Kurimi i sklerozës ALS, shkencëtari shqiptar Edor Kabashi fiton Çmimin Ndërkombëtar për Mjekësinë

Kurimi i sklerozës ALS, shkencëtari shqiptar Edor Kabashi fiton Çmimin Ndërkombëtar për Mjekësinë

18:50, 29/09/2016
A+ Aa A-

Edor Kabashi, 39 vjeçari shqiptar, që me arritje të jashtëzakonshme në fushën e studimeve të proceseve neurodegjenerative, konfirmon figurën e një shkencëtarit shqiptar në botë.

Portret nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Edor Kabashi, PhD, është fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Paulo Gontijo” për Mjekësinë 2016 me punimin e tij shkencor, të përzgjedhur ndër 15 studime, duke shënuar një arritje të tejmadhe në zhvillimin e trajtimeve të reja për Sklerozën Amiotrofike Laterale (ALS).

Çmimi është një iniciativë e Institutit “Paulo Gontijo” për të nxitur hulumtuesit e rinj në mbarë botën.

Sipas Prof. Dr. Mamede de Carvalho, ky është çmimi më i rëndësishëm në fushën e kërkimit për kurimin e ALS-së. Ceremonia e dhënies së medaljes së artë të këtij çmimi do të organizohet gjatë Simpoziumit të 26-të Ndërkombëtar mbi ALS / MND që do të mbahet në Dublin, në dhjetorin e këtij viti.

Ky çmim i shtohet vargut të gjatë të çmimeve të fituara nga kërkuesi i talentuar dhe i palodhur shqiptar, Dr. Edor Kabashi (2009 dhe 2011 Brain Star Awards, CIHR Institute of Neuroscience, Canada, 2008 “Grand Prix d’Excellence”, Jornees Genetiques, RGMA, Quebec City).

Vjet në qershor, Dr. Kabashi fitoi çmimin ENCALS Young Investigator 2015, çmim që jepet për kërkime të spikatura për të njohur dhe nderuar shkencëtarët e rinj më të mirë në fushën e kërkimeve për kurimin e ALS-së.

Por cili është Edor Kabashi?

Ai vjen nga Shqipëria, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës, ndërsa në 1995 së bashku me familjen e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, të SHBA-së. Është nderuar nga presidenti Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës. Më vonë, studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanada, ku u diplomua në neurobiologjinë molekulare në vitin 2000. Po në Kanada në vitin 2006 mori gradën Doktor i Shkencave (PhD).

Dr. Edor Kabashi ia ka kushtuar vazhdimisht studimin e tij kurës për ALS. Ai ka punuar fillimisht si studiues në Universitetin e Montrealit, (Centre of Excellence in Neuromics) në Kanada. Në vitin 2011, ai u bashkua me Institutin “ICM Brain and Spine” në Paris, ku është udhëheqësi i ekipit “ALS: Nga Gjenetika në Trajtim”. Ekipi i tij ka për qëllim të identifikojë shkaqe të reja gjenetike të ALS-së dhe të zhvillojë modele mutante transgjenike të peshkut zebër (zebrafish) për këto gjene, në mënyrë që të studiohen proceset neurodegjenerative. Kjo qasje gjithashtu i lejon ekipit të përdorë këto modele gjenetike për ndërveprime multigjenetike dhe zbulimin e terapisë. Ekipi i Kabashit ka zhvilluar protokolle të reja shqyrtimi për të identifikuar komponentë neuroprotektive, për të kuptuar mekanizmat molekulare të përdorura nga këto komponentë dhe për të çuar përpara zhvillimin e terapisë për sëmundjet neurologjike.

Dr Kabashi, thotë se “Ekipi im punon për të kuptuar më mirë sesi një shumëllojshmëri e mutacioneve gjenetike mund të shkaktojë degjenerimin e neuroneve në ALS. Ne përfitojmë nga një model i thjeshtë kurrizor, peshku zebra, ku një ose disa gjene mund të manipulohen. Duke përdorur këtë shembull, kemi përshkruar sesi bashkëveprojnë dhe funksionojnë në rrugë të zakonshme, disa nga gjenet e rëndësishme të ALS-së”.

Veprimtaria kërkimore shkencore e talentit Edor Kabashi, si dhe kërkuesve të tjerë të rinj të talentuar meritojnë të njihen nga komuniteti shkencor shqiptar edhe më gjerë, për të cilat Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave nëpërmjet një programi të veçantë “Edukimi në Shkencë” kontribuon në njohjen e këtyre vlerave të veçanta, një nismë e Akademive të Evropës. Programi ka për qëllim paraqitjen e ideve, që dalin nga studime shkencore të specialistëve brenda dhe jashtë akademive, si dhe transferimin e njohurive të reja shkencore nga një brez kërkuesish me përvojë në brezin më të ri. Shumë veprimtari interesante kanë në qendër të tyre evidentimin e figurave shqiptare më të spikatura në fushën e kërkimit dhe të shkencës botërore, me të cilët çdo shqiptar mund të krenohet.

Gjatë viteve të fundit në kuadër të këtij Programi janë realizuar seminareve shkencore, leksioneve të hapura, “Ditëve të hapura të institucioneve shkencore”, përurimeve të veprave të rëndësishme shkencore, si dhe trajnimeve të kërkuesve të rinj, për arritje të figurave të shquara të shkencës.
Vlerësimit të karrierës shkencore të shkencëtarit Edor Kabashi është planifikuar të ketë një vend të veçantë në këtë program, për sukseset e të cilit në fushën e shkencës janë premtuese edhe në vazhdim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco