Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Divorci' Meta - Kryemadhi

FOTO/ Rrëfimi i 'babait' të Çufos: Më dhanë çmim se qeshi Mehmet Shehu. Më premtuan pension, por…

FOTO/ Rrëfimi i 'babait' të Çufos: Më dhanë çmim se qeshi Mehmet Shehu. Më premtuan pension, por…

17:33, 20/11/2017
A+ Aa A-

 “Babai” i Çufos, ishte biri i dy prindërve që nuk dinin as të hidhnin firmën. Qe veçse dy vjeç kur nga Gjirokastra, e sollën në Tiranë. Jetonte në një dhomë të vogël, të lagësht, të ngushtë. Qenë kaq të varfër. Në shkollë shkonte me këpucë të grisura. Librat e fletoret i mbante në një çantë prej lecke, vishej keq, dukej keq, ndihej keq. Ishte i shkurtër aq sa humbte në bankë.

Mezi priste pushimin e gjatë në shkollë që të pinte pak qumësht pluhur, të merrte margarinë dhe galeta. Ishin ndihmat e UNRRA-s për vendet fitimtare të luftës. “Kam pasur një fëmijëri të tmerrshme”, – thotë Gaqo Bushaka për “Gazetën Shqiptare” kur e pyes nëse fëmijëria ka ndikuar në qasjen e tij të parë ndaj letërsisë për fëmijë.

Nuk e pranon hapur që ka një lidhje mes fëmijës së palumtur që u rrit për të shkruar që të gëzonte fëmijët e një Shqipërie nën diktaturë. “Ata vuanin shumë”.

Megjithatë, shton se të paktën atëherë ishin të gjithë njësoj, ndaj shokët nuk të shanin. Të gjithë kishin kukulla prej lecke, çantë prej lecke, topa prej lecke dhe një jetë, kishin të tërë një jetë prej lecke!

Image

Familjet e rrugës së tij, Karapicët e famshëm, e mbanin afër. “Jam rritur duke lypur”. Por ai nuk ka lypur në rrugë, as bukë. Ka lypur libra, nga kushdo, kurdo, duke krijuar një botë të re, brenda dhomëzës ku ngrysej e gdhihej. Merrte jetë borxh nga ilustrimet e librave.

74-vjeçari që kam përballë është ende një fëmijë në trupin e një burri. Një fëmijë i vuajtur që është bërë i fortë me zor, që burgos brenda atij trupi dhimbjen që e ka shtypur.

74-vjeçari që kam përballë është një mjeshtër që ende nuk i kanë dhënë pensionin special, ata që janë rritur me përrallat e tij. 74-vjeçari që kam përballë, është megjithë këto një burrë krenar, si Petro Marko, si letërsia e tij. Ai ka vendosur që nëse mbetet, është për meritë të tij.

74-vjeçari që kam përballë nuk lyp asgjë, nuk kërkon lëmoshë, por në zërin e tij ndjej zhgënjim për fëmijët që dikur bëri të lumtur e që sot janë rritur për të qenë burra të këqij, jo si ai. Ditëve të panairit e sheh nga një stendë në tjetrën si një vizitor i zakonshëm. Nuk kërkon vëmendje. Është ende fëmija i kahershëm që ecte nëpër Tiranën e qerpiçtë, me të njëjtën drojë e thjeshtësi. Kalimtari i zakonshëm përkrah nesh. Që nuk e vëmë re. Që e lëmë të kalojë duke harruar buzëqeshjet e fëmijërive pranë sobave kur na lexonin përralla. Përrallat e tij.

“Çufoja dhe bubi kaçurrel”, “Pushimet e Çufos” e “Çufoja në shtëpinë e çudirave” kanë rritur breza të tërë fëmijësh. Si shkrimtar i prozës së gjatë e romanit për fëmijë, ai është një ndër emrat më në zë të letërsisë për të vegjël prej 40 vitesh. Ndërsa Çufoja e bëri të njohur, nuk lihen mënjanë as përmbledhjet “Arushi që kërkonte babanë”, “Në ishullin e dallëndysheve”, “Amaneti i dhelprës”, “Përralla u la për nesër”.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai rrëfen fëmijërinë e varfër, shkrimet e censurën, miqtë e zhgënjimet, novelat e dobëta që shkroi me zor. Gaqo Bushaka është ulur përballë dhe është herë fëmijë e herë 74-vjeçar.

– Jeni një ndër emrat që keni rritur disa emra fëmijësh. Si ka qenë ky udhëtim? Ke dashur të dalësh prej kësaj letërsie?

I jam përkushtuar gjatë gjithë jetës sime letërsisë për fëmijë. Kam bërë dy romane, me të cilët doja të dilja nga letërsia për fëmijë. “Njeriu pa kokë” kishte idenë se pavarësisht si sillemi me librin, prapë tek ai do kthehemi; ndërsa i dyti ishte me një temë xhelozie “Gjyqi i dashurisë”. Librat u shitën, u mbaruan atëherë dhe nuk u impenjova më për ribotime. Në letërsinë për fëmijë kam 30 libra. Disa nga këta, si “Guna e zezë” ka arritur rreth 200 mijë kopje, sepse botoheshin atëherë nga Libri Shkollor, për shkollat. Tani kam nxjerrë një libër të ri te shtëpia botuese “Toena” për gjakmarrjen.

– Pse për gjakmarrjen?

E kisha peng këtë, sepse kisha parë e kam takuar njerëz të tillë që e kishin këtë plagë. Më vriste fakti që shihja fëmijë 10-12 vjeçarë që ngujoheshin. I shkatërrohet fëmijëria tërësisht. Ndahet nga shokët, nga shkolla, nga librat dhe do rrijë gjithë jetën të shohë tavanin. Do jetojë me helm. Ai do presë që dikush t’i bjerë derës e t’i çojë çorbë, supë a bukë. As “Kanuni” nuk respektohet se po vrasin edhe vajza. Është një tragjedi që më ka mbetur në mendje. Punova me këtë roman tre vjet.

– Çfarë ju frymëzonte për Çufon?

Edhe në kohën e Enver Hoxhës, unë shihja se fëmijët vuanin, kishin probleme, do shkonin të mbanin radhë për të marrë qumësht. Do shkonin në shkollë me këpucë të grisura, siç ndonjëherë shkoja edhe unë, edhe me çantë lecke. Fillimisht edhe buka ishte me triska dhe po të të humbte triska, të humbte emri. Megjithatë, ishte një sistem që pak a shumë ishim aty të tërë dhe nuk e tallnim njëri-tjetrin.

Tani shoqëria është në shkallë të ndryshme dhe ai që është me mua sot, nesër bëhet ministër dhe pasnesër është diku tjetër. Si u vunë lekët është punë tjetër, secili jep llogari për punët e veta, unë jap për punën time. Kam arritur në përfundimin se nëse unë mbetem shkrimtar për fëmijë, është merita ime, nëse nuk mbetem, është faji im.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco