FOTO/ Teatri Metropol nis sezonin e ri artistik, ja surprizat për artdashësit

FOTO/ Teatri Metropol nis sezonin e ri artistik, ja surprizat për artdashësit

10:12, 29/01/2018
A+ Aa A-

 “Nata e 12” e William Shekspir do të çelë sezonin e ri të shfaqjeve në Teatrin Metropol. Ky sezon i ri me drama shqiptare të pavëna në skenë dhe vepra të huaja, që kanë fituar çmime “Pulitzer” për vëniet në teatrot botërore pritet që t’u dhurojë mjaft emocione dashamirësve të artit duke zgjuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të kryeqytetit.

Shkurti pritet që të vijë me të tjera surpriza, me vënien në skenë të premierës “Engjëlli i katit 11” me autor Stefan Çapalikun, e më pas me “Natën e mirë, nënë” një vepër e shkruar nga Marsha Norman, “Qielli i heshtur”, një vepër repertori e autores Loren Gunderson, duke vazhduar më pas me “Ditari i Ana Frankut”, shfaqje e cila do të ketë premierën gjatë muajit maj.

Ndërsa vjeshta rezervon një tjetër vepër të suksesshme e vënë në skenat më të mëdha të teatrove botërore. “Sherloch Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludwing, një vepër jashtëzakonisht e njohur dhe e dashur nga publiku pritet që të zgjojë interesin e publikut kryeqytetas. Pas suksesit të vitit që lamë pas, në nëntor do të çelet edicioni i dytë i “Metrofest”, festivalit të veprave shqipe e për ta kurorëzuar sezonin e shfaqjeve për të rritur në Teatrin Metropol, me vënien në skenë të shfaqjes “Njëmijë e një net” e autores Mary Zimmerman.

Po kaq konkurruese janë edhe veprat për fëmijë e të rinj, në Teatrin Metropol duke synuar edukimin e një brezi të ri që të jetë gjithmonë e më shumë pranë artit dhe të bukurës. Shfaqja “Romeo e Zhuljeta” e William Shekspir, një përshtatje për të rinj të grupmoshës 10-16 vjeç do të ngrejë siparin e shfaqjeve që do të jepen në Teatrin Metropol. Një eksperiencë e re është vënia në skenë e “Don Kishotit”, e realizuar me kukulla si dhe vepra “Atje ku hëna takon malin” e autores Grace Lin.

Shfaqjet për fëmijë, përveç platformës edukuese, janë shfaqje interaktive, ku publiku i vogël është pjesë e rëndësishme e skenës. “Miushet e Shkathëta” nga Janet Standford, “Tullumbaci i kuq” i Barry Kornhauser, si dhe dy shfaqje me fëmijë e aftësi të veçanta pritet që të tërheqin vëmendjen e dashamirësve të vegjël pas artit. Gjatë vitit 2017, Teatri Metropol ka tërhequr vazhdimisht të rinj krijues, regjisorë, aktorë, duke iu dhënë mundësinë të shprehin aftësitë dhe profesionalizmin e tyre për teatrin.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco