një muzeu që do t’u shërbejë shqiptarëve. Një problem më vete është edhe sigurimi apo gjetja e elementeve apo materialeve, që mund t’i flasin periudhës. Ato çka na janë servirur deri më tani, shumica janë improvizime... Ky është problemi kryesor që unë kam. Ne po merremi në përgjithësi vetëm me emërtimet dhe nuk po merremi me atë që realisht duhet të kenë në përmbajtje. Kjo është një punë e gjatë studimore. Duhen grupe pune, të cilët të ndahen nëpër periudha dhe në kategori të veçanta.

Po përsa i përket propozimit të parë për Piramidën, që erdhi nga një arkitekt i huaj; që nis me ndërtimin e shkallëve nga jashtë, zmadhimin e fasadës kryesore dhe vendosjen e një dekori në parkun e jashtëm të objektit... çfarë mendoni?

 Kjo është një gjë dytësore, sepse në radhë të parë ende është i paqartë funksioni që Piramida do të ketë. Pas kësaj mund të ketë forma të ndryshme. Por, unë jam që të ruhen hapësirat, pa bërë porta të mëdha apo të vogla, sepse në fund të fundit në shëmtinë e saj, ajo Piramidë në aspektin arkitekturor, duam apo nuk duam ne është unike. Shumë arkitektë dhe urbanistë, që ne kemi folur, janë shprehur se është një objekt arkitekturor i çuditshëm, një objekt simbolik shumë i qartë. Është një Piramidë për një faraon, i cili ishte një faraon i dështuar. Në rastin konkret shikoj që arkitektët e kanë marrë në vija të përgjithshme, që do të jetë një qendër arti ose një qendër shumëfunksionale dhe kaq. Unë e shikoj këtë si një element, i cili është në ngjizje e sipër edhe që vjen minimalisht nga paaftësia e institucioneve për t’u marrë maksimalisht nga përdorimi, që duam t’i bëjmë Piramidës thjesht për arsye elektorale apo për të nxjerrë disa ben- efite momentale politike. shekulli.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco