Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Festa e ‘Ditës së Verës’, traditë shqiptare që vjen nga lashtësitë

Festa e ‘Ditës së Verës’, traditë shqiptare që vjen nga lashtësitë

10:58, 14/03/2018
A+ Aa A-

Një festë festë pagane, shumë më e hershme se krishtërimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Por në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon ballokumja.

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.

Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

– Shpati në Ditën e Verës-

Në zonën tradicionale malore të Shpatit, rreth 22 kilometra larg Elbasanit, festa niste me një ekskursion shpateve te Bokanikut, ku të rinjtë që një ditë më parë përgatisnin shilarthe e sheshe për lodra të ndryshme, ku merrnin pjesë me kenaqësi jo vetëm mosha e re, por edhe burra e gra të moshuar.Kjo ditë e 14 marsit, që ndryshe quhej dita e luleve, gjithnjë shoqërohej me bisqe të gjelbëruar drurësh apo lule të hershme. Dreka e bollshme me mish gjahu shtrohej kolektivisht, pas së cilës, u mbetej fëmijeve për t’a mbyllur festën me trokitje nëpër dyer të fshatit, ku gostiteshin me vezë, pala fiku, fruta të ruajtura për këtë ditë. Vitet kaluan dhe kjo festë pak nga pak i humbi disa nga veçoritë e saj. Së fundi ajo ka mbetur si festë e fëmijëve, por që ruan akoma me fanatizëm drekën e bollshme dhe lulet.

-Në Shënavlash, festohet me natyrën pranë-

Në fshatin Shënavlash edhe sot festa nuk ka humbur asgjë nga tradita. Këtu pergatitjet për këtë festë fillojnë që dy ditë përpara nga fëmijët që merren me këtë parapërgatitje.Mëngjezi i Ditës së Verës i gjen tërë fëmijët e fshatit grupe-grupe me hithra në duar, duke trokitur derë më derë. Askush nuk kthehet duarbosh. Pjesa ruhet edhe për ndonjë fëmijë që ka munguar. Dhe pasi mbaron riti i fëmijëve, të rinjtë dhe të moshuarit dalin nga shtëpitë dhe urojnë njëri- tjetrin “Gezuar Ditën e Verës! Qoftë një verë e mbarë!”Gratë në këtë ditë as qepin, as bëjnë punë dore me shtiza sepse, siç besohet, janë të mbrojtura nga gjarpëri. Dhe 12 ditë pas festës së luleve, fshati feston ditën e Baba Nevruzit, kur nuk pritet asnjë lloj druri, sepse besohet se atë ditë tërë pylli falet.Në fshatra të tjerë në rrethin e Elbasanit, “të plotfuqishmit” e festës së Ditës së Verës kanë mbetur vetëm fëmijët, që mëngjezi i gjen dyerve të shtëpive, prej nga kthehen të gostitur me gjithfarë frutash dhe embëlsirash. Gurabija e mbrujtur me maja miell misri e gjalp erëkëndshëm dhije, ëmbëlsuar me sheqer të bluajtur, me emrin joshës ballakume, i ka mbetur vetëm Elbasanit./Atsh

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco