Mbushen 550 vjet nga vdekja e Skënderbeut, Muzeu Historik çel ekspozitën 'Moti i Madh'

Mbushen 550 vjet nga vdekja e Skënderbeut, Muzeu Historik çel ekspozitën 'Moti i Madh'

09:05, 17/01/2018
A+ Aa A-

Sot, më 17 janar 2018 mbushen 550 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.

Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën me titull “Moti i Madh”. Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut. Objekti qëndror i ekspozitës është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morrën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës.

Ekspozita përmban ekspozitorë të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhet nga filmi i Skënderbeut pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitoret e tij legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin t’a përsërisnin. Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco