Millosh Gjergj Nikolla vazhdon të shkruajë…

Millosh Gjergj Nikolla vazhdon të shkruajë…

20:07, 13/10/2016
A+ Aa A-

Gjithnjë më është dukur se poezia është një nga artet më puritanë dhe më të përjetshëm. Për shumë syresh të shkruash është një shkencë, një çështje  intelektuale(!)  bile jo pak e kanë krahasuar edhe me një program informatik(!). Por për të tjerë poezia është më shumë se një gjuhë e përcaktuar, është më shumë se estetika , poezia është thjesht një këngë që dhëmb kur do t’i iki shpirtit…(!)

“O’ si nuk kam nji grusht të fortë t’i bije m’u në zemër malit që s’bëzanë, ta dij edhe ai se ç’do me thanë i dobët – n’agoni të përdridhet si vigan i vramë”, janë  vargje të Millosh Gjergj Nikollës, njeriu i dhimbjes krenare që shumëkush e njeh si poeti i mjerimit.

Por duke i lexuar këto rreshta kupton se çka emëton poezia nuk është vetëm dhimbja e ndjenjave të përjetuara , sepse një poezi e vërtetë si ato që shkroi Millosh Gjergj Nikolla , mban brenda vetes  një fuqi vërtetësie e aftë t’i mbijetojë çdo lloj kohe. Sepse atë që mban një poezi brenda saj është vetë realiteti i kuptuar dhe i dhënë në formën më të pastër dhe më të sinqertë .

Sa vjet ka që Migjeni nuk shkruan …?

Sa lloj rrymash kanë hyrë dhe kanë dalë në poezi…?

Kur  lexon poezinë e Migjenit kupton se ai vazhdon të shkruajë larg dogmave që ofrojnë rrymat poetike… Sepse ai ka ditur se poezia nuk i kërkonte atij  të ishte një shkencë, as një estetikë, as një teori, por vetëm një  përjetësi e qënies, një koshiencë më e thellë se sa inteligjenca, një besnikëri më puritane se ajo që mund të kontrollonte.

“Mali hesht – dhe ne heshtje qeshe. E une vuej – dhe në vuejtje vdes!”, shkruan poeti i dhimbjes krenare që shkroi “Vargjet e lira” për të qënë të lira në përjetësi , pavarësisht se në to hodhi amoralitetin kohor, absurditetin e  zakoneve të përçudnuara, injorancën e regjimeve të shkuara.

“Të birtë e shekullit të ri”, “Recital i malësorit”, “Kanga e rinisë”, janë poezitë e poetit që gjithnjë do të mbeten në fondin e artë të poezisë shqipe. Sepse shumëkush sot është më fat kur lexon apo dëgjon këtë muzikë, këtë zhurmë dhimbje, këtë valëz mllefi, për të çmuar paskësaj këtë jetë poetike.

Tek Migjeni ndihen dy armët që duhet të ketë një poet: vetminë dhe imagjinatën, kur më pas është  pak e  hidhur sa e trishtë të thuhet se autorëve të artit gjithnjë u ka takuar të jetojnë mes një vetmie të pafund. Ndërsa imagjinata për Migjenin është një vendth i largët, magjik, i përjetshëm, dhe ai shkruan në poezinë e tij për njerëz të lirë, pa patur frikë për një të nesërme. Ai  shkruan me dëshirën e zjarrtë për një “agim të lum e të drejtë kombëtar”.

Disa ose edhe shumë pak me kalimin e viteve moderne po e vizitojnë rrallë e tek poezinë në tërësi; këtë vendth parajse tronditëse. Ka edhe që jetojnë me të; kur janë të trishtë me jetën qoshëzën e tyre e gjejnë në vargje sinfoni.

O’ si nuk kam nji grusht të fortë t’i bije m’u në zemre malit që s’bëzanë, ta dij edhe ai se ç’do me thanë i dobët – n’agoni të përdridhet si vigan i vramë; Mali hesht – dhe ne heshtje qeshe. E une vuej – dhe në vuejtje vdes!.

“No comment”, për vargjet e shkruara në fillim të një shekulli-shkuar, nga njeriu që iku kur ishte  27 vjeç për të qënë i përjetshëm me vargun e tij bile edhe për mediokërit që e quajnë poezinë shkencë…, apo çështje intelektuale…,(!)  apo edhe një program informatik(!). /ATA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco