Ndërron jetë ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, Vili Kamsi/ Një portret

Ndërron jetë ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, Vili Kamsi/ Një portret

12:37, 24/01/2017
A+ Aa A-

Në mëngjesin e datës 24.01.2017 u shua një pinjoll i denjë i familjes Kamsi, një arkitekt i fjalës e i pasionit sesi mund të duhet atdheu. kështu ka njoftuar sot Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër.

"Shkodrës sot i mungon fryma e një intelektuali të vërtetë, i një diplomati të shquar, një djepi që vetëm Shkodra din ta përkundë.

Willy Kamsi edhe pse u rrit në mërgim, jetoi për Shqipërinë, cdo gjë e tij ishte strehë prej nga ku pushonin si të ngjashmit e tij, nga ku rrokej Shqipëria e së ardhmes. Vetëm pak muaj më parë, u festua 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit. Willy Kamsi është i pari kalorës që me përvujtërinë e tij të dijshme, strukturoi modelin dhe përfaqësoi më së miri kulturën dhe Shqipërinë martire.

Ngushëllime të sinqerta për familjen Kamsin, për motrën e tij, ngushëllime Shkodrës dhe Kishës në Shqipëri, pasi humbje të tilla, janë humbje për Kombin. U prehsh në paqe, Shpirti yt i bukur gëzoftë pafundësinë.

Homazhet do të zhvillohen në sallën Kardinal Mikel Koliqi nv famullinë e Shën Shtjefnit ditën e martë 24 janar nga ora 15:00-21:00 dhe ditën e mërkurë 25 janar nga ora 8:00- 11:00, salikimi dhe përcjellja për në Varrezat e Rrmajt.Kateda"

Cili ishte Vili Kamsi

Në një shkrim të Anila Dushit, thuhet: Kamsi është emri i një prej familjeve më të vjetra e më të njohura në Shkodër, rrënjët e së cilës shfaqen mjaft herët, në Drisht të komunës Postribë, një qendër e njohur qytetare kjo e mesjetës. Karlo Kamsi, pinjoll i kësaj familjeje, rrëfen historinë e njerëzve që kanë dhënë një kontribut të madh në jetën e vendit, që në kohët e hershme.

Duke folur për prejardhjen, ai thotë se Drishti ose siç njihet ndryshe Drivastumi ka qenë një ndër qendrat më të zhvilluara që në shekullin XII dhe se Kamsi është mbiemri i njërës prej dy degëve të familjes së sundimtarëve të Drishtit, asaj të Ejllorëve ose Ëngjëllorëve. Kjo familje i ka rrënjët tek Dhimitër Ejlli dhe më pas ajo u nda në dy degë, në atë Kamsi dhe Radovani.

Me pushtimin e Drishtit dhe fortesës së saj nga turqit, Ejllorët (Ëngjëllorët) u shpërndanë, ku një pjesë e tyre merr mbiemrin Kamsi dhe zotëron fshatrat mes Cukalit e Drishtit. Më pas ata u shpërndanë në zona të ndryshme të Shkodrës.

Në zonën e Drishtit akoma sot ruhen toponime që lidhen me emrin e kësaj familjeje si Guri i Kamxit (Kamsit) Shpella e Kamsit, Kullat e Kamcejve, Dheu i Kamcit. Dhe emri që morën pas shpërbërjes së Ëngjëllorve ka historinë e tij. Denk Kamsi ishte i njohur për të ecurën e tij të shpejtë dhe nga kjo i mbeti dhe llagapi (pseudonimi) kamci ose këmbëshpejtë. Njëri prej trashëgimtarëve të sotëm të familjes Kamsi, Karlo Kamsi, duke rrëfyer për gazetën historinë e familjes së tij, tregon se ecura e shpejtë është karakteristikë edhe sot e shumë prej pjesëtarëve të kësaj familjeje, duke u trashëguar si mbiemri që mbajnë.

Dokumentet e rëndësishme
Në familjen e Karlo Kamsit ruhen me shumë kujdes 16 dokumente pergament, origjinalë, që flasin për vjetërsinë e kësaj familjeje. “Këto dokumente i ka kërkuar dhe Arkivi Qendror i Shtetit, por nuk i kemi dhënë origjinalët, por vetëm fotot e tyre.

Po kështu i ka kërkuar dhe Vatikani, të cilit gjithashtu i janë vënë në dispozicion fotokopjet e dokumenteve dhe jo origjinalët. Madje ata kanë ardhur edhe herë tjetër dhe i kanë fotografuar me aparate dixhitale. Janë dokumente që flasin për ekonominë e zhvillimin kulturor të zonës, akte juridike të kohës etj. dhe shumë vite më parë njëri prej tyre është studiuar nga Injac Zamputi, studiues i njohur, – tregon Karlo. – Përveç këtyre kemi dhe dokumente që flasin në mënyrë të detajuar për pemën e familjes, zotërimet e saj të hershme etj.”.
Figura të shquara
Një nga njerëzit e shquar të kësaj familjeje ishte Imzot Pal Kamsi, prift katolik. Ai ishte një nga figurat më të njohura të kishës katolike, i cili ka shërbyer si famullitar i Kishës së Zojës së Shkodrës në Tophanë, dhe me 25 maj 1742 është caktuar nga Papa Benedikti XIV si Ipeshkv i Shkodrës.

Pal Kamsi shërbeu dhe në Tivar dhe shquhet për faktin se arriti të bënte për herë të parë regjistrimin në librin e kishës, në kohën kur ishte famullitar në Tophanë. Libri i pagëzimeve, pra regjistri i parë i popullsisë i bërë nga Imzot Pal Kamsi ruhet në Arqipeshkvinë Shkodër. Ai drejtoi dioqezën e Shkodrës për 29 vjet, ndërsa vdiq në Kuvendin Françeskan të Kastratit më 14 prill 1771.

Të tjerë figura klerike të kësaj familjeje janë dhe Gjon Kamsi i cili më 1739-n refuzoi emërimin e bërë nga Papa Klementi XII për të qenë Ipeshkv i Shkodrës, pasi preferonte të jetonte dhe shërbente mes njerëzve të thjeshtë, madje, kur vdiq në moshën 90-vjeçare, pasurinë e tij ua la të varfërve. Si kishtar ka shërbyer dhe Kolë Ndoc Kamsi në vitet 1700.

Tjetër pjesëtar i kësaj familjeje ishte Pep Kamsi, që ka qenë përkthyes në konsullatën e Venedikut në Shkodër. Por pati edhe nga ata që u morën me tregti, eksport leshi e lëkure.
Kolë Kamsi dhe kontributi i tij për gjuhën shqipe
Karlo rrëfen edhe për një nga figurat më kryesore të familjes Kamsi e pikërisht për babanë e tij Kolë Kamsi. Figura e Kolë Kamsit në historinë e kulturës kombëtare shqiptare njihet si ajo e një personaliteti shkencor dhe letrar, historian, filolog, gjuhëtar, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator e fabulist, publicist e redaktor.

Karlo thotë se babai i tij u arsimua jashtë shtetit, ndëkrohë që ka punuar si mësues në qytete të ndryshme të vendit, si në Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë, duke dhënë një kontribut të madh për gjuhën shqipe.

Më 1920-n Kolë Kamsi ishte në Shkodër në shkollën qytetëse të françeskanëve dhe me hapjen e gjimnazit të shtetit punoi aty si mësues. Më 1940-n ai punoi në Komisionin Teknik të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Eqerem Çabejn.

Pas Luftës së Dytë Botërore punoi për pak kohë në Institutin e Studimeve në Tiranë me cilësinë e folkloristit pastaj në qytetin e lindjes, në gjimnazin “29 Nëntori” dhe në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Me riorganizimin e Institutit të Shkencave Kolë Kamsi u zgjodh “kandidat i shkencave”, ndërsa më pas punoi si pedagog i folklorit shqiptar në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës.

Kolë Kamsi është autor i mjaft teksteve shkollore, si dhe bashkautor me Ndue Palucën dhe Ernest Koliqin,etj. Kola është autor i disa artikujve për zhvillimin e arsimit shqiptar, ndërsa është vlerësuar si një shkencëtar i shquar , veprimtaria kërkimore-shkencore e të cilit shtrihet në një periudhë 53-vjeçare (1907-1960). Kontributet e tij në studimet albanologjike janë të trefishta: në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë e folkloristikës dhe historisë.

Në fushën e gjuhësisë ai u dallua me veprën “Manual praktik i gjuhës shqipe”, shkruar italisht-shqip mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe.

Me rëndësi është dhe bashkëpunimi i tij në “Fjalorin italisht-shqip” të Fulvio Kordinjanos. Të vlefshme janë dy monografitë e tij “Jeta dhe veprat e Frang Bardhit” dhe “Disa vërejtje gjuhësore mbi veprën e Pashko Babit”. Për institutin e Studimeve, më 1948-n, Kamsi redaktoi veprën “Material leksikor”, të mbledhur në rrethin e Gjakovës nga Murat Paci, ish-nxënës i Gjimnazit të Shtetit të Shkodrës që u vra nga fashistët në vitin 1943.

Për historinë e letërsisë shqiptare, përveç artikujve mbi shkrimtarët arbëreshë, Kolë Kamsi botoi punime me vlerë edhe për Pashko Vasën, Filip Shirokën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan S. Nolin, Justin Rrotën etj.

Me interes janë edhe artikujt mbi Ismail Qemalin, Miss Edith Durhamin, etj. Në fushën e folkloristikës sonë Kolë Kamsi mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes me veprën e tij të çmueshme “Goja e popullit tonë”. Libri përmbledh thënie popullore të shkurtra, Në fushën e krijimtarisë së tij letrare janë për t’u shënuar disa vjersha për fëmijë, disa tregime të bukura edukative etj.

Për të gjitha këto, Kolë Kamsi është nderuar me tituj si “Urdhrin e Flamurit”, “Mësues i Popullit”, “Profesor”, “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës”, ndërsa dhe një titull nderi që jepet në Shkodër për personalitetet e arsimit mban emrin “Kolë Kamsi”.
Pasardhësit e familjes Kamsi, të njohur në fusha të ndryshme
Familja Kamsi shquhet për intelektualizmin e saj. Vëllai i Kolë Kamsit, Gjon Kamsi, ka studiuar në Itali për financë dhe më pas ka punuar në Shqipëri si komisioner dhe ka shkruar edhe artikuj me karakter ekonomik. Ai shquhej për profesionalizëm, për qëndrim patrioitik dhe ka bërë disa shkrime me pseudonimin Gjikam, ku bie në sy ai për Luigj Gurakuqin të cilin e ka pasur dhe kumbarë të martesës.

Djali i Gjon Kamsit, Vili Kamsi, është studiues autodidakt, i cili ka shërbyer dhe si ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan , menjëherë pas vendosjes së pluralizmit.

Ai është përkushtuar mbas botimit të disa veprave të rëndësishme, siç janë katër vëllime të plota me bibliografi të revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shejzat” dhe “Shkëndija”, si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmledhje të studimeve të veta me karakter historik etj. Ai merret dhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore.
Karl Kamsi është një ndër specialistët hidroteknikë më të njohur të Shkodrës, i cili për disa dekada ka punuar në rrjetin hidrik të Shkodrës, duke dhënë një kontribut të madh në studimet e projektimet e veprave të kësaj fushe.

Edhe pse pensionist, Karl Kamsi është mjaft aktiv, duke u aktivizuar e dhënë mendimet e tij në drejtim të problemeve hidroteknike të kësaj zone, madje ai ka përgatitur dhe një studim të pellgut ujëmbledhës të Shkodrës.

Duke qenë njohës shumë i mirë i këtyre problemeve, ai nuk qëndron indiferent kur flitet për projekte të veprave hidroteknike duke bërë dhe oponencë teknike të tyre, siç ishte rasti i projektit të mëparshëm të ndërtimit të hidrocentralit të Bushatit, urës se re të Bunës, etj.

Edhe në rastin e përmbytjeve të fundit të zonës së Shkodrës, Karl Kamsi ishte i pranishëm për asistencë teknike në grupet e punës të ngritura në Shkodër dhe si shoqërues i specialistëve të huaj që erdhën për të pare konkretisht situatën e krijuar.

Familja Kamsi vazhdon të trashëgojë intelektualizëm dhe të japë kontribute në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë të mësimdhënies, të cilën e kanë ushtruar dhe vazhdojnë ta ushtrojnë dy fëmijët e tjerë të Kolë Kamsit, vajza që jeton në Durrës dhe djali tjetër Paulin, vajza e Karlos dhe dy fëmijët e Paulinit.

Ndrekë Ejlli pajtoi Skënderbeun dhe Lekë Dukagjinin
Ndër figurat më të hershme e të përmendura të kësaj familjeje është ajo e Ndrekë Ejllit, Kont i Drishtit dhe djalit të tij Pal Ejllit (Ëngjëllit), që ishte Ipeshkv i Drishtit, Arqipeshkv i Durrësit dhe një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut.

Të dhënat historike, përfshirë dhe ato që disponon familja Kamsi, tregojnë se Pal Ëngjëlli ishte ndërmjetësi i shuarjes së konfliktit mes dy familjeve feudale shqiptare, asaj të Kastriotëve dhe Lekë Dukagjinit duke sjellë bashkimin e Lekë Dukagjinit me Skënderbeun. Në vitin 1464 ai ishte kandidat për t’u shuguruar kardinal i shqiptarëve nga Papa Piu II , por kjo nuk u relizua, pasi vdiq Papa. Edhe vëllai i Pal Ëngjëllit, Pjetri, ishte luftëtar i ushtrisë së Skënderbeut.
Amaneti i Kolë Kamsit dhe letërsia arbëreshe
Fusha ku u dallua më shumë Kolë Kamsi, qe e folmja dhe letërsia e arbëreshëve të Italisë. Duke filluar nga viti 1907 e deri sa vdiq, punoi pa ndërprerje mbi fonetikën, morfologjinë dhe veçanërisht mbi leksikun e arbërishtes.

I biri, Karlo rrëfen: “Një ditë para se të vdiste ai i dorëzoi në shtrat, në shtëpinë e vet në Shkodër, profesor Mahir Domit veprën e tij jetësore dhe më të mirën e krijimtarisë së tij shkencore: “Fjalorin e dialektit arbëresh”. Ishte data 23 shkurt 1960. I tha këto fjalë: “Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e mbajta”.

Fjalori ka rreth 8000 fjalë dhe fraza të nxjerra drejtpërsëdrejti nga veprat e shkrimtarëve arbëreshë dhe nga poezia popullore e arbëreshve të Italisë”, tregon Karlo, teksa shton se fjalori ka qëndruar për 40 vjet në Institutin e Gjuhësisë, në dorëshkrim. “E kam gjetur në një magazinë me ndihmën e Bahri Becit, i cili drejtonte atëherë këtë institucion”.

Në të vërtetë, për njohjen dhe popullarizimin e letërsisë arbëreshe Kolë Kamsi ka dhënë kontribut shumë të madh. Por vepra që e bëri të njohur Kamsin si studiues dhe njohës të thellë të arbëreshëve, qe monografia “Shqiptarët e Italisë”, e cila fatkeqësisht mbeti e papërfunduar, megjithëse vazhdoi të botohej pothuajse muaj për muaj dhjetë vjet rresht në të përkohshmen “Leka” në Shkodër (1934-1944). Kjo vepër u botua më 2006-n nga familja e tij. Në këtë monografi ai jep një përshkrim të hollësishëm të kolonive shqiptare të Kalabrisë dhe të Siçilisë.

Dekorimi i Kolë Kamsit me Urdhrin e Flamurit

Karlo Kamsi kujton se babai i tij i kushtonte orë të tëra studimit dhe ishte mjaft sistematik, serioz e i thjeshtë. “U dekorua me Urdhrin e Flamurit, dhe familja nuk e dinte, por e morëm vesh nga gazetat e kohës. U nis për në Tiranë duke thënë se kishte punë, pasi e thërrisnin vazhdimisht në institucionet shkencore të atjeshme dhe nga gazetat një ditë më pas e morëm vesh se është dekoruar.

Ishte mjaft metodist dhe objektiv dhe puna shkencore ishte gjithçka për të. Petro Marko ka qenë një-ish nxënës i babasë në Vlorë dhe ai e ka përmendur në botimet e tij”, kujton Karlo, i cili nga babai i tij ka trashëguar modestinë. Karl Kamsi rrëfen për gazetën se ne projektet e tij të ardhshme është dhe botimi i plotë i veprës së Kolë Kamsit, përfshirë dhe letrat që ai ka shkëmbyer me figura të mëdha të shkencës si Eqerem Çabej, Aleksandër Xhuvani etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco