FOTO/ Prit! Nuk është një përqafim

FOTO/ Prit! Nuk është një përqafim

14:13, 17/01/2018
A+ Aa A-

Nuk është një përqafim, por një rrobaqepëse që po përpiqet të marrë masat. Ky vizatim i Dhimitër Theodhorit është vetëm një nga koleksioni me emrin e tij në Galerinë Kombëtare të Arteve. Piktori Dhimitër Theodhori i përket grupit të piktorëve të filmit shqiptar, të cilët bashkpunuan me regjizorët shqiptarë më të rëndësishëm në ish Kinostudion “Shqipëria e Re”, në Tiranë.

Thodhori punoi si piktor kostumograf në filmin artistik si para viteve 1990 ashtu dhe më vonë, duke realizuar mjaft filma, Disa nga filmat më të rëndësishëm ku ai ka bashkëpunuar janë: “Gëzhoja e Vjetër” (1980). Flutura në kabinën time” (1988), “Nata” (1998), “I dashur Armik” (2005). Jeta artistike e Theodhorit është shumëplanëshe, pjesën më të madhe të krijimtarisë ai ja kushtoi skenografisë & kostumografisë filmike shqiptare. Por gjithashtu ai ka realizuar vizatime, grafika, portrete, peizazhe në vaj. akuarel, e teknikë të përzier.

Artisti Theodhori ka lënë një koleksion interesant (me qindra vizatime e punime me ngjyra) nga puna e tij si kostumograf si dhe një koleksion me piktura, vizatime nga natyra, nudo e peizazhe; shumë prej të cilave i ka realizuar gjatë kohës së xhirimeve të filmave artistikë në vende të ndryshme të Shqipërisë. Krijimtaria kryesore e artistit i përket kostumografisë, ku ai ka lënë një koleksiontë gjerë me vizatime, akuarele, vizatime me laps e me penë, pastele, vizatime me lampustil, që tashmë janë koleksionuar nga koleksionistë të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Dhimitër Theodhori ishte një artist, i cili shfaqi në krijimtarinë e tij elementë realistë akademikë në fillimet e tij, por që i ndërthuri ato me elementë moderniste në vitet shtatëdhjetë, tetëdhjetë dhe që e vazhdoi krijimtarinë nën ndikimin mjeshtrave botërorë si Henri Matisse, Umberto Boccioni, Fernand Léger, Amadeo Modigliani në maksimumin e pjekurisë së tij. Duke qënë një artist i pa njohur nga kritika në kohën gjatë diktaturës komuniste, Theodhori edhe pse mori pjesë në disa ekspozita kombëtare nuk u ekspozua në kompleksitetin e krijimtarisë së tij. Megjithatë Dhimitër Theodhori ishte pjesëmarrës në disa ekspozita Kombëtare, në Tiranë (Shqipëri).

Në vitin 1971, Theodhori mori pjesë në dy ekspozita Kombëtare; Ekspozita Kombëtare “Portreti i Klasës Punëtore në Artet Figurative” (tabloja me titull:“Portret punëtoreje”) dhe Ekspozita Kombëtare te Arteve Figurative, kushtuar 30 vjetorit të Themelimit të PPSH (tabloja me titull: “Pushim partizan”). Në vitin 1976 në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative, kushtuar 35 vjetorit të Themelimit të PPSH, Theodhori ishte pjesëmarrës me punimin “Peizazh fshati” dhe po me një punim në peizazh ai paraqitet në vitin 1979 në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative të 35 vjetorit të çlirimit.

    Pas viteve 2000, artisti Dhimitër Theodhori pati vështirësi të mëdha ekonomike dhe jetoi në varfëri të thellë. Jetonte vetëm me të ardhurat e shitjeve të pikturave në vaj – të peizazheve që ai realizonte nga natyra. i vetmuar, i sëmurë rëndë nga diabeti, Dhimitër Theodhori u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare pa patur mundësi të ekspozonte apo dhe të publikohej. Në koleksionin e Kostumografisë filmike Thodhori ka lënë punime me ngjyra dhe vizatime të ndryshme me laps, me penë si dhe mix, shkruan gazeta Shqip. Në punimet me ngjyra Theodhori i realizon personazhet e filmave të tij mashkullorë me ngjyra të plota dhe me pak detaje. Te figurat femërore Theodhori është më i vemëndëshëm ndaj detajit. Ai i vendos imazhet femërore gjithmonë në lëvizje të ndryshme, qoftë në qëndrime ashtu dhe në kthimin apo lëvizjen e kokës së tyre.

    Në krijimtarinë e tij gjenden edhe projekte kompozimesh me laps (bocete), apo dhe skica të ndryshme të realizuara në natyrë nga puna në bujqësi dhe në uzina .Në skicat nga natyra shpesh ai preferon ti vizatojë grupet e njerëzve me shpinë (nga prapa), një këndvështrim i pa lejuar në artin e Realizmit Socialist.

    Pas ndarjes nga jeta të artistit, krijimtaria e tij tërhoqi vemëndjen e koleksionistëve, kuratorëve të ndryshëm dhe veprat e tij u ekspozuan në disa ekspozita të rëndësishme në grup brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në vitin 2014 punimet e tij janë prezantuar në ekspozitën “Këndvështrime” të hapur në Hollin Protokollar të Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë; (kuruar nga Artan Shabani dhe Fani Zguro).

    Më dhjetor 2014 në ekspozitën “100 vjet Vizatimi shqiptar”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (kuruar nga Artan Shabani dhe Suzana Varvarica Kuka), nga piktori Theodhori u ekspozuan tre punime. Gjithashtu punimet e tij kanë zënë vend në faqet e katalogut (monografi kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu), të autorit Fotaq Andrea, në Francë.

    Në vitin 2015, artisti Dhimitër Theodhori ishte pjesëmarrës në ekspozitën e pesë piktorëve shqiptarë e çelur nga Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë në Muzeun Kombëtar të Kuvajtit; sëbashku me punimet e artistëve: Gazmend Leka, Shyqyri Sako, Ardian Isufi, dhe Fani Zguro.

    Punimet e artistit Theodhori ishin pjesë e ekspozitës që Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë çelën në Parlamentin e Duseldorfit (Gjermani, 2015) në kuadrin e javës së kulturës shqiptare me titull: “Nëntori shqiptar”–Rrugëtim shqiptar, Koleksion GKA dhe Artistë bashkëkohës. Në janarin e vitit 2016, Dhimitër Theodhori, dy veprat e tij, ishin pjesë e ekspozitës “Realizmi socialist në GKK”, që Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë çeli Galerinë Kombëtare të Kosovës, Prishtinë Në ekspozitën e çelur në GKA, Tiranë me titull “Arti dhe Dizajni i Filmit Shqiptar” – Vepra të Përzgjedhura nga Vitet e Kinostudios, (15 Prill – 16 Qershor 2016), krijimtaria e Theodhorit u shpalos edhe më e plotë në fushën ku ai dha dhe një kontribut të veçantë – si piktor filmi dhe piktor kostumesh.

    Herë i thjeshtë, herë impresionues apo ekspresiv në realizmin e kostumeve të filmave artistikë shqiptarë Dhimitër Theodhori është një artist i plotë dhe me mjaft interes në realizimet e tij si një kostumograf i nivelit të parë. Ai në galerinë e mijra e mijra personazheve të tij të realizuar me përkushtimin e një piktori serioz, në kushtet e një censure dhe autocensure të rregjimit komunist në Shqipëri, paraqet shëmbullin më domethënës të artistit ”bohem” që nuk gëzoi sa ishte gjallë vlerësimet e artit të tij.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco