FOTO/ Ndahet nga jeta kineasti i mirënjohur shqiptar

FOTO/ Ndahet nga jeta kineasti i mirënjohur shqiptar

08:10, 04/02/2018
A+ Aa A-

Është ndarë nga jeta sot kineasti i njohur shqiptar Todi Bozo.

Ka qenë familja që e ka dhënë lajmin e rëndë.

“Nuk është e lehtë të shkruaj për të treguar se ti nuk jeton më Todi Bozo. Ti heroi i heshtur i ëndrrës së kinemasë shqiptare… pionier i prodhimit të filmit shqiptar… ti baba e shok që na lë pas kujtime te bukura. Bëhet me dije se të dielën më dt 4 shkurt ora 10:00 me 13:00 ne Sallën e Muzeut Historik Kombëtar do të jenë homazhet për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

E kam të pamundur ta besoj o Baba! Të desha e do të të dua në përjetesi si njeriun që më ka dhënë bekime e besim”,  shkruan djali i tij Petri Bozo.

Por kush ishte kineasti i njohur shqiptar:

Todi Bozo kineasti shqiptar. Shkollën shtatëvjeçare e mbaroi në Lushnje, ndërsa arsimin e mesëm e mbaroi në Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Kinematografisë “VGIK” të Moskës. Këtu diplomën e mbrojti shkëlqyeshëm si producent filmi. Kështu, ky u bë kuadri i parë me arsim të lartë në fushën e produksionit të filmit.

Më 1958 Todi Bozo filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik. Tani do të ishte drejtor në filmat “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra (1969).

Ndërkaq, vazhdoi studimet pasuniversitare dhe diplomohet për regjisor. I kësaj kohe është filmi “Lugina e pushkatarëve” (1970).

Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 vjetve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.

Mbas largimit nga detyra si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kinostudios, kjo për arsye shëndetësore, Todi Bozo vazhdoi të punojë për prodhimin e filmave dokumentarë. Ka qënë skenarist dhe regjisorë i shumë filmave të tillë, mes të cilëve “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Pejsazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegtimi”, “Moj e bukura Arbëri!”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist” etj. etj.

Edhe mbas daljes në pension Todi Bozo nuk e ndërpreu veprimtarinë e vetë prodhuese e pedagogjike. Vazhdoi të jepte leksione në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Paralelisht me këtë, vazhdoi punën edhe si kineast. Kështu, deri në vitin 2008 punoi si producent ekzekutiv në filmat “Kolonel Bunker’ dhe “Syri magjik” me regjisor Kujtim Çashkun, në filmin “Kronikë provinciale” me regjisor Artan Minarollin dhe në filmin “Koha e Kometës” me regjisor Flamur Koçin. Të gjithë këta filma janë realizuar në bashkëprodhim me partnerë perëndimorë.

Kineasti Todi Bozo është marrë edhe me botime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim librin “Produksioni i filmit”, një libër profesional e shkencor, që bën fjalë për organizimin dhe teknologjinë e prodhimit të filmit. Në vitin 2014 botoi librin “Copëza kujtimesh, të ëmbla e të hidhura”, në përmbajtjen e të cilit përfshihen edhe episode të ndryshme nga puna në Kinostudion “Shqipëria e re”.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco