FOTO/ Pamja më e bukur e Shqipërisë në Bruksel

FOTO/ Pamja më e bukur e Shqipërisë në Bruksel

21:26, 20/03/2018
A+ Aa A-

Të dielën, në Konservatorin Mbretëror të Brukselit nën emrin “Muzikë dhe Mitologji”, një grusht shqiptarësh gjithë talent, mblodhën në një koncert një publik frankofon dhe shqiptar për t’i prezantuar me një Shqipëri ndryshe nga ajo që mund të kenë njohur ata deri më sot.

U luajtën pjesë klasike shqiptare (kompozime e përpunime të Aleksandër Peçit, Çesk Zadesë, Lola Gjokës, etj.) nga Olsi Leka, violinçel i parë i Orkestrës Kombëtare Belge si dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, shoqëruar në piano nga Desar Sulejmani, dirigjent tashmë i njohur, që drejton disa orkestra dhe kore në Gjermani e jashtë saj.

Kurse sopranoja lirike Blerta Zhegu, që ka performuar gjerësisht në sallat më serioze në Itali dhe në Francë, i bëri spekatorët herë të mbanin frymën me “Njat zaman t’asaj furie” e herë të buzëqeshnin duke dëgjuar në version operistik “Kur më vjen burri nga stani”, që tingëllonte gjithaq bukur.

Ajo që i hodhi piperin së gjithës, ishte aktorja Anila Dervishi, e diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, para se të largohej për në Belgjikë shumë vite më parë e për të rrëmbyer vëmendje sidomos në teatrot e Parisit, e cila rrëfeu para të ftuarve legjenda të lashta shqiptare: Djali dhe shqiponja, Kalaja e Rozafatit, Kostandini dhe Doruntina, që e shoqëruar nga lahuta e Gazmir Gjonajt (kontrabasist i Namur Chamber Orchestra) krijoi në sallë një gjendje pezuli.

Këto legjenda, që toka jonë i ka pjellë në shekuj me tepri, shkrimtari dhe akademiku që jeton prej vitesh në Bruksel, Safet Kryemadhi, i ka përmbledhur e përkthyer për lexuesit francezë nën titullin “Légendes, fables et contes albanais”.

Pak frëngjisht (që të ftuarit të kuptonin më qartë) e pak shqip (që spektatori frankofon të shijonte muzikalitetin e gjuhës shqipe, gjuhë në të cilën janë sjellë legjendat deri më sot), ajo mbrëmje shqiptare në mes të Brukselit, ishte pamja më e bukur e Shqipërisë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco