Ndahet nga jeta Kasëm Trebeshina, një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pasluftës

Ndahet nga jeta Kasëm Trebeshina, një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pasluftës

14:16, 07/11/2017
A+ Aa A-

Ditën e martë, më 7 nëntor, u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare shkrimtari Kasëm Trebeshina. 

Portret nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Trebeshina mori pjesë në luftën antifashiste dhe pas saj botoi librat e parë.  Për shkaqe ideologjike veprimtaria e tij krijuese u ndërpre. Marrëdhëniet e Trebeshinës me lexuesin u rivendosën me shumë ngadalësi vetëm pas ndryshimit të sistemit politik. Dëmi më i madh Trebeshinës iu bë me humbjen e lexuesit të parë. 

Disa nga veprat e tij, si Odin Mondvalsen, konsiderohen si vepra modernizuese të letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të të ndjerit.

Më poshtë zëri i shkrimtarit dhe intelektualit Kasem Trebeshina i botuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave.

Trebeshina, Kasëm (1926–2017). Poet, prozator, dramaturg, eseist. Lindi në Berat. Ndërpreu mësimet në shkollën Normale të Elbasanit dhe u hodh në radhët e LANÇ (1942). Filloi studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” në Leningrad, por nuk i përfundoi. Mospajtimi me politikën e udhëheqjes së PPSH, kundërshtimi nga ana e tij i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve, e çuan K. T. më se njëherë në burg, si dhe i kushtuan heqjen e së drejtës së botimit. “Promemoria” e tij drejtuar Enver Hoxhës (5 tetor 1953), denonconte përqendrimin e pushtetit tek udhëheqësi dhe instalimin në kulturën shqiptare të metodës së realizmit socialist. Për shkaqe ideologjike vepra e tij filloi të botohej vetëm në v. ’90.

Para këtyre v. arriti të botonte fare pak (“Kruja e çliruar”, Dramë 1953); fill pas v. 1991 botoi: “Stina e stinëve” (novela, 1991), “Legjenda e asaj që iku” (tregime, 1992), “Koha tani, vendi këtu” (tregime, 1993), “Qezari niset për në luftë” (roman 1993), “Kënga e Golgotës” (roman 1993), “Mekami” (novelë, 1994), “Nata para apokalipsit” (ese, 1998), “Polimnia dhe Melpomena” I, II (poezi, 2006) etj.

Vepra e K. T. është shfaqje rebelimi kundër një realiteti ku çdo gjë ishte kthyer në të kundërtën e vet dhe funksiononte sipas alogjikes. Në të merret në mbrojtje individi, tjetërsimi i të cilit synohej, si nga realiteti, ashtu edhe nga arti.

Një nga veprat më përfaqësuese të K. T. “Stina e stinëve”, ndërtuar si një triptik novelash, ka trajtuar tabutë e mendësisë shqiptare dhe të metodës artistike të kohës përmes botës naive të fëmijës. Ndryshe nga letërsia e atyre viteve, ajo i ka dhënë një vend të gjerë dhe i ka rikthyer vlerën e mohuar nënvetëdijes njerëzore. Me veprën në katër vëllime “Kënga shqiptare”, K. T. u bë ndër lëvruesit e parë të romanit të tipit epope. që ndërthurte rrëfimin realist me prirje surrealiste. Romani “Odin Mondvalsen” (shkruar në v. 1955–1956), me ironinë dhe groteskun, lirinë e përdorimit të kohës së rrëfimit, me vetë narratorin e zgjedhur, një i sëmurë mendor, me ligjërimin që kundërvë vazhdimisht logjikën dhe absurden, me prirjen për të sjellë mesazhe universale që përfshinin historinë, politikën, kulturën, shkencën, kundërshtimin herë të hapur e herë alegorik ndaj një ideologjie që donte të sundonte dhe tjetërsonte njeriun, përbënte, pa dyshim, një vepër me tipare të dukshme moderniste. Të tilla tipare përmbante edhe romani “Mekami”, realiteti letrar i të cilit krijohet përmes “lojës” me historiken.

Ndër veprat e shumta dramatike të K. T., më e njohura deri tani mbetet drama “Tiranozauri (shkruar më 1975 dhe vënë në skenë më 1995). Me ndërtimin e saj alegoriko-simbolik, drama synon të përgjithësojë të vërtetën themelore të ekzistencës njerëzore.
Të veshura me një lirikë të thellë e të trishtë, këto të vërteta kërkohen edhe në dy vëllimet poetike “Polimnia dhe Melpomena”.

E shtrirë në kohë, shumë e vëllimshme, e larmishme për nga gjinitë dhe llojet letrare, e pasur dhe origjinale për nga mënyrat e ligjërimit artistik, vepra e K. T. edhe pse në një pjesë të saj është ende e pabotuar, përbën një nga zërat më interesantë të letërsisë shqipe të pasluftës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

TIRANA08/11/2017 14:34

UL FLAMURIN ! Ndero trimin hero, Zoti Rama ! Trebeshinen s’do ta harroje kurre ky popull ! LAVDI NE SHEKUJ KASEM TREBESHINA !

Shto koment

Denonco