Sot në Akademinë e Shkencave: 'Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan'

Sot në Akademinë e Shkencave: 'Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan'

09:48, 13/11/2017
A+ Aa A-

Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon sot konferencën shkencore ndërkombëtare "Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan". Fjalën e hapjes e mbajti akademike Floresha Dado.

Kjo konferencë organizohet në 250-vjetorin e lulëzimit të këtij qyteti (1767-2017), që përfaqëson një nga pamjet më të plota të ndikimit iluminist europian në rajonin e Ballkanit. Organizator i konferencës është Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike i Akademisë së Shkencave. Përgatitjet e saj kanë nisur qysh në vitin 2016 dhe janë intensifikuar me krijimin e një komiteti shkencor të posaçëm, me praninë e ekspertëve të kësaj dukurie, brenda dhe jashtë Akademisë. Kjo është veprimtaria më e rëndësishme shkencore e këtij institucioni për vitin 2017.

Është siguruar bashkëpunimi dhe mbështetja e shumicës së instituticoneve akademike të rajonit, si Akademia e Shkencave e Greqisë, Akademia e Shkencave e Rumanisë, Akademia e Shkencave e Bullgarisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, përmes përfaqësimit dhe pjesëmarrjes me specialistë të njohur. Në konferencë do të marrin pjesë studiues të njohur nga universitete të Italisë e Greqisë dhe nga shumica e universiteteve të Shqipërisë. Janë parashikuar të mbahen 35 kumtesa, prej të cilave 11 nga studiues të huaj, ndarë në gjashtë seanca, përveç përshëndetjeve dhe diskutimit e konkluzioneve përmbyllëse.

Gjatë konferencës do të paraqiten rezultate të kërkimeve të reja për disa dukuri të iluminizmit europian në Voskopojën e shekullit XVIII, për karakterin panballkanik të saj, për fillimet e akademizmit në Shqipëri, për çështje të kultit dhe të kulturës, për shumëgjuhësinë e gramatikave dhe të fjalorëve, për dorëshkrimet dhe tiposhkrimet që i dhanë këtij qyteti njohje ndërkombëtare, për çështje të zhvillimit dhe të rendit ekonomik; si dhe për modelin që krijoi bashkëjetesa ndëretnike, ndërfetare, ndërgjuhësore dhe ndëralfabetike, si një dukuri paraprirëse e europeizmit të sotëm.

Konferenca do t’i zhvillojë punimet në dy ditë, në Tiranë më 13 dhe në Voskopojë më 14 nëntor. Gjatë ditës së dytë do të ketë veprimtari kulturore dhe me karakter përurues.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco