Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, shikim pas 15 vjetësh i filmit 'Lule të kuqe, lule të zeza'

Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, shikim pas 15 vjetësh i filmit 'Lule të kuqe, lule të zeza'

08:59, 07/12/2017

15 vite nga koha kur në një fshat në jug, një grup kineastësh xhiroi një film, në një qoshe të kryeqytetit të zhurmshëm të Natës së Bardhë, një sallë pranë Kinostudios, vendos ta risjellë për publikun. Mungojnë tre veta: Kujtim Laro, Bujar Lako e Gent Demaliaj. Por filmi është edhe për ata “Lule të kuqe, lule të zeza”.

Pesha e rëndë e një jete gri, në një fshat që mban mbi supe mjegulla të pakoha, njerëzish që ikin e njerëzish që rrinë, përbën fillin lidhës të filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”. I xhiruar në fillim të viteve 2000, por me ndikimin e fortë të 1997-ës, filmi shpërfaq jetët e zbrazëta që sillen rreth Lilianës(Yllka Mujo)- një grua e fortë dhe e brishtë, pothuaj e çmendur e njëherësh krejt e kthjellët, që bart si mallkim kobe rreth vetes.

Fshati është përbashkuesi i jetëve të ngelura aty, mësuesi a Sfinksi (Mevlan Shanaj), taksisti i çartur (Bujar Lako), një banor jo fort i zakonshëm (Vasian Lami) një prift që vjen (Kastriot Çaushi), vajzën e bukur të Lilianës, Ana Pashanë(Elia Zaharia) dhe të atin, një burrë që është ndjerë gjithherë i pafuqishëm (Enver Petrovci).

Një burrë që ikën, një dhëndër që zhduket, nënë e bijë që goditen deri në mavijosje, një prift e një hoxhë të dyshimtë që nuk munden të ngjallin as shpresë, as besim e as ringjallje, një tregtar skeletesh, dhe një tank i madh, një tank që kërcënon të marrë përpara çdo gjë. Po ç’mund të marrë para në një fshat që nuk ka mbetur asgjë? Një fshat që ruan mes merimangash, kujtime e atyre që ikën, që e lanë, një fshat i syrgjynosur në kujtesë te fshehura.

Elia Zaharia, Yllka Mujo, Enver Petrovci, Bujar Lako, Kastriot Caushi, Petrit Malaj, Vasjan Lami, Kled Kapexhiu janë banorët e fundit para ‘apokalipsit’.

Pikëpyetjet shumëfishohen, ndërsa kolona zanore e Kujtim Laros, si një marsh funebër, të mban në trysninë e frikës.

Për Yllka Mujon, filmi është një vepër komplekse. “Është gri. Është ndërthurje emocionesh”. Kujton kur Kujtim Laro i dhuroi diskun me muzikën e filmit. “Më tha që më duket se kam shkruar muzikën e vdekjes sime. Ajo qe e fundit që shkroi”,-tha Yllka Mujo, të mërkurën në mbrëmje kur filmi u shfaq pas 15 vitesh në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. “Jam e lumtur jashtëzakonisht që kam pasur një rol të tillë më kinema. Është pak haluçinativ. Ne jetuam në atë vend. U bënë pjesë e jona. Aty shëtisnim, shihnim çdo gjë, aty jetuam dhe u bëmë njësh me të”.

Kur fjalën e mori Shanaj, në fillim kërkoi falje. “Ju kërkoj falje se mund të keni ardhur për t’u kënaqur. Nuk është film për t’u kënaqur, është një film që të meditoni, sepse keni parë dramën e familjes e të shoqërisë me muzikën e Laros”.

NATASHA LAKO: NJË PROGNOZË, NJË KËNGË PER ATA QË QËNDRUAN

Poetja kujton kur kthehej nga Suedia pas 1997-ës. “Ne u kthyem. Të vetmit që vendosëm të ktheheshim. Ne jemi ata që qëndruam. Filmi është për ne që qëndruam”,- tha ajo, mes emocionesh. Përballej pas kaq vitesh me filmin e saj. 20 vite më pas, nuk duket se ka ndryshuar shumëgjë. Shqipëria vijon të boshatiset, si fshati i filmit të saj. Atëkohë, kur kthehej, trauma e saj e parë ishte Shqipëria e shkatërruar.

-Si e kujtoni procesin e punës për skenarin?

Në fillim dua të them se ka një prognozë filmi. Është një prognozë që përsëritet herë pas herë në Shqipëri, për ikjet e shqiptarëve. Kohët e fundit OKB-ja ka parashikuar që pas 30 vitesh shqiptarët do të mbeten 1 milionë e 700 mijë. Filmi e ka thënë këtë prognozë që nga viti 1999, kur është shkruar, sepse ishte vala e ikjeve sidomos pas ngjarjeve të 1997-ës. Megjithatë, nuk duhet të trembemi tani. Është thjesht një dokument, nuk mendoj vërtetë se do të zvogëlohet Shqipëria. Filmi nuk dihet gjithnjë se ku e ka ngacmimin e parë, por një ngacmues, ka qenë edhe djali ynë Joni Shanaj, sepse në atë kohë ai ka qenë student në Suedi. Ishte një ngacmim për ata njerëz që rezistojnë e mbeten këtu. Ka disa tema, ka tema për të ikurit e ka tema për ata që qëndrojnë, që vendosin të punojnë e të jetojnë me të gjithë traumat, me të gjithë kujtimet e trishtimet e tyre personale në këtë vend. Për ata është filmi, për ata që nuk shkulen nga ky vend. Mbase për njerëz si puna jonë.

-A është filmi për trishtimin e ditëve tona?

Jo, sepse ditët kanë edhe bukuritë e tyre. Ishte një marrëdhënie e tillë njerëzore atë periudhë. Ju e dini që në atë kohë gazetat shkruanin që kushdo merrte një tank dhe udhëtonte me të. E bënte taksi. Gjer në këtë absurditet mbërrinte pas 1997-a. Ka diçka nga ky absurditet, por në radhë të parë ka absurditetin e marrëdhënieve shumë të thella njerëzore. Pa marrëdhënie të thella njerëzore nuk mbetesh këtu, është mendimi im kryesor.

-Pse e mori titullin “Lule të kuqe, lule të zeza”?

Ka të bëjë me disa kujtime familjare. E kishim këtë si një kredo të familjes sonë, me një këngë fëminore dhe e shfrytëzuam për filmin, sepse shqiptarët e kanë të kuqen e të zezën, edhe si kontrast.

-E menduat që kur shkruat skenarin se do ia besonit regjinë bashkëshortit tuaj?

Po, me thënë të drejtën. Unë kam bërë skenarin e 14 filmave artistikë me metrazh të gjatë. Ishte hera e parë që, prej momentit kur shkrova skenarin, mendova për rolin e Mevlanit e të Yllkës. Herë e parë që kur shkrova skenarin u mbështeta edhe në karakterin e aktorit.

-Si u bë i mundur xhirimi në atë kohë, kur ende Shqipëria nuk e kish marrë veten nga ’97-a?

Ndoshta për shumë njerëz është e pabesueshme, mundimi i jo vetëm i kineastëve shqiptarë, por i çdo kineasti për të xhiruar; jo pse ishte ‘97-a, një kineast nuk ka ‘97-ë kur xhiron, por përpjekja është e jashtëzakonshme.

-Ju ka rënduar shpirtërisht të shkruarit e skenarit?

Në kinema shihet ndryshe. E shoh ndryshe tani, si spektatore.

MEVLAN SHANAJ: PËR DASHURINË PËR  FILMIN E ATA QË NA MUNGOJNË

Kineasti Mevlan Shanaj e ka këtë filmin e disatë. Mes regjisë e personazhit, shpërthimet e tij i ngjajnë rrebesheve të dhembjes. Një burrë, një burrë si ai, i vetëm, i lënë në një fshat ku nuk shkel më asnjë këmbë. Përtej personazhit që bart të mirën e të keqen, Shanaj, ka mbi supe edhe peshën e regjisë, që vite më vonë duket se nuk e ndjen më.

– A janë njerëzit që qëndrojnë këtu, “Lulet e kuqe, lulet e zeza”?

Është pyetje e vështirë kjo. Di të them se “Lulet e kuqe, lulet e zeza” është 15- vjeçar. Në kinema 15 nuk janë keq, mirë është të shkojë deri në 100, por ky rikthim i filmit sot në ekran, në këtë datë të bukur festë të Natës së Bardhë, më jep një kënaqësi. Kënaqësi për ta parë edhe njëherë në ekran të madh, sepse vërtetë u bënë shumë vite, e për të parë reagimin e tyre që se kanë parë. Në kohën kur ka ardhur ka qenë një film që ka provokuar. Jam ndjerë mirë, e çdo gjë që provokon, sjell një farë mendimi. Kur filmi mbaron, nuk vijon biseda, por ecin dhe meditojnë, qëndrojnë të heshtur, bëjnë disa hapa duke folur me veten e tyre. Kjo ka qenë kënaqësia ime te “Lule të kuqe, lule të zeza”. Unë e kam përjetuar këtë lloj meditimi të shikuesve, por, nga ana tjetër, kam punuar me një staf të shkëlqyer.

-Jeni sërish në ekran me Yllkën…

Po, me partneren time të hershme që nga viti 1969-1970, te “I teti në bronz”.

-Ka mungesa sonte, si është ta shohësh filmin pa ta?

Ka mungesa, mungon Kujtim Laro që ka bërë në këtë film, muzikën e tij të fundit që është cilësuar si Enio Morikone i muzikës shqiptare; mungon Bujar Lako prapë ju të medias e keni quajtur gjenerali i ekranit shqiptar; mungon Gent Demaliaj, një talent i madh. Sonte vjen ky projeksion mes miqsh, por me tri mungesa shumë të mëdha.

 -Është një homazh për ta?

Le ta quajmë kështu. Kur ata nuk janë, sigurisht njeriu të shkuarën e apelon brenda vetes, e kujton. Me kalimin e kohës e kujton me gropa, por kujtime të tilla të këtyre monumenteve që i ke pasur bashkudhëtarë nuk harrohen kurrë. Unë nuk di se ç’do të ndodhë nesër, as me mua as me kinemanë, por për këto vite që kemi kaluar ruaj me shumë dashuri e me shumë dashuri gjëra që kam dëshirë t’i përjetoj gjatë.

-Si ka qenë bashkëpunimi me Natasha Lakon?

Me Natashën unë kam shumë filma, një pjesë me mua, duke filluar që nga “Plumba perandorit”, që është një film me firmën tonë rezistente prej 40 vitesh; ose “Fletë të bardha”, i cili provokoi një ndjeshmëri deri në instancat më të larta, administratën e kohës e kemi marrë kënaqësi. Kur vijmë te “Lule të kuqe, lule të zeza” është një shikim pak më i çliruar. Shkojmë më shumë drejt natyrës së perceptimit të filozofisë së Natashës, siç është Natasha edhe në poezi, që duhet ta lexosh dy a tri herë që ta kuptosh. E pastaj befasohesh. Metafora e saj edhe në këtë film, është rezistente. Unë jam munduar ta kuptoj dhe mendoj se ka mbetur e kënaqur.

-Natasha tha se për herë të parë i ka zgjedhur vetë dy aktorët që kur shkruante skenarin. Ju keni ndikuar tek ajo?

Kam dy aktorë për të cilët kam lëvizur nga mendimi im bazë: kam lëvizur nga Vangjush Furrxhiu që për shkak të gjendjes shëndetësore u tërhoq dhe mora Enver Petrovcin. Është hera e parë që i jap vetes rol./GSH

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment